Elozhe për Besnik Hasin

“Gazzetta.gr” në Greqi ngre në qiell trajnerin shqiptar në ndeshjen e parë zyrtare në një transfertë delikate si ajo në fushën e Partizanit, ku Olympiacos dominoi në lojë dhe rezultat. “Ajo fitore u ndërtua prej tij dhe merita i shkon vetëm Hasit”, thekson gazeta prestigjioze greke që i njeh meritat trajnerit shqiptar duke shtuar se fitorja 3-1 i jep shumë besim trajnerit që u pa me skepticizëm nga ambienti dhe tifozët e Olympiacos vetëm për faktin se është shqiptar. Në vijim të shkrimit, “gazzetta.gr” shton se zgjedhjet që Hasi bëri i dhanë të drejtë, duke ushtruar presing në gjysmëfushën e kundërshtarëve për ta kapur Partizanin e Beogradit në befasi.
“Hasi ka ndërtuar një skuadër të disiplinuar dhe të qartë në veprime, pasi të vetmet momente të rrezikshme ishin ato kur vetë lojtarët e Olympiacos gabonin. Ajo ndeshje në fushën e Partizanit ishte e vështirë për shumë arsye, pasi Olympiacos hasi në shumë pengesa, por rezultoi një fitore e lehtë. Në fund të fundit, puna e mirë që Hasi ka bërë duhet njohur, për pjesën tjetër do të jetë një rrugë e gjatë dhe e vështirë”, theksoi në fund gazeta greke.
Edhe portali “Sportdog.gr” veçon punën e bërë nga Hasi që i ka ndryshuar fytyrën Olympiacosit, duke e shndërruar në një skuadër ofensive. “Trajneri mori vendimet e duhura dhe bëri një punë të shkëlqyer duke hedhur në fushë lojtarët më të mirë për të dominuar Partizanin në një fushë shumë të nxehtë”. Më pas ky portal analizon gjithë repartet e skuadrës nga Pireu, duke dalë në përfundimin se trajneri shqiptar ua ka mbyllur gojën skeptikëve me punën që po bën në heshtje me skuadrën më të suksesshme të Greqisë.