Tepsia e Tiranës

Bledi KASMI

Në Bashkinë e Tiranës tepsia është kthyer dje në një kazan. Një lojë me numrat për të kundërshtuar rritjen me çmimin e ujit është kthyer në biznes me LSI. Pyteja nëse kjo forcë politike mund të votonte rritjen e çmimit të ujit ka sjellë edhe një përgjigje trishtuese.
Të gjithë ata që kanë menduar se tek LSI ka ende vend për vlerat dhe parimet e politikës nuk kanë kuptuar asgjë. Për këtë forcë politike katër ditët e fundit kanë qenë një moment i artë për filozofinë e babëzisë politike dhe lukuninë e klientelës që qëndron pas tyre.
Katër ditë negociata. Në njërën anë peshonin votat e 13 këshilltarëve të LSI dhe në anën tjetër tepsia e bashkisë që merrte nga dita në ditë forma nga më të ndryshmet. Herë bëhej katrore, herë vezake dhe herë në formën e trekëndëshit. Copëtohej nga çdo anë. Jo tepsia, por Tirana e kthyer në tepsi.
“Mandati im është mandat floriri” deklaronte Dritan Prifti në vitin 2009. Edhe dje ato 13 vota të LSI ishin vota floriri për LSI. Faktorizim publik, interes politik dhe mbi të gjitha një pazar i qëruar. Sa kanë kushtuar ato 13 vota që në fund u reduktuan në 2, sepse aq nevojitej për shumicën e thjeshtë në Këshillin Bashkiak?
Ato vota i kanë kushtuar kryeqytetit disa kulla në qendër të Tiranës dhe afër saj. Disa emra koncesionarësh që do të përfitojnë nga bashkia 79 miliardë lekë për 17 shkollat që do të jepen me koncesion. Biznes i pistë në kurriz të atyre qytetarëve të Tiranës që dje qëndronin me shpresë se mos vallë këtyre bastardëve të politikës u ka mbetur ende një fije njerëzore sa dikush të mund të mendojë për ta.
Qytetarët janë grabitur dy herë dje në pazarin e fundit mes Ramës, Metës dhe Veliajt. Një herë të grabitur duke i vënë barrën e rëndë të rritjes së çmimit të ujit të pijshëm me 45% dhe një herë tjetër të grabitur nga pazari, duke i përvetësuar kryeqytetit sipërfaqe publike për ndërtimin e kullave për bizneset e këtij takëmi politik.
A mund të ndodhë sot ndokund tjetër në këtë Europë që nënshtrimi i një populli të kthehet në biznes sikurse ndodh këtu? A mund të ndodhë kund tjetër në Europë që mbi varfërinë e shumicës së popullsisë të ngrihet parajsa e tre apo katër individëve? A mund të ndodhë kund që të heshtet përpara monstruoziteteve të tilla sikurse ndodh këtu dhe bota e civilizuar të mbyllë sytë dhe të vazhdojë të mos dëgjojë klithmat e kësaj padrejtësie të ngritur në sistem?
Natyrisht që kjo nuk ndodh askund tjetër në Europë, sepse vetëm në Shqipëri nuk votohet më dhe pushtetarët që duhet të ishin përgjegjës para votuesve për vendimet e tyre nuk kanë më asnjë frikë nga institucioni i votës së lirë. Ata e ndjejnë veten se janë të përjetshëm në këtë lloj pushteti që kanë ngritur dhe po ndajnë pasurinë si të jetë pronë e çifligjeve të tyre të ngritura me djersën e gjakun e njerëzve të shndërruar në skllevër të blerë.
Dikush do të vajtojë në fund të muajit tjetër se nuk do të ketë mundësi të paguajë edhe taksën e rritur në faturën e ujit të pijshëm, por kjo pak vlerë përpara kullave të reja që Kryeministri, Presidenti dhe kryetari i bashkisë kanë ndarë dje mes tyre bashkë me miliardat për ndërtimin me koncesion të 17 shkollave në Tiranë.
Realiteti është i trishtë. Ndërsa në njërën anë është një pakicë me pasuri faraonike të vëna nga pushteti i kthyer në biznes, në anën tjetër qëndron një shumicë e heshtur e ngjashme me skllevërit, që prisnin udhëheqjen e Moisiut për ti shpëtuar nga faraoni mizor.