Pazaret e Olsi Ramës me lojërat e fatit, kompanitë ngrihen në protestë

“Monitor”

Koncesioni për ndërtimin e sistemit të monitorimit online të lojërave të fatit ka ndezur një konflikt mes kompanive të këtij sektori, të përfaqësuar nga Shoqata e Shoqërive të Lojërave të Basteve Sportive dhe Ministrisë së Financave.
Shoqata ankohet se koncesioni, i miratuar në mars të këtij viti, dublon rolin e Autoritetit të Monitorimit të Lojërave të Fatit, duke i detyruar kompanitë të paguajnë disa herë tarifa për një shërbim që duhet ta kryente autoriteti.

Koncesioni

Qeveria, në mars të këtij viti, shpalli fituesin e koncesionit që do të ndërtojë Sistemin Qendror të Monitorimit të Lojërave të Fatit. Bashkimi i kompanive “Admiral Sportwetten” GmbH & “ATSI” spolka akcyjna & “MC Networking” sh.p.k. paraqitën edhe ofertën fituese përballë një tjetër kompanie siç ishte “Qualysoft” GmbH & “Comtrade”, d.o.o & “Starsat International” sh.p.k. & “Communication Progress” sh.p.k. Përfaqësuesja në Shqipëri e fituesit është kompania “Mc Networking” dhe ka një kapital të regjistruar prej 17.9 milionë lekë. Kompania ka në objekt të saj një listë të gjatë opsionesh që nis nga tregtia me pakicë dhe shumicë e kompjuterëve, aksesorëve të ndryshëm kompjuterikë, aksesorë të ndryshëm elektronikë, aksesorë të ndryshëm të informatikës, shërbim interneti me shumicë dhe pakicë, shërbim interneti me fibër optike e deri te monitorimi i shtypit apo import-eksport. Koncesioni për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të monitorimit të lojërave të fatit është parashikuar të jetë 30 vjet. Në fakt, ideja e një koncesioni për sistemin e monitorimit nuk është diçka e re. Edhe në kohën e qeverisë Berisha u lakua kjo mundësi, e cila erdhi si rrjedhojë e konkluzioneve të nxjerra nga një studim që u bë me mbështetjen e PNUD në Shqipëri.

Pretendimet e shoqatës në gjykatë

Në shkresën përmbledhëse të çështjes, shoqata thekson se sipas ligjit është Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit ai që ka përgjegjësinë për mbikëqyrjen dhe kontrollin e zbatimit të ligjshmërisë gjatë ushtrimit të veprimtarisë në fushën e lojërave të fatit. Në këtë kontekst, kompanitë e lojërave të fatit paguajnë në llogarinë e AMLF 3% të të ardhurave bruto nga loja, por jo më pak se 1.5 milionë lekë në vit për secilin subjekt. “Rrjedhimisht, çdo shpenzim të nevojshëm që ka apo mund të ketë AMLF, si person juridik për të kryer detyrën e përcaktuar me ligj, duhet ta mbulojë me të ardhurat që disponon në bazë të buxhetit të saj, pasi kjo është arsyeja pse shoqëritë e licencuara paguajnë tarifën 3% sipas nenit 14 të ligjit. Në rast se një pjesë e mirë e detyrës do të kryhet nga një operator privat me anë të sistemit online, rrjedhimisht roli i AMLF-së ulet ndjeshëm dhe automatikisht, edhe shpenzimet e saj do të ulen, pasi nuk do të jetë më e njëjta ngarkesë pune. Atëherë nuk ka arsye pse shpenzimet e sistemit të mos paguhen nga fondi i të ardhurave të AMLF-së”, thuhet në pretendimin e shoqatës. Kjo e fundit pretendon se aktet normative bien ndesh me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, pasi në rastin konkret interesi është tërësisht i njëanshëm dhe të ardhurat nga tarifa e mirëmbajtjes nuk do të shkojnë në buxhet. Në këto kushte, shoqata kërkon vendosjen e një balance ndërmjet interesit publik përfaqësuar nga shteti dhe tarifës së mirëmbajtjes së një sistemi monitorimi e “pajustifikuar dhe e dispropocionuar në kosto”. Te pretendimet e shoqatës nënvizohet edhe fakti që ka një rritje të vazhdueshme të kostove, ku përveç 756 mijë eurove që do të paguhen për sistemin e monitorimit, në bazë të ligjit kompanitë e basteve paguajnë edhe 0.5% të xhiros vjetore. Kjo xhiro, sipas këtij segmenti, rezulton 72 milionë euro në vit, çka automatikisht e çon detyrimin për t’u paguar në 360 mijë euro. “Në total, për tarifën ditore dhe xhiron vjetore, kategoria e basteve paguan ndaj operatorit shumën 1.12 milionë euro”, thuhet në llogaritjen e shoqatës. Kjo e fundit rendit se vetëm për monitorimin sot paguhen tri tatime dhe tarifa: 3% e të ardhurave bruto nga loja, por jo më pak se 1.5 milionë lekë në vit për monitorimin nga AMLF, 0.5% mbi xhiron vjetore që faturon organizatori për mirëmbajtjen e sistemit online dhe së treti 0.70 euro pa TVSH si tarifë ditore për çdo qendër basti për mirëmbajtën e sistemit online. Shoqata pretendon se ka një shkelje të nenit 18 të Kushtetutës që lidhet me parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit, kjo në raport me mënyrën si janë trajtuar kazinotë elektronike dhe Lotaria Kombëtare. Në vëmendje sillet edhe aspekti se nuk ka një llogaritje të drejtë për tarifën e mirëmbajtjes, sepse kjo nuk është e bazuar sipas shoqatës në koston që ka operatori që ka fituar koncesionin. “Në rastin konkret, tarifimi paguhet mbi përqindjen e xhiros vjetore dhe tarifim për çdo njësi dhe jo mbi fitimin e shoqërive. Shërbimi i mirëmbajtjes nuk mund të jetë në përqindje mbi xhiron, por duhet të bazohet mbi kostot reale që i duhen operatorit që ndërton sistemin për mirëmbajtjen e sistemit. Tarifimi mbi xhiron është i padrejtë në kushtet kur shpenzimet e sistemit janë shumë herë më të vogla sesa përqindja që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara”, thuhet në pretendimin e shoqatës.

“Lumë” shkresash pas Kushtetueses

Menjëherë pas marrjes dijeni mbi dorëzimin e kërkesës nga ana e Shoqatës së Shoqërive që Operojnë në Fushën e Lotove dhe Basteve Sportive në Gjykatën Kushtetuese duket se është vënë në lëvizje i gjithë zinxhiri i institucioneve të përfshira në procesin që lidhet me koncesionin e sistemit të monitorimit të lojërave të fatit. Burime pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit konfirmuan se ka një “lumë” shkresash të shkëmbyera mes Ministrisë së Financave dhe këtij institucioni, ku kërkojnë detaje mbi kërkesën e ngritur në gjykatë. Në një shkresë të datës 5 korrik, drejtuar sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Financave, Gelardina Prodani, kreu i AMLF, Zhani Çakuli, jep edhe detajet mbi çështjen që ka mbërritur në Kushtetuese dhe pretendimet e shoqatës. “Së pari, në lidhje me pretendimin për cenimin e lirisë ekonomike që parashtron kërkuesi, mendojmë se parashikimet ligjore përmes të cilave shteti synon rregullimin e kushteve ku veprojnë operatorët ekonomikë në vetvete përfshijnë masa të cilat sjellin detyrime monetare, por kjo qartazi shprehur nga jurisprudenca dhe Gjykata Kushtetuese, nuk mund të trajtohet si cenim i lirisë ekonomike. Parashikimi i një mekanizimi të ri që sjell një model të ri mbikëqyrjeje për shumat që qarkullojnë operatorët në tregun e lojërave të fatit nuk mund të goditet me arsyetimin që cenon lirinë ekonomike. Ky është një sistem që në thelb synon rritje transparence në një sektor problematik si ai i lojërave të fatit, aq më tepër në një moment të tillë kur nevoja për transparencë dhe gjurmim të çdo transaksioni është emergjente, kjo edhe në respektim të rekomandimeve të Task Forcës për Veprimet Financiare. Në përputhje me rëndësinë që paraqet evidentimi në kohë reale i informacionit presim të garantohet përmes implementimit të SQMO-së mirëmbajtja e tij dhe mirëfunksionimi është thelbësor”, thuhet në shkresën e AMLF. Lidhur me cenimin e parimit të propocionalitetit i ngritur nga shoqata AMLF vlerëson se detyrimi që legjislatori i ka njohur subjekteve lojëra fati të trajtohet në kapërcim të nevojave dhe i kryer me mjete të papërshtatshme dhe përfitimi të jetë më i vogël se e drejta që cenohet. “SQMO-ja dhe rëndësia e të dhënave që eventualisht do të sigurojë dhe vërë në përdorim të institucioneve shtetërore justifikon dhe çdo detyrim mirëmbajtje pasi duhet garantuar vërtetësia, moscenueshmëria, funksionimi në vazhdimësi, ruajtja e informacionit dhe verifikimi i tij, pamundësia e cenimit apo ndërhyrjeve nga palët në informacionin që eventualisht do të mblidhet dhe administrohet përmes tij”, nënvizon Autoriteti. Lidhur me pretendimin e cenimit të barazisë i njëjti institucion vlerëson se kjo nuk qëndron pasi kjo do të ndodhte vetëm nëse brenda kategorisë së basteve sportive, operatorë të ndryshëm do të ishin objekt taksimi i diferencuar. Në fund, AMLF ka sqaruar se SQMO-ja nuk krijon përfitime për autoritetin, por siguron informacion sensitiv e për pasojë nevoja e sigurimit të tij është primare. “Informacioni që eventualisht do të administrohet përmes Sistemit Qendror të Monitorimit të Lojërave të Fatit është i rëndësishëm për rregullimin e tregut ku veprojnë operatorët e lojërave të fatit, shmangien dhe minimizimin e shkeljeve që sjellin pasoja direkte në buxhetin e shtetit, përmes një taksimi real për çdo operator në fushën e lojërave të fatit duket shmangur evazionin fiskal dhe konkurrenca e pandershme”, thuhet në mbyllje të shkresës firmosur nga kreu i AMLF, Zhani Çakuli.

Rama i dha koncesionin Olsit në mars të 2017

Në mars të këtij viti, përmes një koncesioni abuziv, Edi Rama i ka dhënë vëllait të tij Olsi Rama marrjen nën kontroll të aktivitetit të lojërave të fatit, me qëllim pastrimin e parave të pista. Në kundërshtim me të gjitha procedurat ligjore, koncesioni i është dhënë kompanisë, Mc Networking, e cila zyrtarisht figuron në pronësi të ortakut të Olsi Ramës, Endri Meksi. Me këtë të fundit, Olsi Rama është bashkortak në kompaninë “Pegasus Communication”. Rama i besoi në kundërshtim me çdo ligj kompanisë të vëlla Olsit kontrollin e lojërave të fatit dhe dokumentet përkatëse. Sipas sqarimit të bërë publikisht nga një ekspert i lojërave të fatit, “Shoqëria fituese, do të ndërtojë dhe mirëmbajë këtë sistem. Çdo subjekt i lojërave të fatit do të paguajë një fee (faturë) për çdo pajisje, fee, e cila do të përfitohet nga koncesionari, për investimin dhe mirëmbajtjen e kryer nga ai. Pavarësisht se emërtimi, nuk është i tillë, kjo kontratë ka shumë elementë të njëjtë me atë të koncesionit. Përmbledhje mbi procedurën përzgjedhëse të operatorit që do të ndërtojë sistemin e Monitorimit të Lojërave të Fatit Online”. Më tej sqarohet se, “në dhjetor të 2015, pas shumë shtyrjesh u miratua Ligji i ri ‘Për lojërat e fatit’. Në nenin 48/2 të tij parashikohet se Këshilli i Ministrave përcakton mënyrën dhe kriteret e përzgjedhjes së operatorit që do të ndërtojë sistemin qendror të monitorimit online, autoritetin përgjegjës që do të kryejë procedurat e përzgjedhjes, si dhe tarifën e mirëmbajtjes së Sistemit Qendror të Monitorimit Online që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara”. Në bazë të kësaj dispozite, me VKM nr. 647, datë 14.09.2016, u përcaktuan kriteret e përzgjedhjes së operatorit që do të ndërtojë sistemin e monitorimit, si dhe Ministria e Financave, si autoriteti përgjegjës për zhvillimin e procedurës përzgjedhëse. Eksperti citon se, “Ministria e Financës shpalli procedurën përzgjedhëse për t’u zhvilluar në datë 12.01.2017, datë e cila e shty për më 23.01.2017. Nga ana tjetër, Endri Meksi, ortak i shoqërisë “PEGASUS COMMUNICATIONS” shpk, e regjistruar më 20.05.2014, me ortakë Olsi Ramën (35%) dhe Endri Meksin (35%) dhe Amant Josifin (30%), në datën 17.01.2017 (pra pak ditë para hapjes së ofertave) ia shet pjesën e tij (35%) një të treti dhe mbetet vetëm administrator, së bashku me Olsi Ramën, në këtë shoqëri”. “Në garë morën pjesë vetëm dy JV (joint ventures): 1. Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Admiral Sportwetten” GmbH & “ATSI Spolka Akcyjna” & “MC Networking” shpk (fituesi) 2. Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Qualysoft” GmbH & “Comtrade” d.o.o & “Starsat International” shpk & “Communication Progress” shpk. Shoqëria shqiptare e JV fitues, “MC Networking” shpk, zotërohet 100% nga Endri Meksi, formalisht ish-ortaku dhe bashkadministratori me Olsi Ramën tek shoqëria “PEGASUS COMMUNICATIONS” shpk.

Pse Rama mbajti sekret tarifat e koncesionarit mbi lojërat e fatit

Në prill të këtij viti, ashtu sikurse parashikohej në ligj, qeveria miratoi me një vendim të veçantë tarifat që do të aplikohen nga ana e koncesionarit mbi lojërat e fatit në funksion të shërbimit që lidhet me ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit. Vendimi në fjalë nuk është publikuar në faqen e Kryeministrisë bashkë me vendimet e tjera të miratuara në datë 12 prill. Por cilat janë tarifat që do të aplikojë koncesionari mbi pikat e basteve, kazinotë elektronike dhe Lotarinë Kombëtare? Sipas vendimit, tarifa ditore për çdo pikë bastesh në vend do të jetë 0.70 euro ose 21 euro në muaj.
Kjo e çon totalin që do të paguajë një pikë basti në 252 euro në vit. Aktualisht sipas shifrave të deklaruara nga shoqata e shoqërive që operojnë në fushën e lotove dhe basteve sportive në treg janë rreth 3 mijë pika. Kjo do të thotë që totali që do të paguajnë pikat e bastit te koncesionari është 756 mijë euro. Kategoria e dytë që do të paguajë tarifë për sistemin e monitorimit është ajo e kazinove elektronike që do të jetë 1.25 euro për çdo aparaturë apo makinë loje. Kjo do të thotë që për një aparaturë në muaj do të paguhet 37.5 euro, çka në një vit e çon detyrimin për t’u paguar në 450 euro. Deri në vitin 2013, zyrtarisht rezultonin në treg 2200 aparate të instaluara brenda kazinove elektronike. Me këtë shifër, detyrimi total që ky segment do të paguajë është 990 mijë euro nëse do të kemi të njëjtën sasi makinash.
Lidhur me Lotarinë Kombëtare, tarifa që është parashikuar për t’u paguar është 1 euro në ditë për njësi. Sipas faqes zyrtare të Lotarisë Kombëtare në të gjithë vendin rezultojnë rreth 425 njësi që tregojnë lojërat e kësaj kompanie. Kjo do të thotë që çdo njësi do të paguajë në muaj 30 euro dhe në vit 360 euro ndaj koncesionarit. Në total, gjithë njësitë do të paguajnë 153 mijë euro për sistemin e monitorimit. Duke mbledhur të ardhurat nga të tre segmentet rezulton që koncesionari do të arkëtojë rreth 1.9 milionë euro. Të gjitha llogaritjet nuk kanë të përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Mbetet e paqartë se cili do të jetë fitimi i koncesionarit në këtë aspekt për aq kohë sa specifikimet me të cilat është rënë dakord edhe me qeverinë nuk janë bërë publike, përfshirë shpenzimet që do të ketë ndërtimi dhe mirëmbajtja e sistemit në një afat 30-vjeçar.