Raporti, tonelata droge nga Shqipëria në Itali me gomone e avionë

Në Raportin e sapo publikuar të Drejtorisë Investigative Antimafia të Ministrisë së Brendshme italiane për gjashtëmujorin e fundit të vitit 2016 lexohet se, marijuana e kultivuar kryesisht në Jug të Shqipërisë transportohet në brigjet italiane me anë të gomoneve të fuqishme, me motora uji, por dhe me avionë të lehtë. Historikisht është trafiku i lëndëve narkotike dhe fillimisht kontrabanda e cigareve, të cilat kanë vënë në kontakt klanet kriminale shqiptare me grupet mafioze italiane.
Sasitë e mëdha të drogës të sekuestruara nga policia italiane në rajonin e Puglias dëshmojnë se rruga e Adriatikut është nga më të preferuarat e grupeve kriminale për trafikun e drogës. “Marijuana e kultivuar kryesisht në Jug të Shqipërisë, transportohet në brigjet italiane me anë të gomoneve të fuqishme, me motora uji, por dhe me avionë të lehtë”, thuhet në këtë raport.
Aftësia e trafikantëve shqiptarë në përdorimin e mjeteve lundruese në rrugën ballkanike është përdorur dhe për trafikun e armëve, emigrantëve ilegalë, kokainës dhe heroinës. Efikasiteti i këtij rrjeti kriminal shfaqet dhe në procesin e shpërndarjes së drogës ku shqiptarët veprojnë në sinergji me shtetas italianë të pa skeduar nga policia që u ofrojnë mbështetje logjistike të aktivitetit të tyre kriminal.
Sipas Raportit të Ministrisë së Brendshme italiane dhe përgjatë gjashtëmujorit të dytë të 2016 konfirmohet aktiviteti kriminal i grupeve shqiptare në grabitje të ndryshme e në shfrytëzim prostitucioni. Sipas Raportit të Drejtorisë së Antimafias italiane, portet e Adriatikut janë më të preferuarat për trafikun ilegal përmes Ballkanit.
Porti i Brindizit është udhëkryqi kryesor i trafikut të drogës, sidomos të marijuanës si dhe të mallrave kontrabandë falco. Sipas Ministrisë së Brendshme italiane, përveç drogës, armëve e mallrave kontrabandë, trafiku i qenieve njerëzore është një tjetër instrument për të financuar aktivitetin e grupeve kriminale të huaja që veprojnë në Itali.
Ndër operacionet më të sukseshme të policisë italiane gjatë gjashtëmujorit të dytë të 2016, ku janë përfshirë grupet kriminale shqiptare, renditen:
-Operacioni i 8 shtatorit 2016 në komunën Giorgilorio të Lecces, që çoi në arrestimin e 4 shtetasve shqiptarë e 2 italianëve e u sekuestruan 3.6 tonë marijuanë e një pistoletë.
-Operacioni në Lecce i 23 shtatorit 2016, ku u sekuestruan 800 kg marijuanë dhe u arrestuan 2 skafistë shqiptarë.
-Operacioni në Lecce i 10 tetorit 2016, ku u sekuestruan 700 kg marijuanë dhe u arrestuan 2 skafistë shqiptarë:
-Operacioni në Brindizi i 12 nëntorit 2016, i cili çoi në sekuestrimin e 1178 kg marijuanë.
-Operacioni në Brindizi i 30 nëntorit 2016, i cili çoi nw sekuestrimin e 800 kg marijuanë, një kallashnikov me dy karikatorë e në arrrestimin e 4 shtetasve shqiptarë e një italian.
-Operacioni i 24 dhjetorit 2016 në komunën Surbo të Lecces, ku u arrestua një shtetas shqiptar dhe u sekuestruan 700 kg marijuanë.
-Operacioni në Breshia i 13 shtatorit 2016, i cili çoi në shkatërrimin e një organizate kriminale shqiptaro-italiane, në arrestimin e 4 shtetasve shqiptarë e 2 italianë si dhe në sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme droge të tipit kokainë, heroinë, marijuanë e hashash.
-Operacioni në San Kataldo  i 22 gushtit 2016, i cili çoi  nw arrestimin e një shtetasi shqiptar e në sekuestrimin e një motori uji dhe të 214 kg marijuanë.
-Operacioni “Kushëri” në Savona i 7 korrikut 2016, ku u arrestuan 12 shqiptarë me akuzën e trafikut të heroinës.
-Operacioni në Breshia i 26 gushtit 2016, i cili çoi në arrestimin e 2 shtetasve shqiptarë e në sekuestrimin e 22 kg kokainë e të 60 mijë euro.
-Operacioni “Oqean” në Lecce i 13 shtatorit  2016,  i cili çoi në arrestimin e 11 shtetasve shqiptarë e 7 italianë me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe të armëve.
-Operacioni në Bolonja i 16 dhjetorit 2016, i cili çoi në arrestimin e 8 shqiptarëve me akuzën e grabitjeve të ndryshme në Veri e Jug të Italisë.
-Operacioni në komunën Kantu të Komos më 5 nëntor 2016, i cili çoi në arrestimin e 2 shqiptarëve e sekuestrimin e 324 kg marijuanë e trafikuar nga Spanja.
-Operacioni në Foggia i 6 dhjetorit 2016, i cili çoi në sekuestrimin e 9 kg heroinë e në arrestimin e 1 shqiptari e 2 shtetasve italianë.