SHISH zbulon parcelat me kanabis në fshatin e Tahirit

Në fshatin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri janë zbuluar dje disa parcela me kanabis. Burime nga policia bënë të ditur se, informacioni në lidhje me këto parcela droge është dhënë nga SHISH. Burimet thanë se, në fshatin Gusmar të Tepelenës ndodhen 3 parcela të mëdha me më shumë se 3 mijë rrënjë kanabis sativa. Pas marrjes së informacionit nga SHSIH, operacioni ka nisur në orën 03:00 të mëngjesit dhe kanë marrë pjesë forca të shumta të FNSH-së, të Policisë së Tepelenës dhe nga Ministria e Brendshme. Burimet thanë se, zona ku ishte mbjellë droga ishte 2 orë në këmbë nga Tepelena. Bëhet e ditur se, gjatë operacionit policor janë shkatërruar 2 mijë rrënjë kanabis sativa.
Duke ditur se një pjesë e mirë e drejtuesve të policisë janë me origjinë nga kjo zonë, ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj ka qenë vetë në krye të aksionit për t’i dhënë zemër policëve. Bëhet e ditur se Demiraj e ka vëzhguar nga afër aksionin përgjatë gjithë kohës. “Ministri Demiraj është i vendosur ta pastrojë Shqipërinë nga harta e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike”, njofton zyra e tij, në një njoftim për mediat.
Bëhet e ditur se, lëndë narkotike janë zbuluar edhe në fshatin Nivicë të Tepelenës në zonën e thepisur të quajtur Backovë. Gjatë operacionit përveç parcelave me kanabis janë gjetur edhe kubikë me kanabis e fishekë. “650 bimë të kultivuara, të dyshuara narkotike kanabis sativa” u gjetën në fshatin Gusmar të Tepelenës”, thuhet në njoftimin e policisë. Policia bën të ditur se është ndaluar kryeplaku i fshatit Gusmar, 29-vjeçari E.K. Policia bën të ditur se gjatë operacioneve në Tepelenë janë shkatërruar gjithsesj 2 mijë rrënjë kanabis.
Kultivimi i kanabisit mori një hov të gjerë gjatë katër viteve të qeverisë së “Rilindjes”. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur pushtimi masiv i vendit nga kanabisi siç ndodhi në katër vitet e shkuara, me mbikëqyrjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në fshatin e Tahirit kultivimi i kanabisit bëhej nga trafikantët në bashkëpunim me policinë. Edhe pse në shumë raste u denoncuan me foto parcelat e mbjella me kanabis, policia nuk ndërhynte për t’i shkatërruar, sepse pas këtyre plantacioneve me drogë qëndronte vetë Tahiri.
Ishin vetë kryepleqtë e fshatrave që denoncuan policinë për bashkëpunim me trafikantët në kultivimin e kanabisit. Tahiri gjatë kohës që ishte ministër i Brendshëm nuk lejoi helikopterin italian që të patrullonte mbi Tepelenë për të verifikuar parcelat me kanabis.
Droga e mbjellë në Tepelenë u grumbullua në magazinat dhe tunelet e ushtrisë dhe pasi u përpunua u trafikua jashtë shtetit. Tonelatat e drogës ruheshin me Ramën nga forcat e policisë dhe trafikantët.
Policia bënte gjoja sikur organizonte aksione për shkatërrimin e parcelave me kanabis, por në fakt shkatërronte ato parcela, të cilat nuk zotëroheshin nga Tahiri dhe njerëzit e tij, por të disa “hallexhinjve”. Apo më keq akoma, korrte kanabisin, pasi ishte vjelë droga nga trafikantët.
Droga e kultivuar në vitin 2016 vazhdon ende të trafikohet drejt Italisë dhe Greqisë. Autoritetet italiane kanë shprehur shqetësim për trafikun e drogës nga Shqipëria. Para katër ditësh u sekuestrua në Itali 1.5 ton drogë e futur nga brigjet shqiptare. Kjo sasi droge dhe tonelatat e tjera që kanë mundur të futen në Itali i përket grupit të fuqishëm të trafikantëve që kanë lidhje direkt me zyrtarët e lartë të policisë.

R.POLISI