Napoli s’heq dorë nga Rashica

Klubi i presidentit Aurelio de Laurentis vazhdon të monitorojë talentin e përfaqësueses së Kosovës, i nxitur edhe nga agjentët e merkatos së të kaltërve që besojnë se Milot Rashica ka potenciale të mëdha. Napoli e ka ndjekur 21-vjeçarin edhe gjatë verës së shkuar, por nuk arriti ta finalizonte marrëveshjen me Vitessen, në këtë mënyrë, klubi italian është hedhur sërish në sulm për të evituar konkurrencën e klubeve të tjera. Në fakt, Serie A mund të jetë destinacioni më i mundshëm për talentin e Vitesses, pasi në gjurmët e tij janë vënë edhe Milan e Udinese.
Sipas “Mediaset”, kuqezinjtë kanë shfaqur interes, ndërsa klubi i presidentit Pozo mund të jetë një tjetër destinacion ku Rashica mund të shpërthejë përfundimisht për të hedhur hapin e madh të karrierës. Gjithsesi, për momentin situata mbetet e pandryshuar, pasi Vitesse kërkon të arkëtojë sa më shumë nga sulmuesi i krahut që ka shpërthyer në radhët e ekipit holandez. Kartoni i futbollistit të lindur në Vushtrri vlerësohet rreth 8 milionë euro në treg nga Vitesse, aty ku gjatë dy sezoneve të fundit Rashica ka qenë një prej titullarëve të padiskutueshëm, duke luajtur mbi 60 ndeshje në Eredivisien holandeze, duke realizuar edhe 10 gola.