Kamza prezanton 4 blerjet e reja

4 prezantime në një ditë te Kamza. Klubi i ngjitur këtë sezon në Superiore, prezantoi portierin Argent Halili që vjen pas eksperiencave me Kukësin e Flamurtarin, mesfushorin Alfred Zefi, brazilianin Bruno Arrabal dhe mbrojtësin Hektor Idrizi, që vjen për të gjetur më shumë hapësira nga Skënderbeu. Pjesë e stafit të trajnerit Ramadan Ndreu do të jetë ndërkohë edhe përgatitësi atletik Luca Guerra, me një të kaluar në kampionatin italian dhe hungarez. Përforcime që konfirmojnë ambiciet e kryetarit të Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu dhe Presidentit të klubit, Naim Qarri për një projekt që të garantojë në radhë të parë qëndrimin mes më të mirëve të futbollit shqiptar.
“Me këto përforcime, por edhe të tjera që do të njoftohen në ditët në vazhdim ne konfirmojmë se Kamza nuk do të jetë kalimtare në Kategorinë Superiore, por një ekip që do të luftojë për më tepër duke qenë mjaft konkurues në kampionat”, u shpreh Qarri.
Vetë futbollistët e sapoafruar presin me optimizëm aventurën e re me përkushtimin dhe shpresën për të bërë sa më mirë te Kamza. “Është një eksperiencë e re për mua, zakonisht eksperiencat e reja më kanë sjellë fat si te Kukësi ashtu dhe te Flamurtari dhe synoj që edhe këtu të bëj çfarë kam bërë mirë në këto dy skuadra”, tha Argent Halili.
Alfred Zefi: Besoj se duke punuar dhe duke vënë në shërbim përvojën time do të ndihmoj skuadrën në mënyrë që të arrijmë objektivin për të qëndruar në Kategorinë Superiore”.
Hektor Idrizi: “Mendoj se duhet t’i futemi sa më shpejt punës, nëse shohim skuadrat e tjera besoj se ka 3 apo 4 ekipe në Superiore që mund t’i arrijmë, por gjithçka duhet bërë me këmbë në tokë dhe duke punuar ndaj duhet të fillojmë sa më shpejt”.
Bruno Arrabal: “Është një eksperiencë e re për mua këtu në Shqipëri, me një skuadër të re, jam gati të vihem në shërbim të saj dhe të jap gjithçka në mënyrë që të ngjitemi sa më lart”.
Lojtarë të përzgjedhur nga trajneri Ramazan Ndreu, edhe pse Kamza po ndërton një skuadër të re këtë vit, eksperienca e 51-vjeçarit thotë se objektivi mbijetesë është mëse i arritshëm.
“Janë afrime të përzgjedhura me kujdes, në funksion të arritjes së objektivave. Do të kemi edhe të tjera prezantime gjatë kësaj jave. Besoj se me ndihmën e eksperiencës do të arrijmë të sigurojmë mbijetesën, madje mendimi im është se do të mund të renditemi në mesin e tabelës”.
Pas prezantimit, për kryetarin e Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu ka qenë momenti edhe për një inspektim në punimet e stadiumit, ku po ju jepet dora e fundit rikonstruksionit sipas udhëzimeve të FSHF. Për Kamzën do të jetë thelbësore që kampionati të nisë në shtëpi, ndërkohë që po punohet me Federatën që në një të ardhme të afërt të sigurohet dhe ndriçimi i stadiumit për ndeshjet natën.
“Siç edhe mund ta shihni është një fushë cilësore, por kryejmë punimet si me ambientet e brendshme ashtu dhe me tribunën kryesore dhe atë ballore për të plotësuar gjithë kushtet e FSHF. Jemi në negociata me FSHF për të siguruar madje edhe ndriçimin për ndeshjet natën si dhe tribunat anësore në mënyrë që ky stadium të plotësojë të gjitha kushtet për një imiant të Kategorisë Superiore”, u shpreh Mziu.
Kjo pritet të jetë një javë intensive për Kamzën, ku pritet edhe prezantimi i japonezit Masato Fukui, por edhe lojtarëve të tjerë. Klubi është në bisedime për sa i përket sulmit me Sebino Plakun me tratativën që është në fazë të avancuar, ndërkohë që për minifazën stërvitore jashtë vendit që do të nisë në 10 gusht, opsionet janë Sllovenia dhe Ohri në Maqedoni.