Sulmuesi i Lacios refuzon Partizanin

Përforcimi i repartit të sulmit mbetet një nga bastet e Luçiano Moxhit, i cili ka premtuar se nuk duhet të qahet nga largimi i Kaleb Ekubanit, pasi ai do të sigurojë lojtarë më të mirë se italo-ganezi. Një nga emrat e lakuar më shpesh gjatë kësaj periudhe për sulmin e Partizanit të sezonit të ri, është kolumbiani në pronësi të Lacios, Brajan Perea.
Sulmuesi nuk është në planet e lacialëve për sezonin e ri dhe për të liruar një vend ekstrakomunitari në ekip, ata kërkojnë që ta huazojnë ose shesin Perean. Ditë më parë, mediat italiane shkruanin se i vetmi klub që ka shfaqur një interesim konkret për të marrë shërbimet e futbollistit 24-vjeçar, është Partizani.
Kolumbiani shihet si zëvendësuesi ideal për vendin e lënë bosh pas largimit të Ekubanit. Por sipas raportimit të djeshëm të “Repubblica”, mësohet se ky transferim i kolumbianit te Partizani konsiderohet i pamundur për momentin. Shkak është bërë refuzimi i Brajan Pereas, i cili nuk dëshiron që karrierën ta vazhdojë në Shqipëri.
Lacio kërkon që ta sistemojë sa më shpejt kolumbianin, për të hapur një vend për afrimin e një ekstrakomunitari tjetër në ekip. Ishte menduar se prezenca e Luçiano Moxhit dhe trajnerit Mark Iuliano do të shërbente si një magnet për prurjet nga tregu italian, por sulmuesi kolumbian përbën përjashtim, pasi nuk e josh kalimi te Partizani.
Përpos refuzimit të Brajan Pereas, mësohet se nga tregu italian, drejtuesit e Partizanit kanë arritur akordin me disa futbollistë. Sulmuesi Milan Basrak thuhet se e ka gjetur akordin me “demat” që në kohën kur ekipi përgatitej për Ligën e Europës. Së fundmi, trajneri Iuliano erdhi në Shqipëri me Xhovani la Kameran, Andrea Selvaxhion dhe Romeo Shahinas.