Oxfam: Qeveria Rama e katërta në botë për nxitjen e varfërisë

Oxfam, një nga institutet me prestigjioze në botë për kërkimet ekonomike, e ka renditur qeverinë shqiptare si qeverinë e katërt më të keqe të botës në luftën kundër pabarazisë. “Syri.net” publikon raportin, në të cilin Oxfam krahason qeveritë e 154 vendeve të botës sipas angazhimit të tyre për të luftuar pabarazinë.
Qeveria shqiptare renditet në zonën e turpit, krahas vendeve si Nigeria, Bahreini dhe Mianmari. Këto janë vende, pasuria e të cilave zotërohet nga një grusht i vogël njerëzish dhe ku qeveritë, jo vetëm që nuk bëjnë asgjë për të luftuar pabarazinë, por me politikat e tyre favorizojnë oligarkët. Sipas raportit, në vendin e parë si qeveria më e angazhuar dhe më e suksesshme në luftën kundër pabarazisë renditet ajo e Suedisë. Në dhjetë vendet e para figurojnë vetëm vendet e Europës Perëndimore, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Austrinë. Ndërsa në 10-teshen e fundit të tabelës, përveç qeverisë shqiptare qëndrojnë ajo e Nigerisë, Tongës, Buthanit, Panamasë etj.

Renditja e përpiluar

Renditja e përpiluar nga Oxfam bazohet në tri kolona. Ato janë politikat e qeverive për sektorët kyç, politikat tatimore si dhe politikat e tregut të punës për të luftuar pabarazinë. Kollona e parë vlerëson shpenzimet e qeverisë në sektorët e arsimit, shëndetësisë, si dhe transfertat për të varfrit. Oxfam nuk vlerëson vetëm sasinë e shpenzimeve, por edhe se kush i përfiton ato. Veçanërisht vitet e fundit, një pjesë e madhe e shpenzimeve publike në shëndetësi kanë shkuar drejtpërdrejt për një grusht kompanish koncesionare të lidhura me qeverinë, ndërkohë që shërbimi publik mjekësor mbetet në gjendje dramatike.
Veç shpenzimeve, Oxfam vlerëson se qeveria shqiptare favorizon pabarazinë edhe me politikën e taksave, pasi takson më shumë të varfrit se sa të pasurit, ndërkohë që vendi ka një renditje më të mirë në politikat e tregut të punës. Qeveria shqiptare është akuzuar gjerësisht si një qeveri në shërbim të një grushti të ngushtë oligarkësh. Por nëse deri më sot akuzat kanë ardhur kryesisht nga lufta e brendshme politike, tashmë ato konfirmohen ndërkombëtarisht, nga një prej institucioneve me prestigjioze në fushën e ekonomisë.

Të ardhura mbijetese

Thuajse të gjithë punonjësit në Shqipëri janë të keqpaguar dhe pjesa dërrmuese kanë vështirësi të përballojnë edhe nevojat më minimale të jetesës. Vetëm një numër shumë i vogël kanë të ardhura relativisht të larta që lejojnë një jetesë normale. Sipas statistikave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, rezulton se 99.5 për qind e punonjësve i kanë të ardhurat më të ulëta se sa 2 milionë lekë në vit dhe vetëm 0.5 për qind e tyre kanë një pagë mbi këtë nivel. E shprehur në numër kjo do të thotë se në Shqipëri janë vetëm 6 mijë punonjës që deklarojnë të ardhura nga paga më të larta se 2 milionë lekë në vit. Në total, sipas statistikave të INSTAT, Shqipëria numëron rreth 1 milion e 667 mijë të punësuar. Numri i ulët i personave që kanë të ardhura nga mbi 2 milionë lekë në vit pasqyron nivelin e ulët të zhvillimit ekonomik të vendit.