Tentuan të trafikojnë 1.2 ton drogë në Itali, arrestohen 3 persona

Tre persona janë arrestuar nga policia me urdhër të Prokurorisë për Krimet e Rënda, pasi në dhjetor të vitit të kaluar kanë tentuar të trafikojnë 1,2 ton kanabis nga Vlora drejt Italisë. Ndaj Fatmir Face, Saimir Osmria dhe Murat Marta u caktua masa e sigurisë arrest me burg nga Gjykata për akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike të mbetur në tentativë. Në bazë të një hetimi të Prokurorisë për Krime të Rënda, nisur nga referimi i Policisë së Shtetit, Gjykata ka caktuar masën e sigurimit ‘arrest në burg’ për disa persona, të dyshuar se po përgatiteshin të trafikonin mbi 1.2 ton lëndë narkotike kanabis sativa nga Vlora në drejtim të Italisë.
Në bazë të veprimeve hetimore, ka rezultuar se më datë 23.12.2016 nga ana e punonjësve të Policisë së Kufirit dhe Migracionit Vlorë gjatë patrullimit që ata kryenin në breg të detit mes Stacionit të Policisë Kufitare dhe molit që shërben për ankorimin e anijeve në Petroliferë është konstatuar një automjet. Në momentin që është afruar policia, personat që kanë qenë në mjet janë larguar me shpejtësi, duke lënë mjetin e braktisur.
Në momentin që janë afruar tek mjeti, forcat e policisë kanë konstatuar se mjeti ishte një kamion tip frigoriferik, ku pranë tij në tokë janë gjetur pako të mbështjella me natriban. Gjithashtu është vënë re se dhe në brendësi të automjetit ka patur pako të tjera të mbështjella me natriban. Fillimisht për shkak të karakteristikave të pakove të gjetura, të cilat janë sekuestruar më pas me cilësinë e provës materiale është dyshuar se në to, të gjendeshin lëndë narkotike e llojit kanabis sativa.
Nga ana e forcave të policisë janë kryer veprimet e para hetimore me iniciativë, duke u sekuestruar lënda e dyshuar si narkotike. Në afërsi të mjetit të ngarkuar me lëndë narkotike janë gjetur dhe dy mjete të tjera. Në mjetin kamion janë gjetur 116 pako të mbështjella, të cilat pas peshimit rezulton të kenë peshën 1240 kg e 100 gramë.
Në vijim të veprimeve proceduriale, Prokuroria për Krime të Rënda ka evidentuar disa persona të dyshuar si pjesëmarrës në këtë aktivitet të paligjshëm dhe ka kërkuar në Gjykatën për Krime të Rënda caktimin e masës së sigurisë për personat e dyshuar, kërkesa e cila është pranuar nga Gjykata.