Sion prezantoi Ermir Lenjanin

Sion prezantoi këtë të mërkurë zyrtarisht Ermir Lenjanin si blerjen e re të klubit. Në faqen zyrtare të skuadrës zvicerane u lajmërua se, Lenjani ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me skuadrën që drejtohet nga Tramezzani dhe theksohet se futbollisti kuqezi është një zgjedhje e vetë trajnerit, që e ka drejtuar në periudhën kur mbulonte rolin e asistentit të De Biasit. Për Lenjanin ky është një rikthim në kampionatin zviceran që prej vitit 2015, kur u transferua te Rennes në Francë. Më parë ai ka luajtur me skuadrat e Grasshopers dhe St.Gallen, teksa në dy vite me këta të fundit ka luajtur në total 60 ndeshje.
Më 2015 Lenjani u transferua në Ligue 1 te Rennes, për t’u huazuar më pas te Nantes, ndërsa tani rikthehet në Zvicër duke kërkuar që të ketë sërish një rol prej protagonisti në fushë pas një viti të vështirë në futbollin francez. Klubi zviceran thekson dhe faktin se Lenjani ka qenë pjesë dhe e Shqipërisë në Euro 2016, ndërsa është vendosur dhe fanella që ai do të mbajë veshur te skuadra e tij e re, do të ketë numrin 33. Bashkë me Lenjanin në të njëjtën ditë u zyrtarizua nga Sion dhe blerja e sulmuesit të njohur italian, Roberto Acquafresca.