Një shpërthim i fuqishëm ndodhi mëngjesin e djeshëm në një restorant në plazhin e Velipojës. Burimet nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30 në kompleksin “Fishta” në Velipojë, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur rëndë 4 persona, dy prej të cilëve në rrezik për jetën. Turistët ishin në gjumë në momentin e shpërthimit dhe janë përfshirë nga paniku. Dëshmitarët tregojnë se ka patur shumë të lënduar nga flakët. Ata kanë ndërhyrë të parët për të ndihmuar personat që u goditën nga shpërthimi.
Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se, vala e shpërthimit flaku shumë metra tej pronarin e restorantit në plazhin e Velipojës. Sipas policisë, 55-vjeçari Besnik Zenuni dhe djali i tij, Hektor Zenuni, 23 vjeç ndodhen në gjendje të rëndë për jetën. Po ashtu edhe një kalimtar u godit shumë keq nga vala e shpërthimit. Dëshmitarët thanë se, flaka doli nga kuzhina, ndërsa në lokal ndodheshin shumë pak persona. Tre klientë sapo largoheshin nga lokali dhe fatmirësisht shpëtuan, ndërsa vala e flakës goditi një 19-vjeçare që ndodhej pranë.
Dëshmitarët thanë se, flaka u ngjit shumë lart, duke përfshirë të gjitha ballkonet dhe dritaret e pallatit 5 katësh. Shumë persona ndodheshin brenda dhe janë lënduar nga flaka, ndërsa vetëm pas mbërritjes së policisë, ata janë nxjerrë jashtë.
Pjesa më e madhe janë turistë nga Kosova, të cilët nga zjarri humbën edhe dokumentet personale. “Sapo kemi dalë jashtë ka nisur shpërthimi. Në shpërthimin e dytë janë lënduar edhe njerëzit jashtë”, u shpreh një turist nga Kosova. “Shpërthimi i parë u shoqërua edhe me dy tre shpërthime të tjera, ndërsa më pas shpërtheu një flakë e madhe”, tha një tjetër pushues.
Dëshmitarët thanë se, në fillim kishin dëgjuar një zhurmë si një fërshëllimë të fortë, e më pas ndodhi shpërthimi me flakë. Administratori i Velipojës, Altin Kaçi theksoi se, janë evakuuar të gjithë banorët e pallatit pranë kompleksit. Inspektorët teknikë që panë vendin e ngjarjes thanë se asnjë nga bombulat nuk ka shpërthyer, por ka patur një rrjedhje gazi nga cisterna një mijë litërshe në bodrumin e restorantit, e më pas masa e madhe e gazit e mbledhur brenda në lokal është ndezur nga ndonjë shkëndijë. Të lënduarit u dërguan në Spitalin e Shkodrës, ndërsa dy pronarët babë e bir janë transportuar me helikopter për në Tiranë ku ndodhen në gjendje kritike për jetën.
Në bodrum kishte çisternë 1 mijë litërshe me gaz
Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI), ka reaguar pas shpërthimit të bombulës së gazit në një lokal në Velipojë. Sipas ISHTI, ka pasur rrjedhje gazi, gjë që shkaktoi edhe shpërthimin e bombulës e më pas përhapjen e flakëve. “Ka pasur rrjedhje të një depozite gazi në bodrumin e lokalit. Në bodrumin e lokalit ka pasur një çisternë 1 mijë litërshe me gaz për përdorim në kuzhinë. Inspektorët u futën në ambientet e lokalit. Shpërthimi ndodhi nga rrjedhja e gazit të çisternës. Bombulat e gazit nuk kanë shpërthyer, ato janë në rregull”, thotë Inspektoriati Teknik.
Nga shpërthimi në lokal mbetën të asfiksuar 4 persona, mes të cilëve pronari i lokalit Besnik Zenuni. Ai është në gjendje të rëndë dhe është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërkohë, dhjetëra të tjerë kanë mbetur të lënduar dhe janë dërguar në Spitalin e Shkodrës.
Mjeku: Dy të plagosurit në gjendje kritike për jetën
Dy prej të plagosurve që ndodhen në QSUT në Tiranë janë në gjendje të rëndë për jetën. Këtë e konfirmon Shefi i Shërbimit të Djegie-Plastikës, Gjergji Belba, i cili duke folur për mediat theksoi se, pacientët kanë djegie të rënda në trup. “Deri tani në reanimacionin e spitalit tonë janë shtruar dy pacientë të djegur rëndë, me djegie pothuajse në të gjithë sipërfaqen trupore. Si pasojë e eksplozionit të asaj bombule gazi në restorantin e tyre, pacientët kanë pësuar djegie të rënda në trup dhe janë në gjendje kritike për jetën. Konsiderohet prognozë e rezervuar për jetën. Të plagosurit janë të vetëdijshëm, por nën efektin e qetësuesve. Jemi në momentet e para të vlerësimit të situatës, të ekzaminimeve laboratike, por njëkohësisht vazhdon edhe mjekimi intensiv për të dy pacientët”, tha mjeku Gjergji Belba.
Të plagosurit janë Besnik Zenuni 55 vjeç, pronari i lokalit ku ndodhi shpërthimi, dhe djali i tij Hektor Zenuni. Ata u transportuan me helikopter në Tiranë për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore. Nga shpërthimi i gazit në një lokal në Velipojë u lënduan edhe dhjetëra të tjerë, të cilët marrin mjekim në Spitalin e Shkodrës.
R.POLISI