Prezantohet Danilo

Danilo Luiz da Silva është zyrtarisht futbollist i Manchester City-t. 26-vjeçari brazilian u prezantua si blerja më e re nga trajneri Pep Guardiola dhe shefi ekzekutiv Soriano, për të programuar më pas nisjen drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do t’u bashkohet Citizens për fazën përgatitore. Danilo firmosi kontratë 5-vjeçare, me City-n që shpenzoi 26.5 milionë paund për kartonin e tij, para që shkuan në arkat e Realit të Madridit. “Për mua është një ditë e madhe sepse po firmos për një klub të madh, si Manchester City. Shpresoj të përmbush pritshmëritë dhe të fitoj Champions League-n me skuadrën time të re. Para është një sfidë të cilën dua ta fitoj”, u shpreh Danilo.
Fakti që për Danilon këmbënguli Pep Guardiola, ishte një motiv më shumë për brazilianin për t’i thënë po ofertës së City-t. “Guardiola ka patur shumë peshë në këtë vendim timin, sepse e dashuroj stilin e lojës që ai aplikon. U binda edhe më shumë nga biseda që pata me të. Mezi po pres të nis punën me trajnerin tim të ri. Jo vetëm Guardiola, por edhe projekti ambicioz i klubit më shtyu të vija këtu”, tha ai.
Danilo është një futbollist që përshtatet në disa pozicione dhe pikërisht kjo aftësi e tij i ka dhënë avantazh në përmbylljen me sukses të bisedimeve mes Realit të Madridit dhe Manchester City-t.
“Mendoj se një lojtar që luan në disa role ka një avantazh të madh në këto nivele dhe është shumë i rëndësishëm për skuadrën. Përgjithësisht kam luajtur si anësor i djathtë, por Guardiola më tha se mund të vendosem edhe në të majtë apo në mesfushë, por për mua më shumë rëndësi ka që të jem pjesë e formacionit”, tha Danilo.
Por çmenduria e transferimeve në skuadrën angleze nuk ka fund. Edhe pse momentalisht janë shpenzuar plot 133 milionë paund për 2 mbrojtësa dhe 1 portier, klubi nga Mançesteri është gati për një tjetër goditje në merkato. Bëhet fjalë për mbrojtësin e majtë të Monakos, Benjamin Mendi. 52 milionë paund është oferta që Siti i ka bërë klubit francez për transferimin e 23-vjeçarit në Mançester. Mediat angleze raportojnë se kampionët e Francës, e kanë pranuar ofertën marramendëse dhe mbrojtësi pritet të transferohet shumë shpejt në Premier Ligë.
Në këtë mënyrë, mbrojtja që Pep Guardiola do të ketë në dispozicion do të jetë më e shtrenjta e historisë së futbollit, por ndoshta jo më e mira. Në total shpenzimet për repartin difensiv kapin shifrën e 185 milionë paund.