Gjykata e Apelit rikthen në burg baronin e drogës

Gjykata e Apelit në Durrës ka ndryshuar dje masën e sigurisë për Alket Hatijan, i ashtuquajturi ‘baroni i drogës’ që u kap në Berat pak kohë më parë i fshehur në një bunker. Mësohet se pasi e liroi, Apeli ka vendosur ‘Arrest me burg’ për Alket Hatijan. 45-vjeçari Hatija me banim në Durrës u arrestua me qëllim ekstradimi drejt Italisë, ku është dënuar me 20 vjet burgim.
Sipas Policisë, Gjykata e Apelit/Itali me Vendimin Nr. 4526, datë 30.09.2015 ka caktuar masën e dënimit me 20 vjet burgim, në ngarkim të shtetasit të mësipërm, për veprën penale, “Trafikimi i lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”, parashikuar në nenet art.110, art.73, 73/6, 80/2 të Kodit Penal italian dhe Dekretit Nr. DPR 309/90. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.
Në urdhrin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Durrës pasqyrohet vendimi i Apelit të Durrësit që ka ndryshuar masë e sigurisë në ‘arrest me burg’ ndaj Hatisë, i dërgohet për ekzekutim policisë së Durrësit. Pas arrestimit më kërkesë të autoriteteve italiane, Gjykata e Durrësit, më 11 korrik, liroi 45-vjeçarin duke vendosur ndaj tij masën e detyrim paraqitjes. Prokuroria apeloi vendimin, dhe Apeli, me një vendim të dhënë tre ditë më parë, vendosi masën e arrestit me burg ndaj të ashtuquajturit “Zoti i Drogës”. Hatija, tashmë ndodhet në arrati dhe policia po punon për kapjen e tij.