Shehi: “Skënderbeu do ecë përpara”

Pavarësisht humbjes së pasur me rezultatin 2-1 ndaj Mlade Boleslav në fushën e kësaj të fundit, Orges Shehi shpreson te kalimi i Skënderbeut në turin e tretë. “Pavarësisht humbjes, skuadra jonë ka potenciale për ta përmbysur rezultatin e ndeshjes. Një gjë të tillë e bazoj te forca që ka skuadra”, shprehet një nga futbollistët më cilësorë jo vetëm të skuadrës korçare dhe i skuadrës kombëtare, Orges Shehi.
-Përshëndetje Orges, nga shtypi i ditës jemi informuar se pas ndeshjeve të kupës Europa League, do të tërhiqeni nga futbolli i luajtur….
Sigurisht që po. Çdo fillim e ka dhe një fund. Unë gjatë karrierës time sportive kam fituar shumë jo vetëm tituj kampionë, kupe apo superkupe, por dhe kam ndjerë kënaqësinë pasi kudo ku kam luajtur jam respektuar.
– Cili do të jetë Orges Shehi pas tërheqjes nga futbolli …?
Unë kam investuar shumë në sport dhe në të ardhmen do të jem pjesë e tij. Dhe pas lënies së futbollit do të jem pjesë e klubit Skënderbeu. Me këtë skuadër kam fituar shumë tituj kampionë dhe e ndjej detyrim moral që të jem pjesë e saj dhe në të ardhmen.
– Si ka qenë sipas jush Skënderbeu i sezonit që sapo përfundoi?
Duhet pranuar se ka qenë një sezon i shoqëruar me oshilacione. Duke qenë se vinim pas gjashtë titujsh kampion, natyrshëm pritshmëria ka qenë më e madhe. Oshilacionet erdhën pasi skuadra ndërroi tre trajnerë dhe kjo nuk është pak. Trajneri Agostineli nuk iu përshtat sa duhet skuadrës. Në fazën e fundit skuadra zhvilloi ndeshje të mira, duke qenë rival për titullin kampion deri në javën e fundit.
– Të enjten keni zhvilluar ndeshjen e parë për turin e tretë të Europa League ndaj Mllade Boleslav, a mendoni se ky ishte rezultati real i ndeshjes?
Absolutisht që jo. Duhet pranuar se skuadra nuk u shpreh sa duhet në fushën e lojës dhe kjo më tepër në pjesë e parë të ndeshjes. E thënë shkurt, skuadra në ndeshjen ndaj çekëve, paraqiti dy tablo loje: Një të parë me pak lëvizshmëri në fushën e lojës dhe një të dytë mjaft të mirë me një qarkullim të kënaqshëm të topit. Nuk mendoj se është defekt, por thjesht nuk po hynim në ritmin e lojës sonë.
– Duke qenë se tashmë keni krijuar një ide rreth kundërshtarit, jeni optimist se do t’i kaloni çekët e Mlade Boleslavit…?
Absolutisht se po. Jam optimist se skuadra do të hyjë në ndeshjen e dytë shumë më ndryshe nga ndeshja e parë. Jo vetëm që do të jemi më të motivuar, por do të kemi dhe përkrahjen e sportdashësve tanë të mrekullueshëm dhe kjo nuk është pak për një skuadër që kërkon suksesin.
– Me kontigjentin që ka skuadra mendoni se do i arrini ndeshjet në grupe të Europa League?
Në futboll ka një thënie se, ndeshjet duhet të merren një e nga një. Me këtë dua të them që në radhë të parë duhet të kalojmë ndeshjen e radhës që e kemi ndaj Mlade Boleslav. Dihet se nga turi në tur ndeshjet sa vijnë e vërshtirësohen, por kontigjenti që ka skuadra ka eksperiencën e duhur për të përballuar me sukses çdo kundërshtar.
– A mendoni se skuadra juaj në kampionatin e ri do të jetë me profilin e kampionit?
Klubi ynë objektivat i ndërton me filozofinë e fitimin e trofeve. Si me mua ashtu dhe pa mua, skuadra do të hyjë në garë për të fituar trofetë. Ky është objektivi kryesor i skuadrës në çdo sezon futbollistik.
– Një vlerësim për skuadrat shqiptare në kupat e Europës ….
Për Kukësin më erdhi shumë keq. Pavarësisht se u eliminua skuadra kuksiane zhvilloi ndeshje të kënaqshme. Kjo është çështje fati. Ju faleminderit.
Bisedoi:
Nderim Goci