Ballina Politikë Nga rritja e çmimit të ujit Bashkia do të fitojë 38 milionë...

Nga rritja e çmimit të ujit Bashkia do të fitojë 38 milionë euro në vit

“Rilindja Demokratike” raportoi një ditë më parë duke iu referuar dhe ekspertëve të fushës se me 45 lekë për metër kub, ujësjellësi ka një fitim neto prej rreth 30 lekësh (shifra mendohet të jetë më e madhe, pasi me shumicë uji ka një çmim prej 12 lekësh). Në rast se do të bëhet një llogari vjetore, për rreth 84 milionë metra kub ujë në vit që prodhon Bovilla, atëherë rezulton që fitimi neto të jetë rreth 20 milionë euro në vit, ose 2,5 miliardë lekë.
Dhe këtu nuk po futet çmimi i ujërave të përdorura, të cilët kanë një kosto të papërfillshme, por që merret 11 lekë për metër kub. Vetë Veliaj deklaroi se në vitin 2016, ujësjellësi kish kapur një normë fitimi prej 5 milionë euro.
Ndërkohë me çmimin e ri, i bie që kjo shumë pra fitimi i UKT të shkojë në rreth 38 milionë euro në rast se do mblidhej, pra gati një dyfishim të shumës që do duhej të mblidhte UKT, por që do dalë nga xhepat e qytetarëve. Në fakt shuma është e përafërt se këtu nuk llogariten bizneset që kanë një tarifë tre herë më të lartë. Shkurt një biznes që do e kishin zili dhe kompanitë e mëdha që operojnë në bursë. Plani i biznesit i firmosur nga drejtori i UKT, Redi Molla, nuk bën parashikime se sa do të rriten të ardhurat nga rritja e tarifave në mënyrë kaq të lartë. Aty flitet vetëm për “të ardhura të dëshirueshme”, të cilat për vitin 2018 janë 4 miliardë lekë ose 17 për qind më shumë se sa të ardhurat e pritshme 2017 ose 29 për qind më shumë se sa të ardhurat e vitit 2016.
Por plani i biznesit nuk parashikon se sa do të rriten të ardhurat në një kohë, kur rritja e tarifave do të jetë 40-70 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Plani i biznesit parashikon “të ardhura të dëshirueshme” në masën 4.6 miliardë lekë për vitin 2019, (rritje 43 për qind në krahasim me vitin 2016). Plani nuk parashikon përmirësim në eficencën e administrimit, pasi ruan nivel të njëjtë të “shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes”, si dhe nuk parashikon të ardhura shtesë nga lufta kundër vjedhjeve të ujit, në një qytet ku dy të tretat e ujit konsiderohen “konsum i pafaturuar”.
Gjithashtu, plani i biznesit pranon se humbjet nga uji i pafaturuar (termi teknik që përdoret për vjedhjet apo rrjedhjet e pakontrolluara në rrjet) është sa dy të tretat e të gjithë ujit të hedhur në rrjet. Sipas planit të biznesit, këto rrjedhje pritet të reduktohen në 40 për qind në vitin 2021, por këto reduktime nuk parashikohet të sjellin të ardhura shtesë për ujësjellësin, i cili mendon se konsumi total i ujit të faturuar do të mbetet pothuajse i pandryshuar dhe reduktimi i vjedhjeve dhe rrjedhjeve do të sjellë vetëm reduktim të sasisë së ujit të përpunuara në impiante. Sipas Raportit të Performancës të Entit Rregullator të Ujit, uji i pafaturuar në UKT u rrit në vitin 2016 në gati 68 për qind, me 1 pikë përqindje më shumë se sa në vitin 2015, gjë që duket se nuk përmbush pretendimet e Bashkisë për menaxhim më të mirë.

Ku i çoi UKT 5 milionë euro taksa të mbledhura në 2016?

Rritja e çmimit vjen në një kohë që Ujësjellës Kanalizime Tiranë rezulton një nga kompanitë më fitimprurëse dhe rentabël në Shqipëri, nga njëra anë dhe nga ana tjetër ka hapësira për të rritur të ardhurat përmes rekuperimit të detyrimeve të prapambetura. Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat e Ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime, në vitin 2016 ishin 2.95 miliardë lekë (21.5 milionë euro). Konsumatorët familjarë sjellin gati gjysmën e të ardhurave të ujësjellësit. Fitimi i kompanisë, para taksave, ishte 675 milionë lekë, apo gati 5 milionë euro, me një rritje prej 8% në raport me fitimin e vitit 2015. Tre vitet e fundit, sipas bilancit, aktiviteti i Ujësjellës Kanalizimeve ka qenë i qëndrueshëm me një rritje të lehtë të të ardhurave, ndërsa norma e fitimit është përmirësuar. Në vitin 2016, norma e fitimit ishte 23%, çka nënkupton se për çdo 100 lekë të ardhura, 23 ishin fitime (para taksave). Në vitin 2014, norma e fitimit ishte 18%. Sipas bilancit të detajuar të vitit 2015, shpenzimet e personelit ishin rreth 860 milionë lekë (37% të totalit të shpenzimeve), ndërsa shpenzimet e përgjithshme të prodhimit ishin 924 milionë lekë, rreth 40% të totalit. Në vitin 2015, Ujësjellësi kishte llogari të arkëtueshme, si rrjedhojë e mosarkëtimit të faturave nga konsumatorët familjarë, privatë, shtetërorë, etj., prej 2.7 miliardë lekësh (gati 20 milionë euro), me një rritje të ndjeshme prej 70%, në krahasim me 1.9 miliardë lekë që ishin detyrimet e paarkëtuara në 2014-ën. 75% e këtij detyrimi i përket konsumatorëve familjarë.

Exit mobile version