Mziu: Qeveria nuk jep leje mjedisore dhe nuk financon landfillin për mbetjet

Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu prezantoi dje para mediave zgjidhjen e planifikuar nga institucioni i tij prej vitesh si dhe apeloi për bashkëpunim ndaj institucioneve qendrore për dhënien e lejes mjedisore në Valias si dhe ngritjen e një landfilli të ri.
Problematika e krijuar në venddepozitimin e mbetjeve në Kamëz ka bërë që kryebashkiaku Xhelal Mziu ta vlerësojë jo vetëm që nga dita e parë, por edhe të jetë absolutisht i angazhuar sikurse prej vitesh në 3 mandatet e drejtimit të tij për një qytet të pastër. Situata e krijuar në pikën e depozitimit të mbetjeve, si pasojë e rënies së zjarrit te vendi i quajtur Argjinatura, ka krijuar probleme në zhvendosjen e plehrave në qytet. Kjo nuk do të thotë që Bashkia Kamëz nuk ka qenë aspak e përgatitur për të pasur alternativa, si dhe për t’u bërë ballë situatave të tilla me të cilat do të ndeshej. E gjendur përballë fenomenit të krijuar javën e fundit, ardhur për shkak të zjarreve, një problem i cili me të drejtë ka bërë që banorët të cilët janë pranë këtij venddepozitimi të jenë të irrituar dhe protestojnë, Bashkia Kamëz ka punuar dhe po punon 24 orë për t’i dhënë zgjidhje problemit. Me gjithë strukturën e Bashkisë, por edhe me persona të tjerë, të cilët janë kontaktuar edhe privatisht, po punohet intensivisht për heqjen e këtyre mbetjeve për të mos krijuar problematika me qytetarët.
Mziu ka takuar edhe ambientalistin Sazan Guri, si dhe ka pranuar të takojë edhe një përfaqësi të banorëve, mjafton që ata të ishin banorë të Bashkisë Kamëz dhe të mos përdoreshin politikisht, pasi organizatori kryesor i protestës ishte përfaqësues i PS-së dhe me banim në Zall-Herr, njësi administrative e Tiranës. Në këtë komunikim me mediat, kryebashkiaku Xhelal Mziu dha argumentet e tij në funksion të zgjidhjes së situatës, duke qenë transparent me qytetarët.
“Duhet theksuar se pika e venddepozitimit të mbetjeve ku aktualisht ato hidhen është brenda normave teknike e ligjore, e miratuar, ku akt miratimi i rifreskuar i lejes së mjedisit të tipit C është bërë nga Agjencia Rajonale e Mjedisit më 12.8.2016, me nr. prot. 724 dhe nr. identifikimi të lejes 724 dhe e konfirmuar nga Ministria e Mjedisit më 26.10.2016 me nr. prot. 6976 nr. identifikimi 193. Pra, zona ku deri më tani hidheshin dhe hidhen mbetjet urbane të Bashkisë Kamëz, është brenda të gjitha normave, sepse kjo zonë nuk ishte e populluar deri në kohën në të cilën është bërë miratimi si venddepozitim i mbetjeve urbane të planifikuar për qytetarët e kësaj njësie administrative, duke qenë një pikë grumbullimi prej 20 vitesh. Menaxhimi i mbetjeve nuk është vetëm një shqetësim për Bashkinë Kamëz, por thuajse për 90% të bashkive të Shqipërisë, të cilat vazhdojnë që të kenë trajtimin e mbetjeve urbane në mënyrë gati primitive, pra që s’kanë një landfill”, tha Mziu.
E gjendur në këto kushte, Bashkia Kamëz, kryebashkiaku Xhelal Mziu jo vetëm në këto ditë, por edhe disa vite më parë ka kërkuar gjetjen e një zgjidhjeje për ndërtimin e një landfilli që të jetë bashkëkohor, por që të mos krijojë problematika edhe për qytetarët. Kjo kërkesë e Bashkisë Kamëz sigurisht që ka rënë në vesh të shurdhër. Kjo qeveri e ka diskriminuar politikisht Kamzën dhe banorët e saj. Në sirtarët e qeverisë flenë mbi 135 projekte që nuk janë financuar.
Bashkia Kamëz ka qenë gjithnjë në anën e qytetarëve dhe mbështet çdo pakënaqësi të tyre dhe jep mbështetjen për zgjidhjen e çdo problemi, por asnjë banor i Kamzës nuk duhet të përdoret politikisht. Përgjegjshmëria e Bashkisë Kamëz ndaj qytetarëve ka qenë dhe është maksimale, si në shërbimet e ofruara, ashtu edhe investimeve të kryera në infrastrukturë.