Roberto Baggio Forever

Jo për të vënë në dyshim siguritë e pakta të fituara, por nostalgjia është më shumë e habitshme sesa e poshtër. E përfunduar (shpresohet) epoka e brengës për vitet në të cilat futbolli qenë pjesët e dyta në radio dhe sinteza e një ndeshjeje të dielën në mbrëmje, ka nisur një tjetër: ajo në të cilën futbolli i sotëm preferon atë të viteve ‘90. Por është edhe e vërtetë se ndonjë arsye për të ëndërruar kohët e bukura ekziston: për shembull, fakti që vitet ‘90 qenë dekada në të cilën është parë talenti më i madh puro i futbollit italian. Dhe shumë i vlerësuar edhe jashtë kufijve, por të gjykosh nga sa njerëz janë paraqitur në Londër për të parë nga afër Roberto Baggio-n, të cilin Diadora e ka dashur jo edhe aq si testimonial sesa pikërisht si origjinë parësore të rikthimit të tij me stil të madh në futboll: dy modele këpucësh, një bluze dhe tutat e Italisë të frymëzuara nga ai Botëror i 1994, njëherazi epik dhe fatkeq. Për të cilin edhe ai, ndoshta pse ndërkohë ka mbushur të 50-at, ka një nostalgji të tmerrshme, edhe pse kontradiktore.

– Roberto Baggio, kanë kaluar disa muaj nga ditëlindja juaj nr. 50, ishit më shumë i përgatitur të linit futbollin apo të mbushnit 50 vjeç?
Isha më shumë i përgatitur që të lija futbollin: nuk po i duroja dot më dhembjet.

– Po me 50-shen si shkoi?
Është rrëmujë komplet. Vijnë dhe nuk i kupton fare.

– Keni thënë gjithmonë se nuk keni ruajtur copëra të prera gazetash, maksimumi e bënte nganjëherë bashkëshortja juaj Andreina. Jeni penduar tani?
Jo. Është se gjithçka ka kaluar me shpejtësi. Këto 15 vitet e fundit kanë fluturuar. Nga njëra anë jam i lumtur, pasi nuk kam brenga. Ama koha ka nisur të fluturojë me shpejtësi.

– Cila është dita – tip e Roberto Baggio-s?
Vështirë që ditët e mia të jenë bosh. Kur luaja, stërvitjet qenë të përqendruara në 2 orë, pastaj dita ishte e lirë. Tani jam më shumë i impenjuar. Është projekti për të cilin po punoj. Kam më pak kohë të mendoj.

– Çfarë projekti?
Kur të jetë plotësisht gati, do të ta them.

– Ndërkohë, keni parë ndokund ndonjë Roberto Baggio të ri apo që në njëfarë mënyre mund të konsiderohet si trashëgimtari juaj?
Trashëgimtarin tim nuk e di. Shikoj shumë futboll latinoamerikan dhe si tifoz i Boca Juniors më pëlqen shumë Centurion. Por duhet të përmirësohet jashtë fushe.

– Në autobiografinë tuaj “Una porta nel cielo” (2001), ju flisni shpesh për këmbënguljen dhe dellin tuaj prej luftaraku. Megjithatë, shtoni, nuk jam konsideruar kurrë lider, ndoshta pse “nuk më ndihmon fytyra”.
Kur luaja unë, kishte futbollistë që nuk dinin ta ndalonin topin as me dorë, e megjithatë i sulmonin të gjithë dhe kështu që konsideroheshin gladiatorë. Sigurisht që nuk kam qenë kurrë njeri që nuk kam kritikuar asnjë shok, pasi gjithmonë kam menduar se nëse gabonte, e njëjta gjë mund të më ndodhte mua.

– Kur luanit akoma, thatë se më të mirët e të gjitha kohërave kanë qenë Pele dhe Maradona. Jeni gjithmonë i bindur për këtë?
Në vitet e tyre nuk ekzistonin rregullat e sotme. Sot sulmuesit janë shumë më të mbrojtur. Dikur ishte si gjueti ndaj njeriut.

– Sot Baggio do të merrte më pak shkelma?
Besoj se do të kisha arritur të luaja disa vite më shumë dhe jo vetëm unë. Në kohën time, në fillim prisje të vinin takat dhe vetëm më pas mendoje sesi ta ndaloje topin. Kurse sot nganjëherë rrezikohet e kuqja qysh në faullin e parë. Dikur haje shkelmin dhe nuk e dije as kush ta kishte gjuajtur.

– Ju keni nisur të luani në një lloj të caktuar futbolli. Pastaj ka ardhur revolucioni i Sacchi-t dhe ka ndryshuar gjithçka. Në mënyrën e të luajturit dhe në atë të stërvitjes.
Nuk ka qenë e lehtë. Vinim nga një futboll në të cilin secili duhej të shpikte. Nuk kishe kulturën e sotme futbollistike. Atë që dije e dije nga rruga dhe nuk ta kishte mësuar askush.

– E ndjenit në njëfarë mënyre talentin tuaj si të futur në kafaz?
Më shumë se çdo gjë tjetër bëri rrugë antifutbolli dhe ato që luanin si unë mezi gjenin vend në formacion. Gianfranco Zola-s iu desh të shkojë deri në Angli që të gjente vend në formacion….

– Jo vetëm ai. Qenë vitet e dogmës së 4-4-2, kur Carlo Ancelotti nuk iu deshi tek Parma sepse nuk dinte ku t’ju vendoste…
Gjëja e rëndësishme është se ka bërë pendim publik….

– Dhe tani, me modulet më fleksibël, ku do të luante Roberto Baggio? Prapa një pyke kryesore në 4-2-3-1? Prapa dy sulmuesve në një 4-3-1-2? Apo do të bënit pykën e dytë?
Pykë e dytë në një 4-3-1-2, patjetër. Përkrah një qendërsulmuesi të vërtetë.

– Jemi gjithmonë aty, Platini që ju quajti një 9.5…
Përkufizim i përkyer. Ishte realiteti.

– Si do të gjendej një 9.5 në Barcelonën e mikut tuaj Pep Guardiola?
Kush nuk do të ishte gjendur mirë?.

– Kur luanit bashkë, në Brescia e Carlo Mazzone-s, do të thoshit se Pep do të bëhej trajneri më i mirë i epokës së tij dhe një ndër më të mirët e të gjitha kohërave?
Mesfushorët janë futbollistët që i njohin më mirë dy fazat e lojës. Kështu që janë më të prirurit për të bërë trajnerin. Për më tepër, Pep ishte tashmë mesfushor taktik kur luante dhe vinte nga një shkollë trajnerësh të mëdhenj, inteligjenca e tij ka përfituar prej tyre.

– Meqë jemi tek kampionët: kush është mbrojtësi më i vështirë kundër të cilit keni luajtur?
Paolo Maldini. Kur e kishe përballë e dije se nuk e kaloje dot. Ishte i fortë. Bile ishte i fortë me kokë, me të djathtën, me të majtën… Duhej të bëje bashkë 15 lojtarë që të nxirrje një si ai.

– Po lojtari me të cilin shkëmbeje më me kënaqësi bluzën?
Marco Van Basten. Dhe do të më pëlqente edhe të kishim luajtur së bashku.

– Fiorentina ka lënë të largohet Borja Valero, një tjetër lojtar i talentuar që kishte adoptuar dhe me të cilin dukej se do të kishte dashuri të përjetshme. Pse është kaq e vështirë të lihet Firenze?
Ndaj Firenze-s unë kisha dhe do të kem gjithmonë një ndjenjë të madhe mirënjohjeje prej 2 viteve inaktivitet prej gjurit të dëmtuar. Nuk kisha luajtur kurrë dhe njerëzit më qëndronin afër, më demonstronin afeksionin e tyre, më stimulonin që të mos dorëzohesha, më thoshin se do të më prisnin. Janë gjëra që unë nuk i harroj. Besoj se Borja Valero t’i ketë ndodhur diçka e ngjashme.

– Në ato dy vite inaktivitet, ju dilnit shumë pak për të mos bërë të besohej se po bënit jetë të bukur si i dëmtuar. Përjashtimi i vetëm: vajtjet në një dyqan disqesh. Çfarë blinit aty?
Mesa mbaj mend unë, Eagles. Në atë kohë i adhuroja.

– Kur kaluat nga Fiorentina tek Juve, u bëtë “Zotëri 25 miliardëshi”, çmimi i kartonit tuaj në lireta. Domethënë 12.5 milionë euro, sot çmimi i një mbrojtësi me këmbë as jo shumë të mirë. Sa do të vlente Roberto Baggio në këtë tregun e sotëm?
Nuk e kam idenë. (Zë nga sfondi, i menaxherit dhe mikut historik të tij Vittorio Petrone: “150 milionë dollarë”…).

– Për ju kanë thënë se keni qenë lojtari i fundit i madh italian, në kuptimin që keni bashkuar një popull. Ai që kudo që shkonit, ju duartrokiste. Ose nuk ju fishkëllente. Sipas jush, pse ndodhte një gjë e tillë?
Më vjen shumë mirë. Besoj sepse, me vetëdije apo jo, kam kërkuar gjithmonë që t’i kënaq njerëzit. Që ndoshta e kanë ndjerë një gjë të tillë.

– E çfarë ishte që i argëtonte njerëzit?
Mënyra ime e thjeshtë e të luajturit.

– Ndoshta e thjeshtë për ju.
Atëherë edhe thjeshtësia e mënyrës së të qenit, e sjelljes. Nuk jam ndjerë asnjëherë ndryshe nga gjithë ata që vinin të më shikonin: ndoshta ajo ka qenë forca ime.

– Ndoshta përtej pastërtisë së gjestit teknik?
Po, ndoshta nganjëherë po.

– Në autobiografinë tuaj ju rrëfeni se shpesh keni ëndërruar penalltinë e Pasadena, finalen e Botërorit USA ‘94 kundër Brazilit. Dhe në ëndrrën tuaj topi përfundonte në rrjetë. Ju ndodh akoma?
Më ndodh që ta risjell në mendje.

– Dhe shtonit se herët a vonë do ta kishit gjetur kuptimin e atij gabimi. Kanë kaluar 23 vite: e keni gjetur atë kuptim?
Jo, akoma jo.

– Por, në largësinë e viteve, risjellja në mendje të bën të ndjehesh më pak keq?
Jo, është i njëjti hidhërim i 1994. Nuk është pakësuar. Mendoj se nuk do të më kalojë kurrë.

– Megjithatë tani jeni këtu, me tutat, shajet dhe bluzën që të sjellin ndërmend atë Botëror…
Po, sepse do të më pëlqente të kthehesha prapa, në ato vite. Rikuperimi i tyre është i pëlqyeshëm, janë kujtime intime, të thella dhe shumë të bukura. Përjashto finalen.

– Po pse, megjithëkëtë finale, mbetet një kujtim i bukur?
Sepse rrugëtimi qe i mbushur plot me domethënie: prej lodhjes, vështirësive dhe prej karakterit e vendosmërisë me të cilën kemi dalë. Nuk do ta kisha menduar kurrë se një ditë njerëzit do të donin të vishnin atë që vishnim ne atëherë. Do të thotë se ndoshta ke lënë diçka të bukur e të thellë. Edhe pse….

– Edhe pse?
Edhe pse është Botërori i 1990 ai në të cilin ndjeja se mund të bëja çdo gjë.

(Tommaso Pellizzari për “Corriere della Sera”)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA