Dhunohet në spital kirurgu në Shkodër

Mjeku Besmir Grizhja ka rënë dje pre e dhunës në Spitalin e Shkodrës, ku është goditur me grushta nga bashkëshorti i një pacienteje. 45-vjeçari me iniciale A.K., ka pretenduar se mjeku  Grizhja nuk i ka shërbyer siç duhet gruas së tij, por kishte vendosur ta dërgonte drejt QSUT-së.
Por, pak muaj më parë, i njëjti mjek ka kryer një prej operacioneve të rralla në botë.
Kirurgët Besmir Grizhja, Lulëzim Lekaj, Luan Bajri, me mbështetjen e gjithë stafit të kolegëve, raportohet se realizuan në muajin shkurt të këtij viti, një intervent kirurgjikal vaskular (bypass femoro popliteal me graft PTFE 5mm) për një sëmundje shumë të rrallë. Nga viti 1964 deri në 2008, në botë janë regjistruar 168 raste në total.
Pacientja kishte Arterie ischiadike persistente aneurizmatike të trombozuar, me ishemi të këmbës (në rrezik amputacioni). Falë këtij interventi, pacientes iu shpëtua këmba. Kirurgët u shprehën pas këtij operacioni se “ndihemi krenar për këtë intervent të suksesshëm, për institucionin ku shërbejmë si dhe për profesionalizmin e mjekëve kirurgë e anestezistë”.