Pse Rama nuk arreston Balilin dhe Agron Xhafën?

Edi Rama paralajmëroi dje një aksion të gjerë antikanabis në vend dhe luftë sipas të tij të pakompromis me grupet kriminale të trafikut të drogës. Por deklarata e tij më shumë se sa një paralajmërim erdhi si një reagim qesharak në një kohë që është pikërisht trafiku i drogës dhe grupet kriminale që po mbajnë Ramën në pushtet.
Në katër vitet e qeverisjes Rama, sipas të gjitha raporteve dhe analizave ndërkombëtare, Shqipëria u shndërrua në një plantacion kanabisi ku grupet kriminale jo vetëm që gjallëruan aktivitetin e tyre, por kishin lidhje të forta me pushtetin.
Janë pikërisht këto lidhje, të cilat i mundësuan Ramës fitoren e zgjedhjeve të 25 qershorit e pa këto grupe kriminale, Rama e di mirë se nuk mund të qëndrojë dot më gjatë në pushtet as edhe një ditë.
Përkundrejt deklaratës së tij mbi këtë operacion, sot krerët më mafiozë të grupeve kriminale të trafikut të drogës jo vetëm që lëvizin lirisht edhe se ndaj ndaj tyre ka urdhra ndërkombëtarë arresti, por Rama u ka ofruar atyre garanci të plotë për të mos u prekur nga askush.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar dje pas deklaratës së Ramës në lidhje me gjoja betejën kundër grupeve të trafikut të drogës.
Basha solli emra konkretë të kokave të trafikut të drogës, të cilët sot do të duhet të ishin në burg për shkak të dosjeve të tyre voluminoze në lidhje me trafikun e drogës. Kreu i PD u shpreh i sigurtë se kushdo që do të besojë se Rama e ka seriozisht operacionin e tij të shpallur kundër drogës do të zhgënjehet. Ai theksoi se e vetmja gjë që do të bëjë Rama do të jetë arrestimi i disa fshatarëve të varfër apo autorëve të vegjël, ndërsa kriminelët e vërtetë do të vijojnë të qetë aktivitetin e tyre me bekimin e vetë Ramës.
Basha përmendi tri emra, Saimir Tahirin, Klement Balilin dhe Agron Xhafën, vëllain e Fatmir Xhafës si njerëz të lidhur me trafiqet më të mëdha të drogës në vend dhe jashtë vendi, por theksoi se këta e shumë të tjerë të fuqishëm si këta trafikantë Ramës i duhen për të mbajtur pushtetin.
“Me seriozitetin tragjiko-komik që e ka pushtuar, Edi Rama shpalli sot para botës një tjetër betejë historike: luftën heroike kundër kanabisit dhe grupeve kriminale të lidhura me drogën. Por, tashmë, dihet se heroizmi i vetëm i Ramës është të arrestojë keqbërësit e vegjël, ata që nuk janë aq të mëdhenj sa të kenë lidhje me pushtetin.
Koka e kthimit të Shqipërisë në plantacion kanabisi është Saimir Tahiri, aq sa edhe partnerët e huaj i vunë ultimatumin Ramës për largimin e tij, si kurrë ndonjëherë.
Por ata që presin që aksioni i Ramës të prekë Tahirin do të zhgënjehen. Trafikanti ndoshta më i madh i drogës në Shqipëri është Klement Balili, të cilin Edi Rama e la të lirë edhe pse e kërkonte qeveria e SHBA-ve, sepse po të fliste Balili rrëzohej gjysma e ministrave. Prandaj, ata që presin që me aksionin e tij Rama të arrestojë Balilin do të zhgënjehen.
Një nga trafikantët më të kërkuar të drogës në Evropë është vëllai i Fatmir Xhafës, por ata që presin që aksioni i Ramës ta arrestojë atë do të zhgënjehen, gjithashtu.
Aksioni i Edi Ramës do të arrestojë ca fshatarë të varfër dhe ca kriminelë të vegjël. Kriminelët e vërtetë do të qeverisin vendin së bashku me Ramën. Derisa populli t’i largojë”, shprehet Basha në reagimin e tij.