Ballina Sport Sos durimi te Barça

Sos durimi te Barça

Sherr me Semedon në stërvitje, ndërkohë që në Francë e japin akordin me Paris Saint-Germain si punë të kryer, të gjitha indikacionet duket se e çojnë Neymar larg Barcelonës. Braziliani vazhdon të heshtë, madje nuk foli mbi spekulimet rreth transferimit të tij të bujshëm as pas një shfaqjeje të shkurtër që bëri në Miami në një event të sponsorit Nike, ndërkohë që te Barcelona në prag të ndeshjes me Realin e Madridit të vlefshme për Internatinal Champions Cup shokët e tij të skuadrës, dy lojtarë simbol si Iniesta dhe Suarez kërkuan që vetë braziliani të shprehet në lidhje me atë që konsiderohet si transferimi më i bujshëm i kësaj vere.
“Neymar duhet t’i bëjë gjërat të qarta sa më shpejt, për të mirën e tij dhe të skuadrës, deklaroi Andres Iniesta duke shtuar, për ne do të ishte diçka e shkëlqyer nëse do të qëndronte, është shumë i fortë dhe nëse do të jetë me ne do të na gëzojë shumë më tepër se 200 milionë euro, por zgjedhja është personale dhe gjëja më e mirë është që Neymar të shprehet”.
Në të njëjtën valë mendimi u shfaq edhe sulmuesi uruguaian, “El Pistolero” Suarez, që deklaroi: “Afeksioni ynë nuk i mungon dhe shpresojmë që të qëndrojë pasi është një ndër 3 futbollistët më të fortë në botë, por duhet të jemi të gatshëm t’i qëndrojmë pranë, si shokë, cilado qoftë zgjedhja e tij”.
I lodhur nga kjo situatë duket edhe presidenti Bartomeu, pasi në disa intervista gjatë këtyre javëve të fundit është shprehur se Neymar nuk do të largohet, tani e shfaq hapur pasigurinë e tij, duke i lëshuar një mesazh PSG edhe për çmimin. “Duam që Neymar të qëndrojë, por ekzistojnë klauzolat dhe nëse ai ka si synim të shkojë te PSG duhet të na paguajë deri në euron e fundit të 222 milionëve”, tha Bartomeu duke vijuar. Ende nuk kemi folur me të, por nëse largohet me paratë që do të marrim do të përforcojmë skuadrën”. Të gjitha deklarata që duket se paralajmërojnë largimin, sipas të gjitha gjasave, El Clasico i International Champions Cup, mund të jetë ndeshja e fundit e Neymar me fanellën e Barcelonës.
Situata e brazilianit Neymar te Barcelona tashmë ka dalë plotësisht jashtë kontrollit. E përditshmja britanike “Daily Mail” ka siguruar disa pamje të stërvitjeve të katalanasve në SHBA ku Neymar përfshihet në një zënkë me shokun e skuadrës, Semedo dhe pastaj braktis stërvitjen.
Braziliani ishte i pakënaqur pas një dueli me mbrojtësin dhe u kacafyt me të, i ndarë vetëm nga shokët e skuadrës. Më pas, i nervozuar ai hoqi jelekun stërvitor që mbante veshur, e hodhi atë në tokë dhe braktisi stërvitjen, ndërsa trajneri Valverde shihte i çuditur atë që ndodhte pasi braziliani as nuk denjoi t’i merrte leje për një gjë të tillë.
Kaosi vazhdon me udhëtimin që Neymar ka planifikuar për një aktivitet marketingu në Kinë, ndërsa pjesa tjetër e ekipit do të kthehet në Spanjë. Sipas mediave spanjolle, aziatikët janë shumë pranë anulimit të këtij aktiviteti, pasi janë të pakënaqur me faktin se për momentin, ajo që u intereson njerëzve rreth brazilianit janë vetëm zërat e merkatos që e shohin atë drejt kalimit te PSG.
Sipas të përditshmes sportive katalane “Mundo Deportivo”, Neymar tashmë ka vendosur që t’i bashkohet Paris Saint-Germain dhe nuk ka kthim prapa. “Mundo Deportivo” ka bërë të ditur se, Neymar iu ka treguar bashkëlojtarëve të ngushtë se do të transferohet në Paris Saint-Germain.

Exit mobile version