Me bombë “molotov” ndaj zyrës së Ramës

Një i ri nga Fieri ka gjetur një mënyrë ekstreme për të shprehur revoltën e tij ndaj qeverisë. I revoltuar nga moszgjidhja e halleve në zyrat e shtetit, Ardian Peshtanaku ka ardhur nga Fieri ku banon, ka përgatitur bombën “molotov” dhe e ka vërvitur drejt selisë së qeverisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ka qenë ora 13:30 e ditës së hënë kur nuk kishte njerëz në rrugë në momentin kur ai qëlloi me bombë molotov godinën e Kryeministrisë.
25-vjeçari Peshtanaku pasi i vuri flakën shishes me benzinë, e hodhi para godinës së Kryeministrisë. Nga shpërthimi pati vetëm dëme të lehta materiale, ndërsa i riu pas këtij veprimi u ndalua nga Garda dhe më pas iu dorëzua policisë. Gjatë marrjes në pyetje nga policia, ai ka treguar arsyet e këtij veprimi. Sipas burimeve, 25-vjeçari Peshtanaku ka rrëfyer në polici se, këtë akt e ka kryer për shkak se, “ka disa probleme që nuk po i zgjidhen nga qeveria”. “Jam i mërzitur me shtetin që nuk më zgjidh hallet”, është shprehur përpara policisë 25-vjeçari.
Policia bëri të ditur dje nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, ngjarja ndodhi mesditën e të hënës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” tek godina e Kryeministrisë, ndërsa nga hedhja e lëndës plasëse nuk ka të lënduar, përveç dëmeve materiale. “Më datë 24.07.2017, u arrestua në flagrancë shtetasi A. P. 25 vjeç, banues në Fier, sepse në orën 13:30, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, ka hedhur një shishe me lëngë ndezëse, e cila ka shpërthyer po pa shkaktuar probleme në njerëz”, thuhet në njoftimin e policisë. Oficerët e Policisë së Komisariatit Nr.1 në Tiranë kanë ngritur akuzë ndaj të riut për “shkatërrim prone me dashje”.
Nuk dihet se çfarë problemesh nuk i janë zgjidhur nga shteti të riut nga Fieri, por ai ka deklarur se ka hedhur bombën molotov mbi Kryeministrinë për të shprehur revoltën e tij. Ashtu si në të gjithë vendin edhe në Fier, qytetarët po përballen me arrogancën e qeverisë nëpër zyrat e shtetit. Shumë qytetarë sorollaten me ditë e javë të tëra në zyrat e shtetit pa mundur të zgjidhin hallet e tyre. Një nga problemet më të mëdha që hasin qytetarët është problemi i pronësisë. Edhe pse qeveria e ka për detyrë të bëjë kompensimin e pronave për pronarët, një gjë e tillë bëhet vetëm nëse u jep 20 përqindshin zyrtarëve të qeverisë së Ramës.
Rama këto ditë ka nisur dëgjesat me popullin, por në të gjitha takimet që ka zhvilluar deri tani nuk ka zgjidhur hallet e problemet e qytetarëve, por ka bërë shou. Në një nga këto “dëgjesa”, një ditë më parë një qytetare nga Shkodra i deklaroi Ramës se, prej tre vitesh nuk i zgjidhej problemi i saj i pronësisë edhe pse i kishte dokumentat e rregullta. Ajo tha se, ishte socialiste dhe e sorollasnin nëpër zyra pa i zgjidhur hallin. Rama i indinjuar i rrëmbeu mikrofonin socialistes dhe nuk e lejoi të fliste. “Atëherë po e mbyll gojën”, u shpreh e revoltuar qytetarja. Po ashtu, Rama u ka ndërprerë fjalën edhe mjaft qytetarëve të tjerë që kërkonin zgjidhjen e halleve në zyrat e shtetit dhe lejonte të flisnin vetëm ata që i thurnin elozhe Ramës dhe zyrtarëve të tij.
Që të zgjidhësh një hall në zyrat e shtetit duhet të paguash shuma të majme, por qytetarët hallexhinj nuk kanë asnjë mundësi që të paguajnë zyrtarët e korruptuar. Korrupsioni drejtohet nga vetë Rama, i cili merr pjesën e tij, ndërsa pronarët sorollaten nëpër zyra. Vetëm ata që kanë paguar 20 përqindëshin kanë arritur të marrin kompensimin, ndërsa pjesa dërrmuese vazhdojnë të sorollaten nëpër zyra, duke iu sosur durimi.
Sulmi i të riut me bombë molotov ndaj zyrës së Ramës flet për revoltën e qytetarëve ndaj qeverisë. Në mjaft raste të tjera, qytetarët kanë ndërmarrë veprime ekstreme, pasi nuk arrijnë të zgjidhin hallet e tyre në zyrat e shtetit. Mjaft qytetarë kanë hipur në tarraca pallatesh apo në majën e oxhakut të Uzinës së Naftës, siç qe rasti i një qytetari në Ballsh para disa kohësh. Naftëtari kishte 4 muaj pa marrë rrogën dhe u desh që ai të ndërmerrte një veprim ekstrem që shteti t’i jepte hakun e djersës së tij.

R.POLISI