Ballina Politikë Mesazhi i Selamit për ata që bojkotuan: T’i japim vendit, opozitë të...

Mesazhi i Selamit për ata që bojkotuan: T’i japim vendit, opozitë të fortë

Eduard Selami ka pranuar rezultatin e dalë nga zgjedhjet me një anëtar një votë për kryetarin e PD dhe ka deklaruar se ai do të jetë një hap përpara në rigritjen dhe forcimin e PD. “Unë e respektoj vendimin e demokratëve”, ka thënë Selami duke mbajtur një qëndrim dinjitoz si në garën për kryetar, ku ai ishte një kritik i ashpër i Bashës ashtu edhe në përfundim të rezultatit të votimeve.
“Ne kishim zgjedhjet. Zgjedhje shumë të rëndësishme në historinë e Partisë Demokratike, të cilat unë mendoj se, pavarësisht nga rezultati, sikurse kam thënë përherë, do të jem dhe jam një hap përpara në forcimin dhe ringritjen e Partisë Demokratike.
Më lejoni të falënderoj të gjithë ata që na votuan, të gjithë votuesit e PD, të gjithë ata që u morën me përgatitjet e këtyre zgjedhjeve, të gjithë ata që votuan vizionin tonë, i cili mendoj se ishte vizioni më i mirë për ta ringritur PD, për ta bërë dhe një herë shpresë për demokratët, për të djathtët dhe për Shqipërinë.
Gjithsesi kjo është: demokracia. Ka një votim, ky votim është bërë dhe unë e respektoj këtë votim. E kam telefonuar zotin Basha sot dhe e kam uruar për fitoren dhe i bëj thirje të gjithë demokratëve të gjithë atyre që kanë votuar për mua dhe atyre që s’kanë votuar për mua dhe atyre që kanë bojkotuar, hajde të bashkohemi, t’i japim Shqipërisë një opozitë të fortë për të cilën ka shumë nevojë vendi. Dhe unë do të jap gjithë kontributin tim dhe përpjekjet e mia që, kjo të realizohet.
Pavarësisht se zgjedhjet ishin të pabarabarta ky ishte një hap i rëndësishëm përpara dhe siç e dini unë kam hartuar një platformë konkrete në konsultë me demokratët nga e gjithë Shqipëria që këto zgjedhje që vijnë, t’i bëjmë akoma më të mira dhe kjo do të jetë fryma e bashkëpunimit. Unë mendoj se PD ka dalë më e fortë nga kjo garë dhe unë do të vazhdoj kontributin tim si anëtar i PD, që Partia Demokratike të kthehet dhe një herë shpresë për të gjithë shqiptarët”, tha Selami.
Cila do të jetë e ardhmja e Selamit? Ai i është përgjigjur me modesti se do të vazhdojë të kontribuojë si një demokrat i thjeshtë në Njësinë Nr. 2. “Platforma ime është shpalosur. Tashmë unë jam një demokrat krenar si gjithmonë, anëtar i seksionit të njësisë dy, dega Tiranë”, tha Selami.

Exit mobile version