Shkëndija “humbet” Vujçiç

Shkëndija humbet një lojtar të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit të raundit të 3-të të Europa League ndaj Trakait. Klubi tetovar nuk do të ketë shërbimet e Stefan Vujçiçit dhe për ndeshjen e kësaj të enjteje, pasi lojtari është konfirmuar se ka këputur ligamentin e përparmë të këmbës së djathtë dhe do të qëndrojë jashtë fushave të lojës për një periudhë të gjatë.
Mesfushori gjerman nuk luajti as në ndeshjen e vajtjes me Trakain, si pasojë e një dëmtimi që mori në sfidën e kthimit me HJK Helsinki në turin e dytë kualifikues të Europa League dhe pasi iu nënshtrua kontrolleve të detajuara u konfirmua këputja e ligamentit. Sipas klubit tetovar lojtari do të qëndrojë jashtë fushave të lojës për një periudhë të gjatë dhe shumë shpejt pritet t’i nënshtrohet dhe një ndërhyrje kirurgjikale. 31-vjeçari është pjesë e Shkëndijës që prej vitit 2016 duke qenë një element i rëndësishëm për kuqezinjtë.