Votimet fiktive në Venezuelë dhe kundërshtimet e opozitës

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro e ka deklaruar si plotësisht të suksesshme votën e djeshme për hartimin e një Kushtetute të re, megjithë këmbënguljen e opozitës se kjo masë është një hap tjetër drejt vendosjes së një diktature socialiste në këtë vend të Amerikës së Jugut. Vota e djeshme është kritikuar gjerësisht nga vendet perëndimore si një akt që minon të drejtën për vetëvendosje të venezuelianëve.
Nicolas Maduro iu drejtua vendit me tone triumfi, pasi deklaroi se përpjekja për të krijuar një Asamble Kushtetuese kishte marrë një mbështetje të qartë në votën e djeshme:
“Populli venezuelian ka treguar se kur fati na vë në provë, kur oligarkë pa shtet na bëjnë sfidë, kur imperializmi na sfidon, ne dëshmojmë gjakun e liberatorit që rrjedh në damarët e çdo burri, gruaje dhe fëmije”, tha Presidenti Maduro.
Nicolas Maduro ndodhej në Karakas ku po festonte fitoren në votën e djeshme.
Sipas Këshillit Kombëtar Elektoral, mbi 8 milionë vetë votuan për t’i dhënë Partisë Socialiste në pushtet autoritetet thuajse të pakufizuar për të ngritur Asamblenë Kushtetuese. Shifrat zyrtare tregojnë një pjesëmarrje thuajse dy herë më të lartë se ç’kishin parashikuar opozita apo ekspertët e pavarur.
“Kemi regjistruar pjesëmarrjen e 41.5% të votuesve të regjistruar apo të 8.8 milionë venezuelianëve, të cilët dolën për të hedhur votën për një Asamble Kushtetuese. Ishte një pjesëmarrje shumë e lartë dhe e habitshme në njëfarë mase, kur mendon për kërcënimet, bllokimet, vështirësitë që kishin për të kapërcyer”, tha presidentja e Këshillit Kombëtar Elektoral.
Shifrat zyrtare u përcollën me tallje dhe komente përbuzëse nga pjesëtarët e opozitës që besojnë se pjesëmarrja ishte tek 2-3 milionë votues.
“Çdo konfirmim tregon se kjo ishte një ditë e rëndë, e frikshme dhe e mjerë; një proces ku vetëm qeveria mori pjesë. Sipas shifrave që kemi ne, 2.483 milionë vetë morën pjesë, pra 12.4% pjesëmarrje dhe 88% abstenim”, tha Henry Ramos Allup, një ndër udhëheqësit e opozitës.
Ai shtoi se populli venezuelian nuk do të dorëzohet.
“Ne nuk heqim dorë nga të drejtat tona kushtetuese. Do të vazhdojmë protestat në rrugë kundër qeverisë së korruptuar. Nuk do të heqim dorë nga e drejta për të deklaruar para të gjitha vendeve dhe organizmave ndërkombëtare se kemi një diktaturë të shëmtuar që po e shkatërron vendin”.
Një numër vendesh, ndër to Shtetet e Bashkuara, Argjentina, Kanadaja, Kolumbia, Meksika, Spanja dhe Britania kanë thënë se nuk do ta njohin votimin e djeshëm.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se referendumi i së dielës “minoi të drejtën e popullit venezuelian për vetëvendosje”. Heather Nauert, zëdhënëse në Departamentin e Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndërmarrin “masa të vendosura kundër arkitektëve të autoritarizmit në Venezuelë… si rezultat i këtyre votimeve problematike”.
Administrata e Presidentit Trump ka vënë sanksione ekonomike ndaj një numër anëtarësh të lartë të administratës Maduro.
Opozita venezueliane ka bërë thirrje për vazhdimin e protestave. Më shumë se 120 vetë kanë gjetur vdekjen gjatë protestave të organizuara në katër muajt e fundit.