Skënderbeu e Shkëndija, ja kush do jenë gjyqtarët

Mësohen emrat e gjyqtarëve që do të japin drejtësi në ndeshjet e kthimit të raundit të tretë kualifikues të Europa League për skuadrat shqiptare. Sigurisht me kalimin e tureve rritet dhe niveli i arbitrave, pasi shtohet edhe përgjegjësia. Përballjen mes Skënderbeut dhe Mllada Boleslavit do ta drejtojë ukrainasi Sergi Boiko, një gjyqtar i FIFA-s që nga viti 2011. Gjatë sezoneve të fundit ky arbitër ka gjykuar në vazhdimësi ndeshjet e fazës së grupeve të Europa Leagues, ndërsa për tifozët shqiptarë është i njohur pasi ka arbitruar sfidën mes Gentit dhe Shkëndijës së Tetovës në play off-in e sezonit të kaluar, takim që u mbyll me suksesin 1-2 të skuadrës belge. Ndihmës të tij do të jenë Viktor Matjash dhe Volodimir Visotski, ndërsa i katërt Ivan Bondar.
Për ndeshjen mes Shkëndijës dhe Trakait, UEFA ka caktuar gjyqtar kryesor Klejton Pisani nga Malta. Në vitin 2014 ai drejtoi ndeshjen e Ligës së Europës mes Flamurtarit dhe Sioni Bolnisi, të përfunduar me shifrat 2-1 për ekipin gjeorgjian. Në sezonin pasardhës ishte kryesori në ndeshjen Sporting Lisbonë-Skënderbeu, në fazën në grupe të Ligës së Europës, që përfundoi me shifrat 5-1. Dha dy 11-metërsha në atë takim në favor të portugezëve, si dhe ndëshkoi me karton të kuq Salihin. Ndihmës të tij do të jenë Alan Kamileri dhe Eduard Spiteri, ndërsa gjyqtar i katërt Glen Tona.