Mazrekaj kalon te FK Prishtina

Merr fund saga Mentor Mazrekaj. Të martën ai është prezantuar zyrtarisht si futbollist i Prishtinës, pas negociatave që zgjatën disa ditë mes tij dhe klubit. Më 19 korrik, presidenti i Partizanit, Gazmend Demi kishte rënë rakord me presidentin e Prishtinës Remzi Ejupin që Mazrekaj të transferohet te bardhekaltërit, megjithatë derisa Prishtina gjeti gjuhën e përbashkët për të plotësuar kërkesat e 28-vjeçarit kaluan disa ditë.
Mazrekaj ka nënshkruar kontratë 1-vjeçare dhe sipas burimeve është bërë futbollisti më i paguar në Superligën e Kosovës. Në këtë mënyrë, mesfushori ofensiv i ka dhënë fund karrierës së suksesshme te Partizani ku luajti për 4 sezone. Ai rikthehet te Prishtina ku ka fituar gjithçka çfarë fitohet në futbollin kosovar. Për 4 vite me bardhekaltërit ka zhvilluar 104 ndeshje dhe ka shënuar 16 gola.