Sadiku nuk ndalet, shënon edhe në Champions

Armando Sadiku sërish protagonist me Legian e Varshavës. Bomberi kuqezi ka arritur edhe një herë tjetër të tregojë vlerat e tij si sulmues, duke gjetur sërish golin me fanellën e klubit polak, këtë herë jo në kampionat, por në Champions League, aty ku Legia e Varshavës u ndesh me ekipin e Astana, në raundin e dytë eliminator të këtij turneu, me kazakët që arritën të rrëmbenin një fitore të thellë me rezultatin 3 me 1. Tekniku i Leagias së Varshavës, Jacek Mageira vendosi ta aktivizonte Armando Sadikun në pjesën e dytë të takimit, në minutën e 70 dhe vetëm 9 minuta më pas, bomberi i kombëtares kuqezi, arriti të gjente fundin e rrjetës, pas një krosimi në zonë, me sulmuesin që ndodhej në vendin e duhur, në momentin e duhur. Kështu Sadiku shfaqet sërish si protagonist me fanellën e Legias së Varshavës.
Pas golit të realizuar në debutin e tij në kampionat, bomberi të njëjtën gjë arrin të realizojë edhe në arenën e madhe europiane të Champions League, duke mbajtur gjallë shpresat e skuadrës për një kualifikim të mundshëm në ndeshjen e kthimit, si dhe treguar e vërtetuar se transferimi i tij është një goditje cilësore e realizuar nga ana e drejtuesve të klubit polak.