Shpallet “Rusia e vogël” në Ukrainë

Shqetësim në Kiev, kritika në Berlin dhe në Paris, habi në qarqe ekspertësh. Propozimi i papritur i Alexander Saharçenkos ra si bombë. Udhëheqësi i separatistëve në Ukrainën Lindore i së vetëshpallurës “Republikë Popullore e Donjeckut”, propozoi të martën që në vend të Ukrainës, të themelohet një “shtet” i ri dhe ai të quhet “Malorossija” (“Rusia e vogël”). Qeverinë e Kievit ai e quajti jolegjitime dhe u bëri thirrje rajoneve të tjera, me përjashtim të Krimesë së aneksuar nga Rusia, që të bashkohen me “shtetin” e ri me Donjeckun si kryeqytet.
Edhe në Rusi u dukën të habitur. Një shtet i ri në Ukrainë? Kjo ishte e re edhe për administratën ruse. Duhet të bëhet fjalë për një iniciativë personale të udhëheqjes së Donjeckut, u kumtua ftohtë. I ngarkuari me fuqi të plota të Rusisë në Grupin e Kontaktit të Minskut, Boris Gryslow tha më tej: ky propozim ka të bëjë më tepër me luftën informative që po vazhdon, se sa me realitetin, tha ai. Kjo iniciativë nuk është në përputhje me procesin e Minskut dhe nuk ka kurrfarë pasojash juridike.
Akt themelues?
Por në lajmet zyrtare të së vetëshpallurës Republikë Popullore e Donjeckut paradite kjo tingëlloi krejt ndryshe. Fjala ishte për një akt konstitucional. Për themelimin e shtetit Malorossija, Rusi e vogël. Sipas udhëheqësit të kryengritësve, Ukraina nuk mund të rikrijohet si shtet. “Ne, përfaqësuesit e rajoneve të ish-Ukrainës, propozojmë që shteti të shpërbëhet dhe që të themelohet në vend të tij Rusia e vogël”. Sipas tij, ndryshimi i emrit është shumë i rëndësishëm, sepse “Ukraina si shtet mban faj për krime lufte, terror masiv dhe masakra ndaj popullit të saj”.
Por edhe vetë udhëheqja e separatistëve aleatë të së vetëshpallurës Republikë Popullore e Luhanskut u distancua shprehimisht nga projekti. Përfaqësues të saj thanë se atë e patën mësuar nga mediat.
Qeveria gjermane e quajti propozimin nga Donjecku “krejt të papranueshëm”. “Zoti Saharçenko nuk ka asnjë lloj legjitimimi që të flasë për këtë pjesë të Ukrainës”, i tha një zëdhënëse qeveritare në Berlin “Deutsche Welle”-s. “Ne presim që Rusia ta dënojë gjithashtu menjëherë këtë hap dhe as mos ta respektojë, as ta pranojë”. Ngjashëm u shpreh edhe Ministria e Jashtme në Francë.
Në fund, shumëçka flet për një veprim me kokë të tij të Saharçenkos. Por me këtë ai arriti një gjë me sukses: në takimin e grupit tripalësh (Ukrainë, Rusi dhe OSBE) nesër, që në krye do të diskutohet pikërisht kjo deklaratë.