Dekonspirimi/ Pse në shtator, si po u jepet kohë 124 baronëve?

Pse Rama e bëri publik më 31 korrik operacionin e shtatorit për arrestimin e trafikantëve të drogës? A po i jepet kohë krerëve të karteleve që të largohen?

 

Kryeministri Rama deklaroi një ditë më parë se në muajin shtator do të nisë një operacion masiv nga Policia e Shtetit për arrestimin e trafikantëve të drogës. Rama tha se, policia ka në dorë listën e personave me rekorde kriminale, të cilët i cilësoi feudë të kultivimit të kanabisit, por, tha ai, aksioni për arrestimin e tyre do të nisë në muajin shtator. Kështu, Rama deklaroi në korrik operacionin që sipas tij do të zhvillohet në shtator për arrestimin e trafikantëve të drogës. Me këtë veprim, Rama u ka lënë një muaj kohë baronëve të drogës që të largohen për t’i shpëtuar arrestimit.

Me këtë deklaratë publike, Rama nuk bëri gjë tjetër, por veçse i paralajmëroi krerët e grupeve kriminale të trafikut të drogës që të largohen nga Shqipëria, ose të marrin masa që të organizojnë mbrojtjen ndaj ligjit apo t’i fshihen drejtësisë.

Lista me emrat e trafikantëve të drogës është sjellë nga shërbimet inteligjente të huaja, por Rama në vend që të niste aksionin policor për arrestimin e tyre, caktoi muajin shtator për nisjen e arrestimeve. Bëhet e ditur se në listën e shërbimeve të huaja përfshihen edhe emra qeveritarësh dhe zyrtarësh të lartë të policisë, por për t’i shpëtuar ata, Rama paralajmëroi shtatorin si muajin kur do të nisë operacioni kundër trafikantëve të drogës.

Rama me ish-ministrin e tij të Brendshëm, Saimir Tahiri, lejuan kanabizimin e të gjithë territorit të Shqipërisë në katër vite qeverisje. Në kultivimin dhe trafikimin e drogës u përfshinë trafikantët që kishin lidhje me qeverinë dhe bashkëpunonin me krerët e policisë. Paratë e drogës Rama i përdori për blerjen e votave në zgjedhjet e 25 qershorit. Janë këto grupe kriminale të drogës që e mbajnë Ramën në pushtet ndaj dhe ai nuk mund t’i godasë ato.

Më 31 korrik, Rama deklaroi se do të nisë operacioni për arrestimin e baronëve të drogës, duke iu krijuar mundësinë atyre që të arratisen. Oficerë të Policisë Kriminale që nuk duan të identifikohen, shprehen se deklarata e kryeministrit për nisjen e operacionit në muajin shtator për arrestimin e trafikantëve të drogës, u jep mundësi këtyre të fundit që të marrin masa për t’i shpëtuar drejtësisë. Oficerët e Policisë Kriminale hedhin dyshime të forta se, beteja e paralajmëruar do të përfundojë me arrestime në nivelet më të ulta të grupeve të narkotrafikut, ndërsa baronët dhe zyrtarët e policisë të përfshirë në trafikun e drogës do të lihen të lirë.

Rama pranoi se kishte dijeni për përfshirjen e zyrtarëve të lartë në trafikun e drogës, por i lejoi ata që të vijojnë aktivitetin kriminal. Dy ndër krerët më të fuqishëm të trafikut të drogës janë Klement Balili dhe Agron Xhafa, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa, por edhe pse Balili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, Rama e la të lirë që t’i fshihet drejtësisë, ndërsa Xhafa edhe pse i dënuar për trafik droge në Itali, lihet i lirë për të vijuar trafikun e drogës pa asnjë problem. Ata kanë mbrojtjen direkt të Ramës, sepse kanë kontribuar në blerjen e votave për ta mbajtur atë në pushtet.

R.POLISI

 

Berisha: Rama do të dekorojë baronët e kanabisit

 

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar pas publikimit të raportit të Qendrës së Monitorimit Europian për Drogat ku shkruhet se, Shqipëria ka qarkulluar 9.3 miliardë euro nga kanabisi. Në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha shkruan se, lajmin e eurodoganave për qarkullimin 9.4 miliardë euro kanabis, Rama po e shoqëron me vendimin e tij për të dekoruar 124 baronët e kanabisit, ish-ministra të tij, Çakon e drogës dhe gjithë kryetrafikantët me uniformë dhe pa uniformë.

“Një lajm me peshë të madhe! Kryebaroni i Kanabisit, alias Noriega shqiptar, Edvin Kristaq Rama, lajmin e eurodoganave për qarkullimin 9.4 miliardë euro kanabis nga dogana shqiptare, po e shoqëron me vendimin e tij për të dekoruar së shpejti 124 baronët e kanabisit, ish-ministra të tij, Çakon e drogës dhe gjithë të tjerët, kryetrafikantët me uniformë dhe pa uniformë!”, shkruan Berisha.

Qendra e Monitorimit Europian për Drogat dhe varësinë nga Drogat publikoi raportin vjetor Europian të Drogave të vitit 2017, ku Shqipëria ka qarkulluar 9.3 miliardë euro kanabis. Në raportin e vitit 2017, Shqipëria veçohet si për rritjen e kultivimit të kanabisit ashtu dhe për faktin se ajo po bëhet një rrugë kryesore e trafikimit të narkotikëve në Europë.

 

Rama-kriminelëve: Shkoni me pushime se përndryshe do ju kap

 

Ish-Kryeministri Berisha shkruan në një postim në Facebook se deklarata e Ramës më 1 gusht për nisjen e operacionit në muajin shtator për arrestimin e kriminelëve do të thotë: Shkoni me pushime se përndryshe do ju kap. “Ultimatumi i 1 gushtit! Rama, kriminelëve: Shkoni me pushime se përndryshe do ju kap! Të dashur miq! Edvin Kristaq Rama zgjodhi si rastësisht 1 gushtin për t’ju kërcëllitur dhëmbët miqve të tij trafikantë dhe banditë dhe u lëshoi ultimatumin: Shkoni me pushime se përndryshe do ju kap?!?! Ja se çfarë shkruajnë mediat për ultimatumin e 1 gushtit!”, shkruan Berisha.

“Rama lajmëron kriminelët: Tani do të nisim operacionin e madh ndaj jush.

Kryeministri Edi Rama ka lajmëruar sot nisjen e një operacioni të madh policor në vend kundër “të fortëve”, ‘mikrobeve të gjalla që kontaminojnë komunitetin tonë” siç i quajti ai, elementët kriminalë në vend që kanë nxjerrë fitime të pallogaritshme nga trafiku i kanabisit.

Rama, i cili mblodhi sot Task Forcë-n, njoftoi nëpërmjet mediave, se sapo të nisë rënia e fluksit të turistëve, do të nisë operacioni ndaj kriminelëve i shoqëruar jo vetëm me arrestimin e tyre, por edhe me sekuestrimin e pronave dhe fitimeve të tjera. Krahas tyre, operacioni do të shtrihet edhe brenda Policisë së Shtetit, tek personat e lidhur dhe të nënshtruar ndaj krimit.

“Në rend të ditës, tha Rama, është sekuestrimi i aseteve kriminale dhe ndjekja, arrestimi e ndëshkimi ligjor i “të fortëve” në feudet e në llagëmet e drogës.

Është momenti që Policia e Shtetit të përgatitet për një operacion të madh në të gjithë territorin e vendit në zonat që janë simbol i këtyre feudeve dhe ndaj të fortëve të zonës.

Mjafton që ky operacion që do të përgatitet me shumë kujdes, të mos bëhet pengesë në këtë pikë kulmore të sezonit turistik. Menjëherë me rënien e fluksit të turistëve të vihet në zbatim duke bllokuar automjetet e këtyre personazheve. Mjafton që këto elementë shumë shqetësues për komunitetet, njerëzit dhe sigurinë dhe që dëshmojnë pandëshkueshmërinë, të vihen para Prokurorisë dhe Gjykatës.

Është koha të pastrojmë Shqipërinë jo vetëm nga kanabisi, por edhe nga këto “mikrobe të gjalla”, theksoi kryeministri, që kontaminojnë komunitetin tonë dhe cenojnë sigurinë e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi”.

 

Demiraj: 124 baronë droge me mbështetje politike

 

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, gjatë një interviste për emisionin “5 Pyetje nga Babaramo” në “Report TV”, deklaroi se, ekziston një listë me 124 emra, persona të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. Pjesë e listës, sipas ministrit, janë koka, por edhe bujq të thjeshtë, duke theksuar se shumë prej tyre kanë edhe mbështetje politike.

“Unë kam një listë shumë të madhe, të përbërë nga 124 emra, për shkak edhe të funksionit, për shkak të një bashkëpunimi më të mirë sesa paraardhësit e mi me agjensitë e tjera. Kjo është një listë e hartuar nga agjenci të ndryshme, të cilat nuk i përmend këtu. Sigurisht, që kryeministri dhe gjithë personat që duhet ta kenë, e kanë këtë listë e kanë dhe ne jemi duke punuar në funksion të detyrës organike që kemi për ta pastruar përfundimisht Shqipërinë nga ky fenomen, nga trafiqet në mënyrë që Shqipëria të mos figurojë më në hartën e vendeve që trafikojnë. Po tani duhet të themi të vërtetën, pa mbështetje politike nuk kultivon dot kanabis. Pa mbështetjen e policisë dhe qeverisë vendore, kryetarit të komunës, kryetarit të bashkisë, kryetarit të partisë së tij nuk kultivon dot kanabis. Ka pas raste se sasira tonelatash droge ndodheshin në shtëpinë e punonjësit të policisë”, tha Demiraj.

Burime pranë Ministrisë së Brendshme pas deklaratës së fortë të ministrit Demiraj në “Report TV”  është fakti, se këtë listë nuk e ka përpiluar as Policia dhe as Prokuroria shqiptare, por shërbimet inteligjente të huaja. “Unë kam një listë shumë të madhe, të përbërë nga 124 emra, për shkak edhe të funksionit, për shkak të një bashkëpunimi më të mirë sesa paraardhësit e mi me agjencitë e tjera. Kjo është një listë e hartuar nga agjenci të ndryshme, të cilat nuk i përmend këtu. Sigurisht, që kryeministri dhe gjithë personat që duhet ta kenë, e kanë këtë listë”, thotë Demiraj.

Por më poshtë ai duke arsyetuar, se përse ndodhi ajo që ndodhi me shndërrimin e vendit gjatë vitit të shkuar në një fermë gjigante kanabisi, zbulon edhe arsyen se përse këta emra të kultivimit nuk janë çuar mbi tryezën e tij dhe të kryeministrit, nga agjencitë ligj-zbatuese shqiptare; politika dhe policia ka qenë e përzier në këtë sipërmarrje kriminale.

“Po tani duhet të themi të vërtetën, pa mbështetje politike nuk kultivon dot kanabis. Pa mbështetjen e policisë dhe qeverisë vendore, kryetarit të komunës, kryetarit të bashkisë, kryetarit të partisë së tij, nuk kultivon dot kanabis. Ka pas raste, që sasi tonelatash droge ndodheshin në shtëpinë e punonjësit të policisë”, deklaroi Demiraj.