Merkato e Interit

Kontratë 4-vjeçare, fanella me numër 6 dhe besim i plotë nga ana e Luciano Spallettit. Matias Vecino është futbollisti më i ri i Interit. Mesfushori urguajan është blerja e 4-t e zikaltërve në këtë merkato pas Padellit, Skriniar dhe Borja Valeros. Për të plotësuar dëshirën e trajnerit Luciano Spalletti drejtuesit e Interit derdhën në arkat e Fiorentinës shumën e 24 milionë eurove duke paguar klauzolën e largimit të 25-vjeçarit nga klubi vjollcë. Me Interin, Vecino ka firmosur një kontratë 4-vjeçare nga e cila do të përfitojë 2,5 milionë euro në sezon plus bonuset, ndërkohë që Spalletti mund t’ia besojë qëndrën e mesfushës dy ish-futbollistëve të Fiorentinës, Borja Valeros dhe Vecinos, të cilët i kërkoi me ngulm në skuadrën e tij.
Pasi kaloi me sukses vizitat mjekësore, uruguajani tha edhe fjalët e para si lojtari më i ri i Interit duke u shfaqur shumë i lumtur, ndërkohë që falenderoi të gjithë tifozët zikaltër. Vecino është një mesfushor total që luan në çdo rol të repartit të ndërmjetëm dhe konsiderohet si një vlerë e shtuar e mesfushës së Interit. Por jo vetëm Vecino, pasi kjo javë parashikohet shumë aktive për Interin në merkato. Është arritur më në fund marrëveshja mes klubit italian dhe Nicës për transferimin në “San Siro” të mbrojtësit të majtë Dalbert Henrique. 23-vjeçari brazilian do t’i kushtojë Interit, 20 milionë euro plus bonuset, ndërkohë që të enjten pritet të jetë në Milano për të kryer vizitat mjekësore. Zikaltërit e kishin mëse të nevojshëm afrimin e një mbrojtësi të majtë dhe Dalbert Henrique ishte zgjedhja e parë për drejtuesit, pasi Nagatomo dhe Ansaldi nuk e bindin aspak trajnerin Spalletti.
Interi përgatit goditjen e bujshme në merkato, 39 milionë euro për mesfushorin e Liverpulit. Interi është duke u përgatitur për një goditje të bujshme në merkato. Mediat britanike bëjnë me dije se, zikatërit janë vënë në ndjekje të mesfushorit të Liverpulit, Sadio Mane. 25-vjeçari konsiderohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm në skuadrën angleze dhe për trajnerin Jurgen Klop largimi i mesfushorit senegalez do të ishtë shumë i hidhur.
Për transferimin e Manes, Interi është gati të shpenzoje 39 milionë euro. Mesfushori nga Senegali, i cili humbi fundin e sezonin të kaluar për shkak të një lëndimi në ligament, u rikthye në fushë gjatë miqësores kundër Herthës së Berlinit. Në sezonin e kaluar, ai arriti të shënonte 13 gola.
Aventura e Jonathan Biabiany  në Inter tashmë ka marrë fund. Sipas Calciomercato.com sulmuesi francez është pranë transferimit te Sparta Pragë. Thuhet se Nerazzurtë janë  në negociata të avancuara për transferimin e Biabiany në skuadër çeke. Sparta Prag po synon ta huazojë ish-sulmuesin e Parmës deri në fund të sezonit, por me mundësi të blerjes për 4 milionë euro. Biabiany  ka kontratë me Interin deri në verën e vitit 2019, por nuk bën pjesë në planet e Luciano Spallettit.