Spalletti i mbyll derën United: Perisiç do të qëndrojë te Interi

Man.Utd duket se duhet të dorëzohet për blerjen e Ivan Perisiçit nga Interi. Pavarësisht interesimit të vazhdueshëm të Djajve të Kuq për futbollistin kroat, trajneri i zikaltërve Luciano Spalletti ka vendosur veton lidhur me shitjen e tij, duke theksuar se lojtari nuk do të largohet nga “San Siro” dhe duhet të mësohet me këtë fakt.
Napoli mendon për të gjetur zëvendësuesin e Pepe Reina dhe i përzgjedhuri për mediat italiane është pa diskutim Geronimo Rulli. Gjithsesi Real Sociedad që ka në pronësi futbollistin bëri të ditur nëpërmjet presidentit të klubit Jokin Aperribay, se nuk ka marrë asnjë ofertë zyrtare nga Napoli. Presidenti deklaroi se është vënë në dijeni nëpërmjet agjentit të portierit se Napoli interesohet për të, por askush nga klubi i De Laurentiis nuk i ka telefonuar.
Drejtori sportiv i Romës, Monchi ka thënë se kanë bërë ofertën e fundit për Riyad Mahrez dhe se janë duke menduar për opsione të tjera. Kjo do të jetë oferta e tretë e Romës për Mahrezin, teksa Leicester City ka refuzuar afër 40 milionë euro për 26-vjeçarin. “Nuk jemi duke punuar vetëm në një drejtim, për një lojtar. Mahrez është bërë publik, por ka edhe emra të tjerë që po monitorojmë”, tha Monchi.
“Kemi bërë dy oferta, e dyta ishte e drejtë. Mahrez është opsion, por jo i vetmi. Është e vërtetë se kjo mund të jetë oferta e fundit dhe jemi duke shikuar për opsione të tjera”, tha Monchi, duke bërë të ditur se kanë bërë ofertë të tretë për Mahrez.