Seria A

Administratori i deleguar i Milanit, Marco Fassone përgënjeshtroi zërat që flasin për një largim të M’Baye Niang nga kuqezinjtë. Ai deklaroi se pavarësisht blerjeve të reja, 22-vjeçari nuk e rrezikon aspak vendin e tij në skuadër. Fassone pohoi se sulmuesi po zhvillon një punë të mirë dhe se i pëlqen shumë trajnerit Montella, i cili e ka përfshirë në projektin e klubit për të ardhmen. Gjithashtu drejtuesi kuqezi tha se klubi nuk e ka në politikën e tij të largojë lojtarë që dëshirojnë të qëndrojnë dhe që janë të rëndësishëm për ekipin.
Juventusi vazhdon punën për përforcimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Drejtori i Përgjithshëm, Beppe Marotta pohoi se klubi është vënë në kërkim të një mesfushori me eksperiencë dhe të një sulmuesi. Ai tha se Matuidi i Paris Saint Germain është një mundësi, por po shqyrtojnë edhe alternativa të tjera. Përsa i takon repartit të avancuar, Marotta deklaroi se i ka ofruar Lazios shumën e 20 milionë eurove për kartonin e Keita dhe se është në pritje të një përgjigjeje nga presidenti i bardhekaltërve Lotito.
“Schick është shumë mirë dhe nuk kam ndërmed ta shes”. Me këto fjalë presidenti i Sampdorias, Massimo Ferrero u shpreh qartë për të ardhmen e sulmuesit, i cili u rikthye në Genoa pasi nuk kaloi vizitat mjekësore me Juventusin. Numri një i klubit theksoi se e rëndësishme është gjendja shëndetësore e lojtarit, i cili është vetëm 20 vjeç dhe sipas tij do të bëhet një nga futbollistët më të mirë në botë. Ferrero gjithashtu pohoi se nëse ndonjë skuadër do ta kërkojë sulmuesin do t’i duhet të paguajë dyfishin e çmimit.
Presidenti i Torinos, Urbano Cairo i jep fund zërave të merkatos përsa i takon të ardhmes së Andrea Belottit. Cairo e bëri të qartë se sulmuesi do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës edhe sezonin e ardhshëm. Ai tha se shumë skuadra janë të interesuara për 23-vjeçarin, por asnjë nuk i është afruar shumës së klauzolës së lojtarit prej 100 milionë eurosh. Cairo ritheksoi se Belotti është futbollist i tyre dhe se nuk ka aspak ndërmend të privohet nga ai, pasi e konsideron të rëndësishëm për të ardhmen e skuadrës.