Skandal, Enti i Ujit falsifikon dokumentet për rritjen e çmimit

Kërkesa e Ujësjellës-Kanalizime Tiranë për rritjen e çmimit të ujit për banorët e kryeqytetit mbart shkelje të procedurave dhe afateve kohore të përcaktuara në rregulloret e Entit Rregullator të Ujit, megjithatë, kryetari i Entit, Ndriçim Shani tha për “BIRN” se ai vetë qe i vendosur të shqyrtonte kërkesën pavarësisht shkeljeve, duke i konsideruar afatet dhe procedurat e shkelura si probleme jo të rëndësishme.
“Rëndësi ka që të jenë të gjitha dokumentet dhe letrat kur të shqyrtohet dosja”, tha Shani kur u pyet nga “BIRN” se, pse ka pranuar aplikimin e UKT në mungesë të dokumenteve, të cilat një rregullore e vetë ERRU i konsideron si të domosdoshme dhe që e bëjnë aplikimin të pavlefshëm. “Këto nuk kanë rëndësi nga ana esenciale”, tha Shani. “Ne toleranca të tilla i kemi bërë gjithmonë”, shtoi ai.
Enti Rregullator i Ujit bëri një deklaratë të papritur ditën e enjte në lidhje me kërkesën e kompanisë Ujësjellës-Kanalizime Sh.A për rritjen dramatike të çmimit të ujit për konsumatorët e Tiranës. Në deklaratë, ERRU shkruan se kërkesa e UKT është dorëzuar pranë këtij institucioni më 30 qershor 2017.
Dorëzimi i kërkesës më 30 qershor ka rëndësi të veçantë për shkak se sipas Metodologjisë së Miratimit të Tarifave të këtij institucioni, kërkesa duhet brenda qershorit që të jetë e vlefshme, ndërkohë që kërkesa e UKT për rritje çmimi u bë publike vetëm javën e kaluar. Por dorëzimi i kërkesës nga pikëpamja formale më 30 qershor, pra brenda afatit ligjor, duket se nuk mjafton, pasi kjo kërkesë duhet të shoqërohet me dokumentacion të plotë, i cili më 30 qershor mungonte.
“BIRN” zbuloi se dorëzimi i kërkesës më 30 qershor duket se bie ndesh me rregulloren tjetër të ERRU, konkretisht vendimin nr. 40, datë 9.12.2015, “Për miratimin e dokumentacionit mbështetës për miratimin e tarifave të shërbimit…”, në të cilin sanksionohet se kërkesa e operatorit për ndryshimin e çmimeve, përveçse duhet të dorëzohet “brenda gjashtëmujorit të parë”, duhet të mbartë para dorëzimit një listë me dokumente, të cilat, aplikimit aktual duket se i mungojnë.
Në pikën 2 të këtij vendimi, sanksionohet që aplikimi për tarifat duhet të ketë si dokumente shoqëruese mes të tjerash edhe “mendimin e pronarit për nivelin e ri të tarifave të kërkuara”, si dhe “Procesverbalin e seancave dëgjimore me publikun”. Të dyja këto dokumente vështirë se mund të kenë qenë në datën 30 qershor, për shkak se vendimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës për këtë çështje u mor më 26 korrik, ndërsa seanca dëgjimore me publikun u zhvillua më 27 korrik.
Vendimi 40, në pikën 3 të tij nuk lë hapësira për manovra pasi sanksionon që mungesa e qoftë edhe njërit prej këtyre dokumenteve, e bën aplikimin të pavlefshëm. “Mungesa e një prej dokumenteve të sipërpërmendura bën që propozimi për ndryshim tarife të mos shqyrtohet nga ERRU”, shkruhet në këtë vendim.
Por pavarësisht qartësisë me të cilën shprehet vendimi 40 i Entit Rregullator të Ujit, kryetari i bordit i konsideroi këto shkelje “çështje dytësore”.
Enti Rregullator i Ujit është një institucion, i cili funksionon në bazë të një ligji të vitit 1996 dhe ka për detyrë që nga njëra anë të sigurojë tarifa të mjaftueshme për mbulimin e kostove të furnizimit me ujë dhe me shërbimin e heqjes së ujërave të zeza, ndërsa nga ana tjetër, ka për detyrë të mbrojë konsumatorët nga pozicioni monopol i korporatave të ujësjellësave, si dhe të garantojë që ujësjellësat kanë eficencë të pranueshme në kosto dhe shpenzime operative në mënyrë që të mos i rëndojnë konsumatorët me tarifa të panevojshme. Por anëtarët e bordit të Entit Rregullator të Ujit në bazë të këtij ligji të vitit 1996, emërohen dhe shkarkohen nga këshilli i ministrave. Të katër anëtarët aktualë të bordit janë emëruar nga qeveria aktuale.
Ujësjellësi i Tiranës disponon aktualisht fitime vjetore neto prej 5 milionë eurosh, ka kosto operative shumë të larta dhe është kritikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për keqmenaxhime të shumta. Ujësjellësi ka gjithashtu një bilanc për të cilin audituesit e pavarur kanë shprehur rezerva për shkak të paqartësive të mbajtjes së llogarive, gjë që do të thotë se audituesit nuk marrin përsipër të çerfitikojnë si të vërtetë këtë bilanc.
Por pavarësisht fitimeve të larta, Ujësjellësi ka kërkuar rritjen me 40-70 për qind të çmimeve të furnizimit me ujë duke filluar nga viti 2018 me argumentin se i nevojitet të investojë.

Me tarifat më të larta të ujit në Europë

Shqipëria ka tarifat më të larta për ujin në rajon dhe rritja e re që propozon Bashkia e Tiranës do të bëjë që shqiptarët në kryeqytet të paguajnë dy herë më shtrenjtë për ujin se sa fqinjët e tyre.
Sipas një dokumenti zyrtar të Bankës Botërore, familjarët shqiptarë paguajnë rreth 0.7 euro për çdo metër kub si kosto për shërbimin e ujit të pijshëm dhe atë të ujërave të zeza, duke qenë vendi më i shtrenjtë në Ballkan. Në vendin e dytë, renditet Mali i Zi, ku tarifa e ujit për familjarët është 0.62 euro për metër kub të konsumuar.
Boshnjakët paguajnë 0.53 euro për metër kub, ndërsa në Maqedoni tarifa e ujit për familjarët është rreth 0.52 euro për metër kub. Sipas të dhënave, Kosova dhe Serbia janë dy vendet me çmimin më të lirë të këtij shërbimi, përafërsisht 0.5 euro për metër kub.
Edhe në raport me të ardhurat, shqiptarët detyrohen të paguajnë më shumë nga buxheti i tyre për shërbimin e ujit se sa fqinjët.
Aktualisht, sipas  të dhënat, familjarët shqiptarë shpenzojnë 2.2 për qind të buxhetit mujor për ujin. Në Maqedoni, familjet shpenzojnë 1.8 për qind të buxhetit për ujin, ndërsa në Mal të Zi dhe Serbi respektivisht 1.6 dhe 1.3 për qind.
Të gjitha këto janë çmimet aktuale. Tarifat e reja që propozon Bashkia e Tiranës do të thellojnë edhe më shumë diferencën mes tarifave që paguajnë shqiptarët dhe fqinjët e tyre në rajon. Madje me rritjen e re, tarifat e ujit në Tiranë duke përfshirë taksat dhe pagesat për ujërat e zeza, shkon gati 1 euro për metër kub. Kjo është plot dy herë më shtrenjtë se sa mesatarja e vendeve fqinjë.

PS-LSI kapen në flagrancë në rritjen e çmimit të ujit

PS dhe LSI janë kapur në flagrancë në rritjen e çmimit të ujit për Tiranën. Duke qenë se ky skandal i rritjes së çmimit ka dekonsipruar edhe aleancën e fshehtë mes dy partive që tani thonë se janë në opozitë me njëra-tjetrën ato po servirin një lumë lajmesh të rreme në mediat që kanë nën kontroll për të hedhur tym mbi qëndrimin e qartë të PD, e cila ishte e vetmja forcë politike që kundërshtoi rritjen e çmimit të ujit të pijshëm.
PD akuzon mediat se po servirin gjellët e gatuara nga Rama.
Në një njoftim për mediat që nisi dje zyra e shtypit thuhet: “Këshilltarët bashkiakë demokratë nuk morën pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Ata vetëm bënë një deklaratë në fillim të mbledhjes dhe pastaj e bojkotuan atë tërësisht. Lajmi se demokratët morën pjesë në votimin e dhënies së kredive për shtëpi është lajm i rremë i gatuar në kuzhinën e Edi Ramës dhe i përhapur nga veglat e tij në media, kamerierët e zellshëm që i shërbejnë publikut për ditë gjellët e prishura të Ramës”.
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi të mërkurën (26 korrik) me 31 vota pro rritjen e çmimit të ujit për të gjithë konsumatorët, familjarë dhe biznese. Kuorumi i mjaftueshëm për këtë vendim u arrit me dy vota të këshilltarëve të LSI, Agim Kraja dhe Genta Mezini. Një ditë më pas, 27 korrik, LSI i shpalli dezertorë këta dy anëtarë, duke deklaruar se kanë vepruar privatisht për interesa të lidhura me kryebashkiakun Veliaj dhe në kundërshtim me vendimin e partisë që ishte kundër rritjes së çmimit të ujit.