44% rritja për qytetarët, për bizneset 74%

Çmimi i ujit do të rritet për konsumatorët familjarë nga 45 lekë për metër kub që është sot në 65 lekë për metër kub në vitin 2018. Pra, një rritje prej 44%. Për konsumatorët biznes çmimi rritet nga 135 lekë për m3 në 235 lekë ose me një rritje 74 për qind. Për konsumatorët buxhetorë çmimi rritet nga 120 në 170 lekë ose ndryshe 41 për qind. Përveç kësaj, UKT kërkon që tarifa fikse mujore, e cila nuk varet nga niveli i konsumit, të rritet me 100% nga 100 lekë që është aktualisht në 200 lekë.
Administrata e Bashkisë thotë se rritja e çmimit do të mundësojë kryerjen e investimeve të nevojshme për të siguruar furnizim të rregullt me ujë 24 orë rreth vitit 2021.
“Orari i shërbimit ka qenë me 7 orë ujë kur e la Basha, sot jemi me 13 orë ujë në ditë. Maksimumi që kemi arritur të bëjmë është rritja me 85% e furnizimit me ujë. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër si të rrisim investimet”, deklaroi kryebashkiaku Erion Veliaj ditën e martë kur foli para këshilltarëve bashkiakë të partisë së tij dhe të LSI.
Shifrat e dhëna nga Veliaj për orarin e furnizimit me ujë në fakt janë të ndryshme nga shifrat e dhëna nga Enti Rregullator i Ujit, institucioni që mbikëqyr tregun. Sipas raportit vjetor të performancës të vitit 2016 të ERRU, Tirana është furnizuar gjatë vitit 2016 me mesatarisht 10.83 orë në ditë dhe furnizimi ka njohur një përkeqësim të lehtë në krahasim me vitin 2014, kur ka qenë 11.04 orë në ditë. Këto janë shifra shumë të ndryshme prej atyre të pretenduara nga Veliaj për 7 orë furnizim “kur e la Basha” dhe 13 orë furnizim aktualisht.
Ndonëse Bashkia pretendon se rritja e çmimit synohet të bëhet për të mbuluar kostot e investimeve, plani i biznesit të ujësjellësit i parë nga “BIRN” duket se synon thjesht të rrisë të ardhurat pa menduar për uljen e kostove operative dhe mirëmenaxhimin. Ndryshe nga sa pretendoi Veliaj në vitin 2015 për shkurtim të numrit të punëtorëve në ujësjellës, punonjësit e UKT janë në rritje dhe aktualisht numri i tyre është i njëjtë me numrin që kompania kishte “në kohën e Bashës”. Ujësjellësi është akuzuar gjithashtu nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për keqpërdorimin e miliona eurove përmes procedurave të prokurimit të dyshimta, të kryera pa garë dhe me çmime krahasimisht më të larta se sa më parë. Për më tepër, plani i biznesit shpreh dëshirën e drejtuesve të kompanisë për të shpenzuar miliona lekë reklama si një fond “i marrëdhënieve me publikun”, shpenzime që nuk kanë asnjë kuptim për shkak se ujësjellësi është një monopol që ofron një mall të pazëvendësueshëm dhe për rrjedhojë, nuk ka nevojë për reklamë.

Plani i biznesit të UKT

Ujësjellës-Kanalizime SHA është një kompani aksionere nën pronësi publike. Megjithë keqadministrimin e njohur të shoqërisë, (përfshirë mbajtjen e një numri shumë të lartë të punësuarish), kompania rezulton me norma fitimi të konsiderueshme përgjatë të gjitha viteve të fundit. Kështu, në vitin 2014, kompania kishte 3 miliardë lekë të ardhura dhe 2.3 miliardë lekë shpenzime me fitime neto pas taksave në masën 435 milionë lekë ose 3.2 milionë euro.
Në vitin 2015, të ardhurat ranë në 2.8 miliardë lekë, ndërsa më 2016, u rritën në 3.1 miliardë lekë. Ujësjellësi realizoi 640 milionë lekë fitime neto pas taksave gjatë vitit të kaluar. Megjithatë, një plan biznesi i kompanisë bën thirrje për shtim të fortë të shpenzimeve të kompanisë përgjatë pesë viteve të ardhshme, ku shpenzime të rëndësishme pritet të kryhen për blerjen dhe instalimin e matësave të rinj të konsumatorëve, për ndërrimin e tubave kryesorë të furnizimit të Tiranës, si dhe për “Fondin e Marrëdhënieve me Publikun”.
Sipas “planit të biznesit”, lista e shpenzimeve kapitale të planifikuara për periudhën 2017-2021, ka një total prej 23.5 miliardë lekësh ose 173.4 milionë eurosh, ku zërat kryesorë të shpenzimeve janë rinovim i rrjetit kryesor të ujësjellësit dhe rinovim i rrjetit kryesor të kanalizimeve. Investimet janë të ndara në afërsisht 5.5 miliardë lekë në vit dhe për të mbuluar këto investime, ujësjellësi kërkon të rrisë tarifat e furnizimit me ujë.
Por pavarësisht se plani i biznesit të ujësjellësit parashikon 173.4 milionë euro investime, nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku foli për “220 milionë euro”.

Nuk ka parashikim për të ardhurat

Plani i biznesit i firmosur nga drejtori i UKT, Redi Molla nuk bën parashikime se sa do të rriten të ardhurat nga rritja e tarifave në mënyrë kaq të lartë. Aty flitet vetëm për “të ardhura të dëshirueshme”, të cilat për vitin 2018 janë 4 miliardë lekë ose 17 për qind më shumë se sa të ardhurat e pritshme 2017 ose 29 për qind më shumë se sa të ardhurat e vitit 2016. Por plani i biznesit nuk parashikon se sa do të rriten të ardhurat në një kohë kur rritja e tarifave do të jetë 40-70 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Plani i biznesit parashikon “të ardhura të dëshirueshme” në masën 4.6 miliardë lekë për vitin 2019, (rritje 43 për qind në krahasim me vitin 2016). Plani nuk parashikon përmirësim në eficencën e administrimit pasi ruan nivel të njëjtë të “shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes”, si dhe nuk parashikon të ardhura shtesë nga lufta kundër vjedhjeve të ujit, në një qytet ku dy të tretat e ujit konsiderohen “konsum i pafaturuar”.
Gjithashtu, plani i biznesit pranon se humbjet nga uji i pafaturuar (termi teknik që përdoret për vjedhjet apo rrjedhjet e pakontrolluara në rrjet) është sa dy të tretat e të gjithë ujit të hedhur në rrjet. Sipas planit të biznesit, këto rrjedhje pritet të reduktohen në 40 për qind në vitin 2021, por këto reduktime nuk parashikohet të sjellin të ardhura shtesë për ujësjellësin, i cili mendon se konsumi total i ujit të faturuar do të mbetet pothuajse i pandryshuar dhe reduktimi i vjedhjeve dhe rrjedhjeve do të sjellë vetëm reduktim të sasisë së ujit të përpunuara në impiante.
Sipas Raportit të Performancës të Entit Rregullator të Ujit, uji i pafaturuar në UKT u rrit në vitin 2016 në gati 68 për qind, me 1 pikë përqindje më shumë se sa në vitin 2015, gjë që duket se nuk përmbush pretendimet e Bashkisë për menaxhim më të mirë.

Kostot operacionale të larta dhe punësimet në rritje

Në fund të vitit 2015, Bashkia e Tiranës deklaroi se do të pushonte nga puna disa qindra punonjës të UKT SH.A me argumentin se qenë punëtorë të tepërt, të punësuar për shkaqe politike nga administrata e mëparshme. Në nëntor 2015, me propozim të drejtorit të UKT dhe me miratimin e Këshillit Mbikëqyrës ku Bashkia e Tiranës kontrollon shumicën, u miratua një strukturë e re me 845 punonjës, nga mbi 1200 punonjës që kishte UKT më herët. Gjatë muajit dhjetor 2015, u pushuan nga puna 436 punonjës, me arsyetimin: “zgjidhje e marrëdhënieve të punës për shkak të shkurtimit të vendit të punës apo suprimimit të vendit të punës”.
Mbingarkimi i ndërmarrjeve të ujësjellësave dhe ndërmarrjeve të tjera të sektorit publik me punëtorë të panevojshëm është një praktikë e zakonshme në Shqipëri dhe shkurtimi i numrit të punonjësve është një kërkesë e përhershme e Entit Rregullator të Ujit për ndërmarrjet e ujësjellësave. Problemi është se ndryshe nga sa flitej në strukturën e miratuar më 2015 për 845 punonjës, në fund të vitit 2016, UKT pati 1150 punonjës, sipas dokumenteve të UKT duke sugjeruar se pushimet nga puna të vitit 2015 nuk qenë ristrukturim për reduktim kostosh, siç u predendua, por një zëvendësim i rëndomtë i militantëve me militantë. Sikur të mos mjaftonin punësimet e reja të vitit 2016, UKT ka në plan të shtojë më tej të punësuarit gjatë vitit 2017, duke i kthyer ekzaktësisht në nivelin e vitit 2015, në rreth 1227 vetë.

Konsumatorët paguan dy palë punonjësish

Pushimet nga puna të vitit 2015 nuk është se nuk u paguan. Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, këto pushime të administratës së re qenë dukshëm në kundërshtim me Kodin e Punës dhe pak a shumë të gjithë punonjësit u paraqitën në Gjykatën Administrative, e cila dha kompensimet përkatëse në paga. Sipas raportit të KLSH, gjatë vitit 2016 u hapën 211 procese gjyqësore. Deri në çastin që u hartua raporti i KLSH, 33 procese gjyqësore janë mbyllur në të gjitha shkallët me një kosto për konsumatorët e ujit prej 21.4 milionë lekë. Në total, parashikohet se mbi 68 milionë lekë (afro gjysmë milioni euro), do t’i kushtojnë konsumatorëve të ujit pushimet e padrejta nga puna dhe këto janë kosto krahas pagave të të punësuarve të rinj.

Asnjë reduktim në kostot operative dhe miliona për reklama

Ujësjellësi ka aktualisht 2.3 miliardë lekë (17 milionë euro), shpenzime operative dhe të mirëmbajtjes, ku përfshihen kostot e prodhimit të ujit, kostot e punëtorëve dhe kosto të tjera. Sipas planit të biznesit, ujësjellësi nuk ka në plan të reduktojë numrin e punonjësve, siç pati vepruar më 2015, por ka në plan të rrisë katërfish shpenzimet “për marrëdhënien me konsumatorin”.
Fondi “shpenzime personeli”, i cili përfshin mbajtjen e mbi 1200 të punësuarve me rroga dhe shpërblime të tjera, zë 35 për qind të të gjitha shpenzimeve, parashikohet të rriten.
Ndoshta shpenzimi më i çuditshëm i planifikuar nga plani i biznesit të ujësjellësit është shpenzimi për “marrëdhëniet me publikun”. Plani i biznesit shkruan: “Zëri i shpenzimeve për Marrëdhëniet me Publikun është llogaritur në bazë të një strategjie që synon të mbështesë dhe promovojë shërbimet e UK Tiranë tek publiku dhe të prezantojë objektivat dhe synimet kryesore të shoqërisë. Duke pasur parasysh se kostot për Fushatat e Marrëdhënieve me Publikun ishin afërsisht 25 lekë për lidhje në vit dhe duke marrë në konsideratë edhe rëndësinë që ka ky zë për një shoqëri ujësjellës-kanalizime në madhësinë e UK Tiranë (më e madhja në Shqipëri), drejtuesit e shoqërisë kanë parashikuar një rritje të kostove të Marrëdhënieve me Publikun duke buxhetuar një shpenzim prej 167 lekë për lidhje në vit për periudhën 2017-2021”.
Totali i shpenzimeve të planifikuara për reklama nuk jepet, por ujësjellësi përdor dy kritere në raportimin e “numrit të lidhjeve”, njëra është lidhjet e furnizimit me ujë, rreth 230 mijë, si dhe numri i lidhjeve me ujë dhe kanalizime rreth gjysmë milioni. Ky është një zë i çuditshëm për shkak se ujësjellësi dhe kanalizimet janë një monopol publik dhe njëkohësisht janë mallra të domosdoshëm, rrjedhimisht nuk kanë nevojë për reklamë.

Keqadministrim me prokurimet

Kontrolli i Lartë i Shtetit kreu një auditim gjatë vitit 2016 në kompaninë e Ujësjellës-Kanalizimeve ku zbuloi një gamë të gjerë shkeljes, nga punësimet me dosje të paarkivuara te prokurimet me procedura emergjente dhe me kosto financiare të konsiderueshme.
Në lidhje me mbifaturimet e vëna re nga publiku në fillim të vitit 2016, KLSH vëren se administrata e ujësjellësit nuk e ka zbuluar shkakun e vërtetë të mbifaturimeve pavarësisht se një ish-drejtor pretendoi në konferencë për shtyp se “kishte pasur ndërhyrje nga jashtë”, duke supozuar se bëhej fjalë për një sulm piraterik në sistemin elektronik të ujësjellësit.
“Ish-drejtori i Përgjithshëm i UKT, z. N.Gj., dhe z. K.Z., i cili ka lidhur kontratë qiraje me UKT për programin që përdoret në sistemin e menaxhimit të informacionit në konferencën për shtyp më datë 22.02.2016, kanë deklaruar se ka patur ndërhyrje në sistem nga jashtë dhe për këtë ngjarje është bërë kallëzim penal. Nga auditimi i dokumentacionit në dispozicion, nuk rezulton të jetë bërë kallëzim penal”, thuhet në raportin e KLSH.
Raporti vëren mes të tjerash që bilanci i ujësjellësit nuk mbahet sipas standardeve të kontabilitetit dhe në një numër të madh rastesh, ujësjellësi detyrohet të paguajë gjoba tatimore për dorëzim të vonuar të deklaratave tatimore. Në disa raste, procedurat e tenderimeve për riparime në rrjetin e ujësjellësave kanë përdorur kritere diskriminuese ndaj operatorëve pjesëmarrës, gjë që ka ulur konkurrencën dhe ka rritur kostot për konsumatorët e ujit. Në një rast, ujësjellësi ka bërë tender për blerje kimikatesh për përpunimin e ujit me procedurën “Negocim pa shpallje”. Argumentimi ka qenë që për shkak se ujësjellësi nuk kishte parashikuar siç duhet nevojat për kimikate, ai qe vënë në kushtet e emergjencës, gjë që detyronte blerjen me shpejtësi të tyre. Në këtë rast, ujësjellësi parashikoi një fond limit të ndjeshëm më të lartë se sa kostoja e kimikateve në krahasim me vitin e kaluar pavarësisht se pala e kontraktuar qe ekzaktësisht e njëjta kompani.

Olli: LSI refuzoi të bojkotonte mbledhjen

Kreu i këshilltarëve të djathtë në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli, komentoi ditën e djeshme vendimin e miratuar mbrëmjen e së mërkurës në Këshillin Bashkiak të Tiranës mbi rritjen e çmimit të ujit të pijshëm. Ndër të tjera, Olli sulmoi ashpër LSI, dy këshilltarët e së cilës votuan pro këtij vendimi. Kreu i këshilltarëve të djathtë në Bashkinë e Tiranës, Olli tha se rritja e çmimit të ujit u miratua me votat e PS, LSI dhe PDIU. “Nëse ju do të shkoni në sekretarinë e Këshillit Bashkiak do të gjeni që procedurat në fjalë janë vouar nga 25 vota të këshilltarëve të PS, 3 PDIU dhe 2 të LSI. A janë përjashtuar sot dy këshilltarët e LSI? A kanë qenë deri në momentin që kanë votuar këshilltarë të LSI, çfarë të keqe do të kishte LSI kur unë kam kërkuar në orën 19:30 jashtë sallës të prononcohet qartë dhe pa ekuivok nëse ata dy këshilltarë ishin me urdhër të partisë apo ishin në kokë të tyre, vetëm sot u akuzohen dy këshilltarët që kanë kryer një veprim korruptiv”, tha Olli. Ai tha se LSI i kishin kërkuar që të bojkotonte seancën e Këshillit Bashkiak, por për këtë nuk kishin arritur në një dakordësi. “Në ditën e votimit i kemi kërkuar që në mëngjes herët LSI një qëndrim të pastër dhe pa ekuivok në raprot me këtë çështje. I kemi bërë apel që këto kushte që i keni vënë Veliajt në gjykimin tonë janë vetëm aksion për këtë aferë mafioze dhe i kemi kërkuar që së bashku të bojkotonim që mos kishte kuorum”, tha Olli.

Spaho i përgjigjet Petrit Vasilit

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho i është përgjigjur ish-kryetarit të LSI, Petrit Vasili, i cili lëshoi akuza ndaj demokratëve pas vendimit për rritjen e çmimit të ujit në Tiranë. Spaho e konsideron të neveritshme politikën e Vasilit dhe LSI-së, pasi siç thekson ai, PS-së i duheshin vetëm dy vota që i mori te partia e Monika Kryemadhit dhe tani akuzojnë PD-në. “‘Politikë’ e neveritshme. PS vetëm dy vota i duheshin. E votuan dy këshilltarë të LSI dhe pastaj ky akuzon PD”, shkruan Spaho. Mbrëmjen e së mërkurës në Këshillin Bashkiak, Erion Veliaj arriti të kalonte vendimin për rritjen e çmimit të ujit falë votës së dy anëtarëve të LSI-së, të cilët më pas u akuzuan nga Kryemadhi se ishin të blerë. Kërkesa për rritjen e tarifave të ujit në Tiranë do të nisë të shqyrtohet në fund të muajit gusht. Lajmi bëhet me dije nga Enti Rregullator i Ujit, i cili shton se procesi i vlerësimit për dosjen e plotë të propozimit, së bashku me detajet e tjera shtesë që do të kërkohen nga Komisioni Kombëtar Rregullator, do të kërkojë minimalisht 1 muaj kohë nga data e fillimit të shqyrtimit. Të mërkurën Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi propozimin për rritjen e tarifave të ujit, ndërkohë që është ERRU, që do të marrë vendimin përfundimtar. Sipas propozimit të Bashkisë, tarifa e ujit të pijshëm për abonentët familjarë pritet të rritet me 20 lekë, duke shkuar në 65 lekë/m3 nga 45 lekë/m3 që është aktualisht.

Abuzimet e Veliajt në ujësjellës, 8 milionë euro për paga

Bashkia e Tiranës ka lajmëruar rritjen me 40 për qind të tarifave për ujin me pretendimin se të ardhurat e ujësjellësit janë të pamjaftueshme për të mbuluar shpenzimet dhe investimet e reja.
Por “SYRI.net” zbardh dokumente që tregojnë se si ndërmarrja e ujësjellësit shpërdoron miliona euro për paga dhe shpërblime militantësh, të cilat paguhen nga qytetarët.
Sipas të dhënave të bëra publike në bilancin e kompanisë, vitin e kaluar UKT ka shpenzuar plot 8 milionë dollarë për paga dhe shpërblime të punonjësve.
Në total shpenzimet e përgjithshme të UKT ishin rreth 20 milionë dollarë. Kjo do të thotë se rrogat dhe shpërblimet e punonjësve përbëjnë 40 për qind të shpenzimeve totale të ujësjellësit.
Shpenzimet e fryra për paga dhe personelin janë një nga arsyet kryesore se pse ndërmarrja e UKT nuk investon në përmirësimin e shërbimit të qytetarëve. Aktualisht Tirana furnizohet më pak se 10 orë në ditë më ujë, ndërkohë që në vend të investimeve të reja paratë shkojnë për rrogat dhe shpërblimet e militantëve.

Qytetarët paguajnë për militantët

Dy vjet më parë, Bashkia e Tiranës deklaroi se do të reduktonte ndjeshëm stafin e UKT-së për të ulur shpenzimet. Në atë kohë, ndërmarrja e ujësjellësit në kryeqytet kishte 1200 punonjës dhe ishte administruar për katër vjet nga Partia Demokratike.
I sapoardhur në krye të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se qindra punonjës do të pushoheshin nga puna për të ulur shpenzimet e panevojshme, pasi sipas tij UKT ishte e mbingarkuar me staf.
Por ajo që ndodhi në fakt ishte largimi i punonjësve ekzistues, për t’u zëvendësuar me militantë të Partisë Socialiste pa asnjë ulje në numrin total të punonjësve.
Në fund të 2015-ës, për të justifikuar nga puna largimin e punonjësve ekzistues të ujësjellësit, Bashkia paraqiti një strukturë me 850 veta për këtë ndërmarrje nga 1200 punonjës që kishte në atë kohë.
Sipas strukturës së re, gjatë muajit dhjetor 2015, Bashkia largoi brenda ditës 430 punonjës të UKT. Por këto nuk ishin shkurtime. Brenda pak muajsh ndërmarrja punësoi staf të ri dhe numri total i punonjësve u rikthye sërish në 1200 vetë.
Përveçse nuk kurseu asnjë lekë nga shpenzimet e tejfryra për paga dhe shpërblime, Bashkia e rriti më shumë koston që paguajnë qytetarët. Kjo pasi për shkak të largimeve nga puna që bëri në vitin 2015, ajo u detyrua nga gjykatat të paguante rreth 600 mijë dollarë shtesë për punonjësit e larguar.

UKT, 680 milionë lekë dëm buxhetit nga largimet masive nga puna

Kompania publike Ujësjellës-Kanalizime Tiranë është bërë pjesë e një tjetër auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku është konstatuar se vetëm nga largimet e padrejta nga puna në harkun e një viti është shkaktuar një dëm prej 68 milionë lekësh. Kjo vlen vetëm për ato çështje që kanë përfituar të drejtën për dëmshpërblim nga ana e gjykatave, të cilat numërohen në rreth 33 ndërkohë që situata pritet të rëndohet po të kemi parasysh që në gjykim mbeten akoma në vijim 178 çështje. Në dhjetor të vitit 2015 nga ana e UKT sh.a u mor një iniciativë ristrukturimi për kompaninë, e cila herë pas here ishte akuzuar se kishte punësime militantësh dhe funksione të dubluara. Sipas KLSH, Asambleja e Përgjithshme e Aksionarëve, me Vendimin nr. 25, datë 09.12.2015 ka miratuar ndryshimin e strukturës dhe shkurtimin e numrit të punonjësve nga 1300 punonjës, në 864 punonjës. Pas këtij vendimi në muajin dhjetor të vitit 2015, janë larguar nga puna 436 punonjës, me objekt “zgjidhje e marrëdhënieve të punës për shkak të shkurtimit të vendit të punës apo suprimimit të vendit të punës”, e cila nga UKT SHA, është konsideruar si zgjidhje kolektive e marrëdhënieve të punës, pasi në bazë të nenit 148 të Kodit të Punës, për një periudhë 90 ditore ka pasur mbi 30 pushime nga puna, duke vepruar në kundërshtim me nenet 143 dhe 148 të Kodit të Punës si dhe Vendimit Unifikues të Gjykatës së Lartë nr. 19, datë 15.11.2007. Por reagimi i të larguarve nga puna duket se ka qenë i menjëhershëm dhe rezulton se vetëm gjatë vitit 2016 janë hapur 211 procese gjyqësore me objekt “Dëmshpërblim page” dhe punonjësit kanë marrë nga UKT shumën 46.7 milionë lekë pa vendim gjykate vetëm në bazë të të drejtës që u jep Kodi i Punës. “Ndërkohë që deri në datën 31.03.2017, kanë përfunduar 33 procese gjyqësore në të gjitha shkallët e gjykimit dhe është likuiduar shuma prej 21,407,129 lekë, dhe janë në vazhdim edhe 178 çështje gjyqësore, për të cilat pritet gjykimi nga Gjykata e Apelit, të cilat do të rëndojnë dhe do të japin efekte negative në rezultatin ekonomiko-financiar të UKT. Vlera e detyrimeve gjyqësore të likuiduara nga UKT SHA, për periudhën e auditimit është 68,187,604 lekë, vetëm si pasojë e largimit të punonjësve padrejtësisht nga puna”, vlerëson Kontrolli i Lartë i Shtetit. Për të parandaluar rëndimin e situatës dhe ekspozimin e financave të UKT ndaj dëmshpërblimeve në rritje, KLSH ka rekomanduar që kompania të ndërpresë praktikat e ristrukturimit dhe ndërhyrjes në organikën e shoqërisë. Kjo pasi deri më tani shumica e çështjeve gjyqësorë që kanë në objekt largimin e padrejtë nga puna kanë rezultuar të humbura për UKT.

BIRN