Ballina Sport Daja: Skënderbeu do kualifikohet me tifozët nga e gjithë Shqipëria

Daja: Skënderbeu do kualifikohet me tifozët nga e gjithë Shqipëria

Një gol për t’u kualifikuar. Kaq do t’i mjaftonte Skënderbeut për të vazhduar ëndrrën europiane dhe të sigurojë biletën në fazën “play off” të Europa League. Megjithë humbjen 2-1 në Çeki, misioni përballë Mlada Boleslav, këtë të enjte në “Elbasan Arena” është mëse i mundur. Trajneri Ilir Daja e ka të qartë çfarë duhet të bëjë skuadra në fushë, për të arritur suksesin. “Duhet të jemi të kujdesshëm, pavarësisht se duhet ta fitojmë ndeshjen. Të jemi shumë të ekuilibruar për të mos i lejuar kundërshtarit hapësira për të ndërtuar sulmet apo kundërsulmet. Duke iu referuar ndeshjes së parë, mendoj se në të gjitha aksionet e pjesës së parë, ia kemi dhuruar ne topin kundërshtarit, nuk kanë qenë aksione të ndërtuara. Ne do të sulmojmë, por duhet të jemi shumë të ekuilibruar, si në administrimin e lojës, ashtu edhe në heqjen e mundësisë së kundërshtarit që të na sulmojë”, u shpreh Daja.
Rikthimi i dy prej lojtarëve kryesorë të korçarëve, garanton cilësi, eksperiencë, por mbi të gjitha alternativa, nëse gjatë ndeshjes me Mlada Boleslav duhet ndryshuar diçka. “Në një ndeshje futbolli nuk është i rëndësishëm moduli i lojës, por manovra në të dyja fazat e lojës. Me rikthimin e Lilajt, ekipi ka edhe më shumë frymëmarrje, sepse përveç potencialit që zotëron, Sabieni ka edhe eksperiencë në kompeticionet europiane, pra është një prej pikave të forta të ekipit, ashtu si edhe Xhejms. Duke u shtuar dy forca, edhe stoli është më i kompletuar dhe kemi avantazhin që mund të ndërhyjmë në çdo moment gjatë lojës”, tha Daja.
Trajneri Daja beson te mbështetja e tifozëve. Jo vetëm e atyre korçarë, por e të gjithë shqiptarëve. Sipas tij, ky do të jetë një motiv më shumë që Skënderbeu të kualifikohet. “Tifozët? Besoj që do t’i kemi të shumtë, sepse me mbështetjen e tyre ekipi ka një tjetër motiv. Por, mendojmë se përveç tifozëve tanë, duke qenë se jemi ekipi i vetëm që vazhdon rrugëtimin në Europa League, edhe tifozët e tjerë do të jenë në mbështetjen tonë në Elbasan. Bashkimi i të gjithë shqiptarëve për të qenë suport, dhe veçanërisht i tifozëve tanë të zjarrtë, do të jetë një motiv i shtuar dhe një mbështetje morale që na duhet patjetër”, përfundoi Daja.

Exit mobile version