Zidane: Kam më të mirët në botë

Zinedin Zidan foli ditën e djeshme mbi fillimin e sezonit të Real Madridit. Në fjalën e tij, trajneri i “Los Blancos” komentoi disa nga tematikat më të nxehta madrilene të kësaj vere, që nga zërat për largim të Ronaldos e deri te transferimi i djeshëm i Moratës drejt Çelsit në kampionatin anglez.
-Përse kaq shumë rrotacion në mënyrën tuaj të menaxhimit të ekipit?
Kjo është mënyra ime e punës, nuk kam përse ndryshoj një strategji që deri tani më ka dhënë jo pak kënaqësi. Të mos harrojmë se me këtë organikë do më duhet të përballoj mbi 60 ndeshje sezonale, do të kem nevojë për të gjithë, ndaj më mirë të jenë gati dhe të mësohen me konceptin tim të punës. Nuk kam vetëm një lojtar që mund të luajë 50 ndeshje, por mendoj se të gjithë duhet të jenë të gatshëm kur t’u vijë radha.
-Po për Kristianon ç’mund të na thoni?
Ai është ende me pushime dhe, pas një sezoni aq impenjativ, besoj se i ka merituar. Nuk kam folur me Kristianon, por di që mezi pret të bashkohet me grupin.
-Cila është rëndësia e Iskos dhe Bejlit në këtë ekip?
Secili prej tyre ka dhënë maksimumin sa herë skuadra ka pasuar nevojë për ta. Fryma e grupit është një nga cilësitë tona.
-Grup që nuk mbajti dot në gjirin e tij Alvaro Moratën…
I urojmë të gjithë fatin e mundshëm në karrierë, përveçse kur të ketë përballë Realin e Madridit. Të gjithë e dimë që ai këtu ka zemrën dhe shtëpinë, por vjen një moment në jetë kur duhen bërë zgjedhje dhe ai vendosi të largohet drejt Anglisë për karrierën e tij.
-Tani që iku Morata, do të ketë më shumë vend për Mbapen?
Ai është një lojtar shumë i mirë, megjithëse është vetëm 18 vjeç. Personalisht, më habit personaliteti i tij në fushë, por nuk mund të flas më shumë për një lojtar që nuk e stërvis unë. Më shumë se kaq nuk mund të them.
-El Klasiko e parë do të zhvillohet në Majemi…
Miqësorja mbetet miqësore, pavarësisht emrave të skuadrave. Ne do ta shijojmë dhe do të japim maksimumin tonë, pasi mbetet një sfidë e veçantë në një stadium ku njerëzit nuk shohin shpesh të tilla përballje.
-Sipas jush, kush është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave?
Nuk them dot emra pasi, nëse përmend njërin, i ngelet hatri tjetrit. Në ditët e sotme mund të them që unë kam më të mirët në botë dhe në gjirin tonë kemi një “Top të Artë”.