KLSH: 600 milionë euro vjedhje në dy vite

Auditi i kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka dalë në përfundimin se ‘Rilindja’ gjatë mandatit të saj të parë, i ka shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej 600 milionë eurosh vetëm në harkun kohor 2014-2016. KLSH-ja ka konstatuar shkeljen më të rëndë në sektorin e doganave, ku shkeljet më të mëdha janë gjetur në doganën e Durrësit. Sipas këtij auditimi në fushën e prokurimeve publike, vlera e shkeljeve kap shifrën e 300 milionëve, ku pjesa më e madhe është konstatuar në Bashkinë e Sarandës, Tepelenës dhe Himarës. Po ashtu, shkelje janë konstatuar edhe në sektorin e Tatim-Taksave si dhe në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore nga Ministria e Transportit dhe ajo e Bujqësisë. Por krahas këtyre shkeljeve, nuk ka mbetur pa u ‘bërë pis’ as sektori i shpenzimeve publike prej 14 milionësh dhe në të ardhura prej 74 milionësh. Pas konstatimeve të bëra, KLSH-ja ka kërkuar marrjen e masave disiplinore dhe administrative për 650 punonjës, ndërsa ka depozituar në Prokurori 22 kallëzime penale. Të kallëzuarit e KLSH-së janë drejtues në rang të lartë e të mesëm nga të cilët 17 mësohet se janë në hetim nga degët e prokurorive në rrethe.