Ajeti te Krotone për 600 mijë euro

Dy ditë pasi është mësuar edhe kalendari i Serisë A të futbollit, Arlind Ajeti është sistemuar me skuadrën e tij të re. Sipas mediave italiane, kryesisht edhe atyre pranë skuadrës së Torinos, është gjithçka gati për ta quajtur shqiptarin si lojtarin më të ri të Krotones. Pasditen e djeshme është mësuar se drejtuesit e dy klubeve kanë arritur akordin përfundimtar në lidhje me mbrojtësin e kombëtares shqiptare, për t’u transferuar përfundimisht.
Nga sa është bërë me dije dje, Arlind Ajeti është transferuar te Krotone. Skuadra që u ngjit në Serinë A ka insistuar prej javësh në lidhje me shërbimet e ish-mbrojtësit të Torinos. Pas një aventure të pafat me granatat, shqiptari do të ndryshojë ambient mirëpo do të qëndrojë në elitën e futbollit italian. Mediat italiane bëjnë me dije se është rënë dakord për gjithçka dhe se shifra e transferimit të tij do të jetë 600 mijë euro.
Ajeti nënshkroi fillimisht me Torinon si një futbollist i lirë, ndërkohë që skuadra e drejtuar nga Mihajloviç u desh që të paguante rreth 260 mijë euro për komisionet dhe taksat. Pas akordit përfundimtar, Arlind Ajeti do të jetë futbollisti më i ri i Krotones që do të startojë këtë edicion të ri kundër Milanit.
Prej disa ditësh, Ajeti është duke u stërvitur i vetëm në qendrën stërvitore “Filadelfia” duke qenë se u la jashtë planeve të Torinos për fazën përgatitore. Sipas sajtit të lajmeve pranë Torinos, “toro.it”, zyrtarizimi i tij është çështje orësh dhe pritet që shumë shpejt shqiptari të bashkohet me Krotonen për të kryer testet mjekësore dhe për t’u bërë gati për edicionin e ri në Serinë A italiane.