Neymar qëndron tek Barcelona!

Seriali “Neymar” është pasuruar me një episod tjetër që ndryshon linjën e diskutimeve për të ardhmen e futbollistit. Ditët e kaluara u fol për kalimin pothuajse të sigurt të brazilianit në drejtim të Paris Saint Germain, por duket se situata është kthyer në favor të Barcelonës pasi 25-vjeçari ka vendosur të qëndrojë te katalanasit.
Ishte Gerard Pique ai që vendosi të qetësojë tifozët e Barcelonës teksa në rrjetet sociale postoi një foto të tij me Neymar të shoqëruar me mesazhin: Qëndron këtu. Një postim që gjeti një pasqyrim të gjerë në media sidomos atë katalanase, të cilat filluan të zbulojnë edhe detajet në lidhje me përpjekjet e bëra nga Barcelona për të mbajtur yllin brazilian në radhët e saj.
Sipas “Sport”, pasditen e së premtes Barcelona, nëpërmjet përfaqësuesve të futbollistit, morën sinjalet e largimit të Neymar nga skuadra. Në këtë moment klubi vendosi të vërë në lëvizje të gjitha mekanizmat dhe këtu ishte edhe përfshirja e futbollistëve kyç të saj.
Mësohet se Lionel Messi dhe Luis Suarez zhvilluan një bisedë me Neymar që zgjati 1 orë, duke i shpjeguar rëndësinë që ka ai në skuadër, një lëvizje që më pas e bëri edhe vetë Pique, duke i thënë se nuk mund të largohet në këtë moment. Bisedat duken se patën efekt te Neymar që u duk i bindur për të qëndruar. Kur u mendua se situata ishte në kontroll, në skenë hyri babai i Neymar, për të zhvilluar bisedimet me drejtuesit e klubit dhe palët u dukën të distancuara, duke bërë që të rritej pesimizmi te katalanasit.
Ditën e diel, situata duket se ndryshoi sërish për shkak të telefonatave të vazhdueshme të Bartomeut ndaj të gjitha palëve të përfshira në këtë çështje. Përfaqësuesit e Neymar konfirmuan për “Sport” se këto biseda e afrojnë akoma më shumë Neymar me Barcelonën, por gjithsesi kjo histori nuk është mbyllur ende, pasi është futbollisti atij që i takon të bëjë të ditur vendimin e tij…
Sheiku Al Khelaifi është gati të derdhë 222 mln euro në arkën e katalanasve për të afruar sulmuesin e Selecaos që vazhdon të mbetet i dyzuar mes Barcelonës dhe Parisit. Pas 2 golave të shënuar në miqësoren me Juventusin, Neymar mbetet në qendër të vëmendjes edhe pse në takimin e parë të zhvilluar me shokët e skuadrës, Messi, Suarez e Pique u duk se ai e kishte marrë vendimin për të mos lëvizur nga Katalonja. Në skenë ka dalë edhe i ati dhe agjenti i tij, i cili është takuar me drejtues të lartë të PSG menjëherë pas ndeshjes së zhvilluar në SHBA dhe u ka dhënë fjalën se sulmuesi brazilian do të pranonte ofertën e PSG.
Marrëveshja verbale është arritur dhe të enjten, stafi i lojtarit do të zbarkojë në Barcelonë për të rinegociuar detajet e kontratës aktuale që ai ka, në të kundërt Neymar do të largohet me destinacion Francën pasi klauzola e lejon të marrë një vendim të tillë i pandikuar nga klubi. 8 muaj më parë, sulmuesi firmosi kontratën e re me Barcelonën, por tashmë mesa duket nevojitet një tjetër ndërhyrje në çështjen e pagës pasi PSG ofron rreth 40 milionë euro në sezon. Lajmi bëhet i ditur nga mediat braziliane, por gjen konfirmim edhe në Spanjë ku gazeta “AS” thekson se me shumë mundësi, ditët e Neymar te Barcelona janë të numëruara.