Ballina Politikë Vendimi skandaloz i Kolegjit: I 19-ti në listë është para të 17-tit

Vendimi skandaloz i Kolegjit: I 19-ti në listë është para të 17-tit

LSI ka reaguar me ashpërsi dje ndaj kreut të qeverisë Edi Rama, duke e konsideruar si njeriun që do të ketë nën kontroll çdo pushtet në Shqipëri, edhe mbi atë lokal, edhe mbi drejtësinë.
Reagimi ka ardhur pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të mos ia hequr mandatin këshilltares së përjashtuar të LSI-së nga Këshilli Bashkiak, Genta Mezini. Mezini, kundër vendimit të LSI-së, votoi pro rritjes së çmimit të ujit të pijshëm bashkë me Agim Krajën, një këshilltar tjetër i LSI. Për këtë arsye u përjashtuan nga radhët e kësaj partie, që i etiketoi si të korruptuar dhe të blerë nga pushteti.
Me vendimin e djeshëm të Kolegjit për të mos e zëvendësuar Mezinin me dikë tjetër, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari ngriti gishtin e akuzës drejt Kryeministrit.

Deklarata e plotë e Braimllarit:
“Vendimi i sotëm i Kolegjit Zgjedhor për këshilltarin bashkiak që i takon ligjërisht Lëvizjes Socialiste për Integrim vendosi që 19-ta është para 17-s. Edi Rama tregoi edhe një herë qartazi që kërkon të ketë në kontroll çdo pushtet në Shqipëri, përfshirë pushtetin lokal dhe sistemin e drejtësisë për të cilin ka shumë kohë që lufton që ta zotërojë në çdo mënyrë.
Shqiptarët tani do të shikojnë se pas tepsisë, Edi Rama do të shtrohet këmbëkryq edhe në drejtësi. Tashmë regjimi i drogës, krimit dhe oligarkëve do të rendisë edhe listat e këshilltarëve dhe deputetëve.
Vendimi i sotëm tregon se i gjithë sistemi në Shqipëri është i kapur nga Edi Rama.
Lëvizja Socialiste për Integrim është e vendosur në rrugën e saj për të bërë opozitë frontale ndaj këtij regjimi të neveritshëm, i cili po tregon çdo ditë e më shumë kapjen e çdo sistemi, duke përfshirë këtu edhe sistemin e drejtësisë.
Kjo është politika e pashpresë e Edi Ramës, e cila po e çon Shqipërinë në udhëkryq duke larguar çdo ditë e më shumë shqiptarët nga Shqipëria”.

Exit mobile version