Franca ultimatum Ramës për të ndalur vërshimin e azilantëve

Pas narkotrafikut masiv, një “bombë” tjetër po i plas në duar qeverisë. Me mijëra azilantë shqiptarë, të braktisur nga shteti i tyre, po dynden rrugëve të Europës dhe veçanërisht në Francë. Pak ditë më parë ministri i Brendshëm i Francës i dha ultimatum Ramës përmes një bisede në telefon, për të ndaluar emigrimin masiv të shqiptarëve. Rama dje dërgoi në takim urgjent ministrin tonë të Jashtëm, Ditmir Bushati. Ministri i ri i Brendshëm, Zherar Kolomb, me siguri që i ka paralajmëruar Ramën dhe Bushatin se me këto dyndje të papara refugjatësh shqiptarë në kohë paqeje, qeveria “Rama” të mos shpresojë për dritë jeshile në BE, përkundrazi po rrezikon rikthimin e regjimit të tmerrshëm të vizave për Shqipërinë.
Rama e ka siguruar ministrin e Brendshëm francez se deri në tetor, kjo situatë do zgjidhet! Në tetor, Zherar Kolomb do të vizitojë Tiranën për të verifikuar “zgjidhjet” e Ramës. Humbja e shpresës në qeverinë e Ramës ku varfëria dhe papunësia në rritje i ka detyruar shqiptarët që të marrin rrugët e emigrimit.
Para pak ditësh “Le Figaro” i kushtonte një reportazh për emigrantët shqiptarë që kërkojnë azil në Francë. “Le Figaro” shkruante se, aktualisht shqiptarët mbajnë vendin e parë në podiumin e trishtë të kërkesave për azil në Francë me 7432 kërkesa më shumë, duke ia kaluar edhe sirianëve, afganëve dhe sudanezëve. Në konsideratë mund të merren vetëm kërkesat e personave që vijnë nga vende në luftë në rast të kundërt, ato refuzohen automatikisht. Si rezultat shumë shqiptarë nisën kërkesat për azil, duke u drejtuar edhe më këmbë drejt Francës.
Në vitin 2016, Shqipëria figuroi në vendin e parë të kërkesave për azil në Francë me 8 mijë dosje, duke ua kaluar edhe sirianëve, irakenëve apo afganëve që ikin nga vende në luftë. Shqiptarët shkojnë në Francë, sepse aty shqyrtimi i një kërkese për azil zgjat me muaj dhe të lejon të strehohesh dhe të ushqehesh, ndërkohë që në Gjermani përgjigjja negative vjen brenda pak ditësh.
Në qytetin lindor francez të Metzit, fenomeni i arritjes në masë të shqiptarëve ka marrë përmasa të tilla sa po krijohen kampingje gjigante me çadra në qiell të hapur për të strehuar fatkeqët nga Shqipëria, ndër të cilët një numër i jashtëzakonshëm i minorenëve, fenomen ky që po e shqetëson seriozisht qeverinë mike franceze. “Oqeani” i çadrave me refugjatë nga Shqipëria është pasqyruar gjerësisht edhe në median franceze.
Partia e Kokëdhimës, ZGJIDHJA e denoncon Edi Ramën se, në vitin 2017 po rikthen imazhet tronditëse të refugjatëve të vitit 1991. Shqiptarët po i thith pa pushim kurbeti dhe ky kryeministër po na merr erzin. Europa nuk mund ta pranojë azilin ekonomik dhe ka shumë të drejtë për këtë.
Qeveria dhe elita politike e ka lënë këtë popull në mëshirë të fatit. Kjo qeveri tutkunësh nuk është e zonja për asnjë punë, nuk është e aftë të krijojë asnjë perspektivë për qytetarët tanë. Rama merret vetëm me kurim imazhi e fasada, me manipulimin e publikut dhe listat e zeza, me shkatërrimin e shtetit ligjor dhe vjedhjen e zgjedhjeve, me luftën ndaj atyre që mendojnë ndryshe dhe blerjen e mediave, me dëgjesa publike ku flet vetë dhe nuk dëgjohet populli halleshumë, me shantazhimin e gjykatësve, prokurorëve e zyrtarëve, me debate të kota në rrjetet sociale, me shkatërrimin e demokracisë dhe me ushqimin e ëndrrës së sulltanit të mjerimit në një vend ku sundon krimi dhe korrupsioni.
Rama nuk ka asnjë zgjidhje demokratike e të vërtetë për të bërë. Të vetmit gjëra që do bëjë ai janë masat dhe shtrëngesat antidemokratike, fushatat propagandistike, gënjeshtrat dhe manipulimet. Në fund, ai do të lërë në këtë vend vetëm një gropë të madhe, timonin e ndryshkur dhe tepsinë për skrap, atletet e bardha dhe këpucët e kuqe, një milion pensionistë, të vobektë, të sëmurë, ca fëmijë që rrinë pranë gjyshes, sepse prindërit i kanë në emigracion dhe ca persona që do të jenë “non grata” në vendet e tjera.