Perisiç tek United

Manchester United-Perisiç, tashmë duket se jemi në detajet përfundimtare. Kroati i Interit që po kërkohet me ngulm nga Jose Mourinho ka kërkuar largimin dhe klubi italian është gati të plotësojë dëshirën e tij, pasi anglezët janë gati të derdhin 53 milionë euro në arkën e zikaltërve. Trajneri Luciano Spalleti ka vendosur veton për qëndrimin e lojtarit, por sipas “Daily Star”, Manchester United është shumë pranë firmës, pasi ka gjetur gjuhën e përbashkët me stafin e lojtarit dhe po diskuton detajet e fundit me Interin. Është pikërisht trajneri portugez që i ka kërkuar klubit të tij të përshpejtojë procedurat për ta pasur 28-vjeçarin në grupin e tij në prag të sezonit të ri.
Mourinho beson se Perisiç do të arrijë të bëjë diferencën në fushën e lojës, pasi është një lojtar i shpejtë në sulm dhe i disiplinuar në fazën mbrojtëse. Largimi i mundshëm i lojtarit kroat do ta hidhte menjëherë në sulm klubin nga Milano dhe i pari në listën e dëshirave është sulmuesi i Lazios, Keita Balde. Me arkëtimin e 53 milionë eurove, Interi mund ta ketë luksin për të rivalizuar me Juventusin në këtë garë. Lazio është në pritje të ofertës më të majme për lojtarin senegalez dhe 25 milionë euro mund të mjaftojnë për të bindur presidentin Claudio Lotito. Keita është zëvendësuesi ideal i Perisiç dhe Spalleti ka ndezur dritën jeshile për këtë operacion, pasi e konsideron 23-vjeçarin si një lojtar të shumë të rëndësishëm për skuadrën e tij të re.
UEFA ka njoftuar se ka gjobitur skuadrën e Manchester Unitedit dhe dy lojtarët e saj, Phil Jones dhe Daley Blind. Unitedi është dënuar me 10 mijë euro, ndërsa lojtarët me nga 5.000 mijë euro. Edhe më keq se kaq, mbrojtësi anglez Phil Jones është dënuar me dy ndeshje mos luajë, çka do të thotë nuk do të luajë ndaj Real Madridit në Superkupën e Evropës, e cila do të mbahet me 8 gusht në Shkup. Për shkak të suspendimit, ndaj Real Madridit nuk do të luajë as qendërmbrojtësi Eric Bailly, i suspenduar me tre ndeshje.
Sulmuesi suedez, Zlatan Ibrahimoviç i është ofruar ish-skuadrës së tij Milan, e cila është përforcuar shumë gjatë kësaj vere. Ibra është lojtar i lirë, sepse Unitedi refuzoi t’ia vazhdonte kontratën, pas lëndimit që pësoi në gju, ku edhe u operua. Sipas Premium Sport, agjenti Mino Raiola ia ka ofruar Milanit sulmuesin suedez për një sezon. Problem mbetet vetëm lëndimi i lojtarit, i cili nuk mund të luajë para muajit tetor.