Ballina Sport Atletiko Madrid, Bare shkëlqen në miqësore

Atletiko Madrid, Bare shkëlqen në miqësore

Nuk u aktivizua titullar, por në ato minuta që gjeti hapësirë bëri pratikisht gjithçka përveç golit. Keidi Bare po bind me paraqitjet e tij në skuadrën e Atletiko Madrid. Këtë sezon ai është grumbulluar që nga dita e parë e fazës përgatitore dhe ishte një nga 24 emrat që udhëtoi me ekipin për miqësoren meksikane kundër Tolucas për 100-vjetorin e themelimit të këtij klubi. Në sfidën e zhvilluar në tokën meksikane Bare hyri në lojë në pjesën e dytë dhe i mjaftuan vetëm pak sekonda për të krijuar shkëndijën e parë.
Po në minutën e 47, mesfushori shqiptar dhuroi një top të bukur që nuk u shfrytëzua nga shokët e skuadrës. Ishte sërish Bare që sulmoi thellësinë e zonës së rreptësisë pas një krosimi të ardhur nga e djathta, por nuk arriti ta devijonte topin në rrjetë, ndërsa në të 67-ën, talenti kuqezi tentoi nga jashtë zonës, por pa arritur të shënjestronte kuadratin. Praktikisht të gjitha rastet e pjesës së dytë për Atletikon kaluan nga këmbët e Bares që la një shije të mirë dhe dha sinjale të rëndësishme për trajnerin Diego Simeone, i cili mund t’i besojë më shumë ndeshje zyrtare gjatë sezonit të ri në Primera Division, Champions League apo Kupën e Mbretit.

Exit mobile version