Milan, prezantohet Leonardo Bonuçi

Buzëqeshja është nga ato të rasteve të mëdha dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Pas firmës dhe udhëtimit në Kinë për t’u vënë në dispozicion të Montelës, Leonardo Bonuçi u prezantua zyrtarisht si futbollist i Milanit. Buzëqeshja diktohet edhe nga fanella mbi tavolinën e konferencës ku ndodheshin edhe administratori i Deleguar, Fassone dhe drejtori Sportiv, Mirabelli, një fanellë që sapo u ekspozua hoqi edhe dyshimin e vetëm që kishte mbetur, Leonardo do të ketë numrin 19, atë që ka patur në dispozicion te Juventusi dhe kombëtarja italiane, numër që është detyruar ta lerë të lirë Kessie, i cili tani do të marrë 79-ën. Prezantimi i realizua siç po bëhet modë këto kohët e fundit në rrjetet sociale, në këtë rast në Weibo, një platformë shumë popullore në Kinë.
“Për Leon nuk ka nevojë për prezantim, tha Fassone. Për ne është një përforcim i jashtëzakonshëm që e donim shumë. Lindi nga një ide thuajse e pamundur, por për të qenë i sinqertë, që në telefonatën e parë Leo më tha se asgjë nuk është e pamundur dhe që nga ai moment gjërat rodhën shumë shpejt. Ai kompleton një mozaik të ideuar nga Mirabelli, në bazë të një ideje të miksimit të të rinjve me talent dhe liderëve ekspertë që do ta bëjnë rrugën e Milanit më të lehtë. Përfitoj nga rasti për të falënderuar në emër të klubit Kessie që u tregua i disponueshëm për të lënë numrin”.
Pas Mirabellit që përsëriti se slogani për blerjen e Leonardo-s, “asgjë nuk është e pamundur”, tani vlen edhe për ecurinë e Milanit, vetë Bonuçi tregoi ndjesitë e tij të para.
“Mora numrin 19, por në dhomat e zhveshjes hyra në majë të gishtave, fola me Kessie dhe ramë dakord. E falënderoj, ai është një djalosh inteligjent dhe i ndjeshëm, është një investim i madh për këtë klub. Për mua 19-ta është e rëndësishme, kam besuar te ai numër në momentet e vështira të jetës personale dhe në karrierë, ndaj falënderoj sërish. Afeksioni i tifozëve më ka transmetuar shumë entuziazëm, ishte diçka e bukur që shpresoj ta shpërblej me shumë fitore përgjatë viteve. Milani meriton të jetë më lart si në Itali ashtu dhe në Europë”.
Leonardo Bonuçi ka lëshuar dje një tjetër thumbim që kishte si objektiv ish-trajnerin e tij, Masimiliano Alegri, i cili shihet si arsyeja kryesore pse ai u largua nga Juventusi. Në një postim në Instagram, mbrojtësi që iu bashkua pak ditë më parë kuqezinjve, nuk ngurroi të falënderonte Montelën që e bëri të ndjehej menjëherë i rëndësishëm.