Ballist Morina, i burgosuri politik Nr.1 në Ballkan

Nga Sali BERISHA

Ballist Morina, ylli i tifozerisë shqiptare dhe botërore tashmë i burgosuri politik numër 1 i Ballkanit!
Ai është viktimë e takimit kokë më kokë Rama-Vuçiç!
Të dashur miq, këto ditë, një gjykatë kroate, me absurditet absolut ka vendosur të ekstradojë pa asnjë shkak ligjor në Beograd simbolin e tifozëve kuq e zi, por dhe njeriun simbol të tifozëve paqësor në botë; Ballist Morinën.
Ky është sot i riu më i persekutuar, më i ndjekur në Ballkanin e mbushur me kriminelët më të rrezikshëm të të gjitha llojeve dhe që qarkullojnë të lirë edhe në zyrat kryesore shtetërore. Ndërkohë që krimi i tij i vetëm, ishte lëshimi i një droni me banderolën e një harte sui generis dhe portretet e Ismail bej Vlorës dhe Isa Buletinit mbi stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes midis kombëtareve të Shqipërisë dhe Serbisë.
Me këtë akt historik, i riu Ballist Morina i bëri një shërbim të madh paqes. Ai i tregoi mbarë botës se cilat janë përmasat e vërteta të primitivizmit të nacionalizmit serb, ndaj dhe ai u bë pa mëdyshje star i tifozerisë botëtore.
Ballist Morina ishte çështje e parë e takimit kokë meëkokë Rama-Vuçiç, në të cilin Vuçiç i kërkoi Ramës arrestimin dhe ekstradimin e tij në Beograd si hellin e nacionalistëve të Beogradit dhe si shpërblim për këtë hoqi Olsi Ramën nga rrethi i kuq që Beogradi e kishte vendosur pas kësaj ndeshje. Pas këtij takimi fillon kalvari i ndjekjes së egër e Ballist Morinës.
Edi Rama, siç i kishte premtuar Vuçiçit, do arrestohej në Tiranë para zhvillimit të ndeshjes së kthimit Shqipëri – Serbi në Elbasan, sikur të ishte ndonjë terrorist.
Arrestimi i tij pa asnjë shkak real u bë me qëllim ekstradimin e tij në Beograd, por, reagimi i fortë i publikut dhe simpatia e madhe në tifozerinë botërore e tij, detyruan Ramën të heqë dorë nga ky akt antinjerëzor dhe antikombëtar.
Por natyrisht kalvari i Morinës vazhdonte. Atë e ndiqnin në emër të serbomadhisë tre shtete të Ballkanit; Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia. Më në fund, me kombinime të turpshme të fshehta dhe ndërhyrje të dënueshme, Edi Rama arriti që, me vendimin absurd të një gjykate të një vendi mik, të hedhë në gojën e ultranacionalistëve serb, siç kishte premtuar Vuçiçit, të riun Ballist Morina, duke e shndërruar kështu yllin e tifozërisë botërore në të burgosurin politik numër një të Ballkanit!
Duke dënuar me forcë të gjitha kurthet dhe inskenimet politike ndaj të riut Morina, u bëj thirrje autoriteteve kroate të rishqyrtojnë këtë vendim të padrejtë. Ju bëj të gjithë organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si dhe institucioneve ndërkombëtare si OSBE, Këshillit të Europës, Parlamentit Europian, të bëjnë gjithçka që i burgosuri politik Ismail Morina të lirohet menjëherë!