Edhe BE në aksion ndaj Polonisë

Bashkimi Evropian thotë se do ta fillojë aksionin juridik kundër Polonisë për shkak të reformës kundërthënëse gjyqësore, për të cilën kritikët thonë se i jep Partisë për Ligj dhe Drejtësi në qeveri, ndikim tejet të madh në gjykata.
Në kumtesën e djeshme, Komisioni Evropian tha se në fokus të këtij aksioni është legjislacioni, i cili dy ditë më parë është nënshkruar nga presidenti i Polonisë, Andrzej Duda. Ky ligj e lejon ministrin e Drejtësisë, i cili është edhe prokuror i Përgjithshëm, që t’i emërojë shefat e të gjitha gjykatave më të ulëta.
Megjithatë, zoti Duda i ka kënaqur protestuesit në Poloni duke i paraqitur veto një legjislacioni tjetër kundërthënës me të cilin parashihej që ministri i Drejtësisë të ketë të drejtë t’i shkarkojë të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe t’i zgjedhë gjyqtarët e tjerë.
Komisioni Evropian tha se po e lanson një “procedurë për shkelje kundër Polonisë, për shkak të mosrespektimit të legjislacionit të BE-së”, lidhur me legjislacionin që e ka nënshkruar presidenti Duda.