Rey Manaj drejt Carpit

Ditë vendimtare për të ardhmen e sulmuesit shqiptar të Interit, Rey Manaj. Pas një sezoni plot dritëhije mes Milanos dhe Piza-s, bomberi kuqezi tashmë shikon drejt një tjetër horizonti. Skuadra nga provinca e Modenas që këtë sezon do të luajë në Serie B, synon të huazojë lojtarin e lindur në Lushnjë. Disa ditë më parë, marrëveshja mes klubeve ishte shumë pranë finalizimit, por situata nuk ka ndryshuar. Manaj vazhdon të mbetet një lojtar i Interit dhe me afrimin e trajnerit Calabro, Manaj mund të hedhë të zezën mbi të bardhë gjatë ditëve të ardhshme.
Nuk bëhet e ditur nëse 20-vjeçari do të huazohet apo do të transferohet përfundimisht te Carpi, por kjo lëvizje mund të rezultojë e duhura për lojtarin që kërkon më shumë hapësira, çka nuk ia siguron aspak trajneri Luciano Spalleti. Gjatë sezonit të shkuar në radhët e Piza-s, Manaj u aktivizua 17 ndeshje, por nuk arriti të linte gjurmë pasi shënoi vetëm 2 gola duke mos e ndihmuar skuadrën e Gatusos për të mbijetuar në Serie B.