Uji, Veliaj do t’u zhvasë pensionistëve 96 mijë lekë

Me hyrjen në fuqi të tarifave të reja për qytetarët, një familje me të ardhura të pakta, fatura e ujit i rritet deri në 70%. Kjo sepse Veliaj ka menduar të rrisë dhe taksën e infrastrukturës në arsim, por edhe atë të abonimit. Në rast se për këto taksa deri më tani paguanim në faturën e ujit 100 lekë në muaj, tani e tutje do të paguajmë 200 lekë për çdo taksë. Kësaj i shtohet dhe taksa e banesës dhe ajo e pastrimit, e cila pa llogaritur konsumin e ujit shkon në 1000 lekë të reja çdo muaj. Pra, në rast se sot një familje e cila harxhon 10 metra kub në muaj, paguan 1632 lekë ku 450 lekë është konsumi i ujit, 110 lekë është heqja e ujërave të ndotura, 272 lekë TVSH dhe pjesa tjetër prej 800 lekë janë taksa, pas hyrjes në fuqi të tarifave të reja do të paguajë 2432 lekë. Pra, një rritje me gati 800 lekë çdo muaj, ose më shumë se 9600 lekë lekë në vit. Një familjë tjetër, që ka dhe fëmijë të vegjël dhe që sot paguan 2500 lekë në muaj faturë uji (dhe kjo është pjesa më e madhe e popullsisë) pas hyrjes në fuqi të tarifave të reja do të paguajë deri në 3965 lekë vetëm faturë uji në muaj. Kjo sepse vetëm rritja e taksës për ujin kësaj familjeje së bashku me taksën në infrastrukturë, 45% e tarifës, taksën e banesës dhe 20% e TVSH mund t’i shkojë deri në 1465 lekë. Pra, një rritje me më shumë se 54% të asaj çka paguan tashmë.

Biznesi

Akoma më e zymtë duket situata me bizneset, sidomos me ato të shërbimit bar kafe. Sot, një biznes i tillë, paguan mesatarisht 10 mijë lekë në muaj, nga ku 1400 lekë janë taksa, që kanë të bëjnë me pastrimin dhe infrastrukturën arsimore dhe 20% TVSH. Pjesa tjetër mbetet ujë i konsumuar. Për këto biznese Veliaj e ka rritur taksën deri në 74%,  e cila e përllogaritur i bie jo pak, por rreth 6 mijë lekë më shumë në muaj. Pra, ato biznese të cilat deri më tani kanë paguar rreth 10 mijë lekë nga hyrja në fuqi e tarifave të reja, do të paguajnë rreth 16 mijë lekë çdo muaj, duke përfshirë dhe TVSH, ose një rritje të kostos prej 72 mijë lekë në vit për çdo biznes. Kjo është minimalja që do i duhet të paguajë një biznesi të vogël, bar kafe, pasi të gjithë e dinë që shifra në fjalë është minimumi i faturës që ata paguajnë çdo muaj. Kjo faturë është në përpjestim progresiv, në varësi të punës që ka biznesi. Pra, ajo rritje që Erion Veliaj e konsideroi të papërfillshme, reflekton më së paku 60 deri 80 për qind rritje në faturën fundore.

Efekti zinxhir

Por kjo rritje e menjëhershme jo vetëm e tarifës së ujit, por edhe të taksave pritet të japë efektin e saj dhe në rritjen e çmimeve. Kjo sepse nga kjo rritje do të preken të gjithë sektorët e ekonomisë, buka, shërbimet dhe prodhimi i pijeve që janë dhe konsumatorët e mëdhenj të ujit. Një rritje me 74% e çmimit të këtij produkti, do të thotë së paku rritje të çmimeve me 5-8 për qind, të cilat sërish do të rëndojnë në xhepat e qytetarëve të Tiranës. Pra, rritja shkon zinxhir, dhe nuk bëhet fjalë vetëm për atë 20 lekësh që thotë ai që duhet të drejtojë Bashkinë, çdo vit do i rëndojë qytetarëve të këtij qyteti, ose e thënë ndryshe çdo qytetar i Bashkisë së Tiranës, do të duhet t’i paguajë Erion Veliajt një shumë prej 35 eurosh në vit. E thënë ndryshe, një familje me katër anëtarë duhet të paguajë shtesë për Bashkinë e Tiranës rreth 140 euro, apo 18 mijë lekë më shumë se aktualisht Erionit që të kapardiset para kamerave. Është një vjedhje që bëhet në mes të ditës dhe që nuk mund të justifikohet me asgjë përveç se me makutërinë e atyre që drejtojnë këtë qytet.

Kalkulimet qesharake të Bashkisë

Bashkia ka bërë edhe analizën qesharake të saj për të justifikuar rritjen e tarifave. Element i rëndësishëm i kësaj analize është studimi i statistikave mbi popullsinë. “Bazuar në të dhënat e INSTAT dhe regjistrit civil në ish-NJQV (Bashkia Tiranë), popullsia totale është 832,302 brenda kufijve administrativë të Bashkisë. Mbulimi është 85% (Tirana e madhe) ose 707.800 banorë dhe objektivi është arritja e mbulimit mesatar prej 95.3% UKT”, thuhet në relacion. Analiza e kërkesës për ujë ka parashikuar ndryshimin në nivelin e prodhimit të ujit deri në vitin 2021. “Prodhimi aktual është 106 milionë/m3 dhe deri në vitin 2021 parashikohet të shkojë në 62 milionë/m3 që ndryshe përkthehet ulje prej 42%. Ky reduktim vjen si rezultat i zbatimit të aksioneve për uljen e nivelit të ujit pa të ardhura, si dhe një menaxhimi më efikas të kërkesës për ujë nëpërmjet zbatimit të një programi tërësor të matjes nga burimi tek konsumatori”. Bashkia argumenton se shoqëria është e angazhuar për të bërë investimet e nevojshme për rritjen e përqindjes së lidhjeve me ujëmatës në pesë vitet e Planit të Biznesit, në mënyrë që të rrisë lidhjet në ujëmatësa, në zonën e re të shërbimit të UK Tiranës, nga 75% më 2016 në 97% për konsumatorët familjarë në fund të vitit 2021 dhe në 100% lidhje me ujëmatës për entet private dhe institucionet buxhetore deri në fund të vitit 2018″.

Pas rritjes së energjisë, uji dhurata tjetër e Ramës

Kjo është dhurata e dytë që Rama u bën qytetarëve dhe bizneseve të këtij qyteti. Në fillim të vitit të shkuar u rriti energjinë. Sot të gjithë, familjarë dhe biznese e shohin që paguajnë më shumë. Mesatarisht një familje me dy pensionistë paguan minimumi 4 mijë lekë në muaj energji, ndërkohë që duhet të paguante rreth 1000 lekë më pak, me fashën e energjisë. Së bashku me faturën e rritur të ujit, kjo shumë shkon së paku në 65 lekë në muaj verës, ndërsa në dimër ka hesape të tjera. Pra 50% e shumës së një pensioni minimal shkon për të paguar faturat e shtetit, ndërsa duhet të jetojë me pjesën tjetër, prej 7500 lekë në muaj. Akoma më e zymtë bëhet kjo situatë për biznesin e vogël, që tashmë veç dyfishimit të çmimit të energjisë duhet të përballojë dhe dyfishimin e çmimit të ujit. Sot një biznes, bar kafe e thjeshtë paguan mesatarisht nga 30-50 mijë lekë në muaj energji elektrike, imagjinoni kësaj t’i shtohen dhe dyfishimi i faturës së ujit, apo dhe taksat e tjera që Veliaj ia ngarkon kohë pas kohe. Ta shtosh me 6 deri në 10 mijë lekë faturën e ujit për një biznes, duhet të llogarisësh që i ke hequr të paktën 80 për qind të rrogës së një punonjësi aty. Barra që synon Veliaj do të thotë edhe më pak vende pune.

ERU: Fatura e ujit nuk duhet të kalojë 5% të të ardhurave

Ka një parim të përbotshëm që karakterizon metodologjitë e miratimit të tarifave të ujit, ku familjet me të ardhura të ulëta duhet të jenë në gjendje të plotësojnë nevojat bazë të konsumit, duke shpenzuar jo më shumë se 5% të të ardhurave të tyre për shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizime. Ky parim bëhet i ditur nga Enti Rregullator i Ujit (ERU), i cili shpjegon se ky kufi vlen edhe për ndërmarrjet shqiptare të ujit, qoftë ato në pronësi publike apo private. ERU thotë se tarifa, që familjet me të ardhura të ulëta duhet të paguajnë, nuk duhet të jetë më shumë se 5 për qind e të ardhurave mujore, por në Tiranë tarifat aktuale të ujit jo vetëm që kapërcejnë këtë kufi po janë disa herë më të larta. Tarifa aforfe e ujit në Tiranë për personat që nuk kanë matës në zonën e Komunës së Parisit është 2340 lekë. Kjo vlerë është sa 15 për qind e pensionit mesatar në Tiranë. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pensioni mesatar në zonat urbane në vitin 2016 ishte 14,873 lekë. Për rrjedhojë tarifa e faturës aforfe e ujit që duhet të paguajë një pensionist, që jeton vetëm, është sa 15 për qind të ardhurave mujore, ku parimi që udhëheq vendosjen e tarifave të ujit kërkon që të jetë më pak se 5%. Gjithashtu, fatura aforfe e ujit zë 28 për qind të të ardhurave te një familje që jeton me ndihmë ekonomike, e cila aktualisht në nivelin maksimal të saj është 8000 lekë në muaj. Përllogaritjet tregojnë se fatura e ujit edhe me çmimet aktuale është më e lartë se aftësitë paguese të familjeve me të ardhura të ulëta. Sipas relacionit, për familjarët propozohet një rritje çmimi me 44%, nga 45 lekë/m3 në 65 lekë/m3. Për bizneset, rritja e propozuar është po 44%, nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3. Sipas relacionit të Bashkisë, shoqëria është e angazhuar për të bërë investimet e nevojshme për rritjen e përqindjes së lidhjeve me ujëmatës në pesë vitet e planit të biznesit, në mënyrë që të rrisë lidhjet në ujëmatësa, në zonën e re të shërbimit të UK Tiranës, nga 75% më 2016, në 97% për konsumatorët familjarë në fund të vitit 2021 dhe në 100% lidhje me ujëmatës për entet private dhe institucionet buxhetore deri në fund të vitit 2018″. Rritja e çmimit propozohet në një kohë që Ujësjellës-Kanalizime Tiranë rezulton një nga kompanitë më fitimprurëse dhe rentabël në Shqipëri, nga njëra anë dhe nga ana tjetër ka hapësira për të rritur të ardhurat përmes rikuperimit të detyrimeve të prapambetura. Fitimi i kompanisë, para taksave, ishte 675 milionë lekë apo gati 5 milionë euro, me një rritje prej 8% në raport me fitimin e vitit 2015.