Ish-kreu i Hipotekave do të dëshmojë ndaj Shullazit

Ish-kreu i Hipotekave, Ilirjan Muho do të jetë dëshmitari i radhës që do të dëshmojë në Gjykatën e Krimeve të Rënda në procesin ndaj Emiliano Shullazit dhe anëtarëve të tjerë të bandës. Pas kërkesës së Prokurorisë, trupi gjykues ka pranuar të thërrasë Muhon në cilësinë e dëshmitarit në lidhje me pronësinë e ish-hotel “Vollgës”, ndërsa krahas tij në Gjykatë do të dëshmojnë edhe pronarët shqiptarë të ish-hotelit Fejzi Kodra dhe Luljeta Kodra.
Gjatë seancës së kaluar, ish-kryeregjistruesi i Durrësit, Jurgis Çyrbja, deklaroi se kishte diskutuar disa herë me kryregjistruesin Ilirjan Muho për këtë çështje. Procesi do të zhvillohet në 12 shtator për shkak të pushimeve të verës.
Ndërkohë në seancën e kësaj here u paraqit para Gjykatës noterja Drita Pepi, e cila u pyet për noterizimin e dy aktmarrëveshjeve në zyrën e saj mes Ylvi Beqajt dhe Emiliano Shullazit. Pepi tha se kjo kishte ndodhur në vitin 2014 dhe se nënshkrimi i kontratave ishte bërë me vullnet të dyja palëve.
Ndërsa një tjetër dëshmitar Nazmi Çanga nga Fushë Preza dëshmoi në Gjykatë se me Ylvi Beqajn kishin marrëdhënie miqësie, ndërsa ky i fundit i kishte marrë një hua prej 150 mijë eurosh, të cilën nuk ia kishte kthyer më. Gjithashtu sipas Çangës, Beqja u kishte marrë para borxh edhe disa bashkëfshatarëve të tij, për të cilat ai vetë ishte bërë garant. Dëshmia e Çangut u kundërshtua pjesërisht nga Prokuroria.